Greva në drejtësi, një skenar nga politika e kriminalizuar!

Greva në drejtësi, një skenar nga politika e kriminalizuar!

Gani Qarri

  • 09 March 2022 - 07:33

Shkruan: Analist - Gani Qarri

Kur të kihen të gjitha këto kërkesa të koklavitura parasysh, shihet qartë se sa i pa drejtë dhe i palogjikshëm është vazhdimi ultimativ i qëndrimeve të papranueshme me bojkot të punës dhe grevë e cila gjithsesi do të ketë pasoja alarmante në shtyrjen e seancave gjyqësore dhe grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura, që edhe ashtu, shumë sosh parashkruhen pa u trajtuar kurrë.

Gjykatat e të gjitha niveleve në vend, javën e kaluar, i kanë anuluar në afate të gjata seancat e gjyqësore, e disa të tilla edhe në afat të pa caktuar, për shkak të përshkallëzimit të grevës së simuluar në administratë, punëtorët e të cilës po kërkojnë privilegje, kushte të përafërta pune dhe shpërblim në paga, ngjashëm me ato që gëzojnë prokurorët dhe gjyqtarët e kapur nga krimi i organizuar! Për aq më tepër, me vazhdimin e kësaj greve të simuluar dhe të stisur nga politika e kriminalizuar, jo vetëm gjyqësori i Kosovës, por komplet sistemi i drejtësisë së kapur e të korruptuar nga partitë e inkriminuara në vend, po rrëshqet drejt kolapsit total, me përshkallëzimin e qëllimshëm  të grevës së orkestruar nga stafi i administratës në Gjykata dhe në Prokurori.

Siç dihet, kjo grevë e papritur ka filluar më 28 shkurt dhe po vazhdon edhe këtë javë, ku grevistët e “juridikaturës” këmbëngulin për miratimin e ligjit të veçantë për Administratën e Punëtorëve të Gjykatave dhe Prokurorive, bazuar në Projektligjin për Zyrtar Publik. Madje përveç kërkesës për miratimin e Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive, kërkesë e nëpunësve të korruptuar në administratën e sistemit të drejtësisë është edhe përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha ato që u cekën më lartë, ata kërkojnë edhe pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, pagesë të rregullt të shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa tjetër ajo e udhëtimit po ashtu prej 3 euro për secilin të punësuar në administratën e sistemit të drejtësisë!?

Kur të kihen të gjitha këto kërkesa të koklavitura parasysh, shihet qartë se sa i pa drejtë dhe i palogjikshëm është vazhdimi ultimativ i qëndrimeve të papranueshme me bojkot të punës dhe grevë e cila gjithsesi do të ketë pasoja alarmante në shtyrjen e seancave gjyqësore dhe grumbullimin e lëndëve të pazgjidhura, që edhe ashtu, shumë sosh parashkruhen pa u trajtuar kurrë. Me neglizhencën dhe shtyrjen e zgjidhjes së tyre të orkestruar nga vet KGJK-ja dhe KPK-ja të kapura nga krimi i organizuar dhe mafio-politika vendore, po vonohen me vite të tëra , duke dështuar qëllimshëm edhe rastet me lëndë tepër serioze të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prandaj është koha e fundit që Qeveria, Ministria e Drejtësisë, KPK dhe KGJK, të veprojnë urgjentisht për ti dhënë fund kësaj gjendje kaotike dhe ofruar zgjidhje të situatës bllokuese, e të mos lejohet që punëtorët e nxitur nga krimo-politika të simulohet "grevë" e dirigjuar, derisa të kolapsojë i tërë sistemi i drejtësisë, me çfarë do të përfitonte vetëm nëntoka e krimit të organizuar e instaluar për dy dekada me radhë, në organet e (pa)drejtësisë ne Kosove! 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".