Përfituesit e pasurisë me krim të organizuar e injorojnë AKK-ne

Përfituesit e pasurisë me krim të organizuar e injorojnë AKK-ne

Gani Qarri

  • 11 March 2022 - 07:33

Shkruan: Analist - Gani Qarri

Mjerisht neglizhenca e institucioneve shtetërore të ligjit, në ndjekjen e pasanikëve të majmur e të korruptuar deri në fyt, të politikës së inkriminuar dhe sistemit të kapur të drejtësisë, është duke ndikuar që të njëjtit ta injorojnë plotësisht dhe të mos bashkëpunojnë fare as me Agjencionin Kundër Korrupsionit për deklarimin e pasurisë, ashtu siç ua kërkon detyra zyrtare dhe ligji! 

Në afatin e radhës, të fundit të detyrueshëm për deklarim të pasurisë, për vitin e kaluar, AKK-ja ka njoftuar se janë më shumë se 100 zyrtar politik e publik të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, në mesin e të cilëve raportohet se ka edhe ministra, prokurorë dhe gjyqtarë, prandaj Agjencia Kundër Korrupsionit është detyruar të dorëzojë kallëzime penale ndaj sjelljeve të tyre kundërligjore. 

Dhe sipas njoftimit të fundit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, deri më tani, ajo ka dorëzuar në Prokurori mese 183 kallëzime penale ndaj zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë, listë në të cilën përfshihen edhe ministra, sekretarë të ministrive e institucioneve, organeve të pa varura, prokurorë, gjyqtarë e asamblist komunal. Nga 140 kallëzime penale për mos deklarim të pasurisë vitin e kaluar, AAK njofton se vetëm në muajin shkurt të vitit 2022 janë dorëzuar edhe 43 raste tjera në Prokurorinë e Shtetit, duke arritur në shifrën prej 183 kallëzimeve penale. 

Prandaj vet këto shifra alarmante të mos deklarimit të pasurisë, flasin hapur për bashkëjetesën e rehatshme që bëjnë Prokuroria dhe Gjyqësori me  strukturat e inkriminuara në pushtet, madje ato vërtetojnë se kur është në pyetje deklarimi i pasurisë, pikërisht njerëzit e pushtetit dhe të politikës në vend, janë të lidhur shumë ngushtë me sistemin e kapur të drejtësisë të kontrolluar dhe të ndikuar drejtpërsëdrejti nga mafia politike, të cilët edhe pas ndryshmeve të qeverisë, guxojnë të sillen me aq injorancë dhe pa përgjegjësi totale në raport me ligjin, që tanimë duhet të marrë fund. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".