Pakoja e reformës në drejtësi i dërgon në pension të detyrueshëm ortakët e krimit të organizuar!

Pakoja e reformës në drejtësi i dërgon në pension të detyrueshëm ortakët e krimit të organizuar!

Hajrullah Tërnava

  • 26 February 2022 - 17:14

Shkruan: ANALISTI -  Hajrullah Tërnava

Qeveria në pushtet,e cila po angazhohet që ti luftoj të gjitha të këqijat që kanë ndodhur deri më tani në shtetin tonë, e sidomos në sistemin e drejtësisë, e që në këtë institucion ka shumë zbraztësira të ligjeve dhe jetësimit të tyre në praktikë të lëmive të ndryshme. Mungesa e zbatimit të ligjeve e vështirëson angazhimin e luftimit të dukurive negative për çrrënjosjen e të cilave po angazhohet me shumë seriozitet kjo qeveri, sepse ka kaluar një kohë e gjatë e instalimit të krimit në këto institucione dhe “kultura” e kriminalizuar po paraqitet si pengesë e luftimit të llojeve të ndryshme të krimit.

Sado që po shohim angazhim të shtuar të mekanizmave të sundimit të ligjit, në betejë kundër krimit, do të duhet edhe një kohë e konsiderueshme që të funksionalizohen plotësisht institucionet e drejtësisë dhe spastrohen nga ndikimi i nëntokës kriminale. Pakoja e reformës në drejtësi, ndryshimi i ligjit mbi Gjykatat, ligjin mbi KGJK-në, mbi KPK-në, dhe mbi Prokurorinë e shtetit, mbi Kryeprokurorin ku trajtohen çështje të drejtësisë, duket të shërben që të bëhen ndryshime shumë të thella dhe jo në mënyrë kozmetike e të përshpejtuar, që shkon në dobi vetëm të politikës, por ndryshime për spastrim nga të deleguarit e grupeve të interesit kriminal e politik, dhe të mbetjes në detyrë vetëm të atyre që kanë guxim të dëshmuar profesional dhe moral e guxim persona.

Gjithsesi duhet që të bëhen ndryshime rrënjësore, kapitale dhe të dhimbshme për njerëzit e politikës për ta pastruar drejtësinë nga njerëzit e politikës dhe oligarkëve të tyre në mënyrë që drejtësia të vihet në binarë, duke i dërguar në pension të parakohshëm të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë që i shërbejnë politikës, dhe të zëvendësohen të njëjtit me njerëz të merituar me etikë, sjellje e integritet profesional, të cilët mund ta ndajnë drejtësinë në vend.

Ne vazhdimësi duhet t’u ndalohet me ligj që njerëzit e politikës, të lidhur me partitë politike, madje edhe me ekzekutivin që kontrollon drejtësinë, të mos lihen të depërtojnë në të ardhmen në sistemin e drejtësisë. Pikërisht në funksion të reformimit të thellë të sistemit të drejtësisë, ditë më parë në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është nënshkruar një Deklaratë e Përbashkët Zotimi në mes të Ministres së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, si dhe Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Enver Peci, ku përmes kësaj deklarate, Ministria e Drejtësisë zotohet se do të formojë në afatin më optimal, grupet punuese për kryerjen e hapave procedurale dhe nxjerrjen e dokumenteve përkatëse për reformat.

Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Supreme me nënshkrimin e kësaj Deklarate, zotohen të kontribuojnë substancialisht në këtë proces duke dhënë kontribut të vazhdueshëm profesional përmes përfaqësuesve kompetent. Ky akt është bërë nën zotim të plot dhe të vullnetshëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dhe kontributit në mes të këtyre institucioneve, me qëllimin e qartë për reforma në fushat e caktuara të sundimit të ligjit, ndër të tjera, në atë penale, civile dhe administrative. Zotimi i tillë, gjithashtu është i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe kontributin profesional të partnerëve strategjik, si pjesë e rëndësishme e reformave në drejtësi.

Ministrja Haxhiu ka thënë se një akt i tillë, shënon përkushtimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë, për të kontribuar tutje në proceset reformuese në drejtësi, për të forcuar sundimin e ligjit si dhe për të rritur rezultatet e institucioneve dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, duke thyer kështu akullin pas një periudhe të refuzimit të bashkëpunimit në grupet punuese për ligjin Vetting. Ma në fund tani është koha që me ligj të veprohet për pastrimin dhe dekontaminimin gjeneral në drejtësi nga ish ministrat e mandateve të kaluara të cilët u deleguan dhe kontrolluan njëri pas tjetrit nga dora e zgjatur tinëzare dhe ilegale e SHIK-ut.

Tani në pritje e sipër të ligjit të Vettingut, që po shpresohet se spastrimi i njerëzve të inkriminuar në këtë institucion do të ndodhë pa vonesë. Në të ardhmen duhet të përzgjidhen njerëzit profesionist, të aftë që mundë të kontribuojnë në baza ligjore që ky institucion ti përngjaj ashtu si duhet institucionit të drejtësisë, ashtu si e parashohin ligjet pozitive, dhe me jetësimin e ligjit të Vettingut nëpër këto institucione dhe spastrimit nga krimet i këtyre institucioneve, do të kuptohet dhe vërehet rëndësia e funksionimit e drejtësisë në shtetin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".