Loja e pistë e gardës së kontrolluar nga SHIK-u për ta mbajtur peng sistemin e drejtësisë, KPK dhe KGJK-në

Loja e pistë e gardës së kontrolluar nga SHIK-u për ta mbajtur peng sistemin e drejtësisë, KPK dhe KGJK-në

Gani Qarri

  • 10 April 2022 - 09:11

Shkruan:ANALISTI: Gani Qarri

Vet fakti se gjatë të kaluarës së tyre të dyshimtë në mandatet si Prokuror shteti, që nga  HiImi  Zhitija, Ismet Kabashi, e Aleksandër Lumezi, institucioni që ata kanë drejtuar së bashku me elitën e prokurorëve të kapur e të korruptuar në të gjitha nivelet, asnjëherë nuk mbahen mend, qoftë edhe për një rast të shënuar të nivelit të lartë në luftën kundër krimit të organizuar, dëshmon katërçipërisht se secili prej tyre ishin vegla të nënshtruara të parapolitikës, nëntokës kriminale dhe mafio-oligarkisë së inkriminuar në Kosovë. Madje kjo u dëshmua edhe njëherë më tepër,pikërisht këto ditë kur nga KPK, papritur e pa kujtuar, kryeprokuror i ri i shtetit, u zgjodh njëri nga anëtarët e kastës së vjetër të prokurorëve të dështuar dhe nga më të përfolurit e klanit të moçëm të inkriminuar, si Blerim Isufi.

 

Kjo lojë e pistë u zhvillua me abuzime të rënda, që nga hapja e konkursit për kryeprokuror të shtetit, akt kundër të cilit u ngritën njëra pas tjetrës në këmbë,të gjitha ambasadat e huaja, që në vijimësi dhe pareshtur, kanë ndihmuar financiarisht, materialisht dhe praktikisht me ekspertët e tyre profesional e ligjor, ndërtimin e një sistemi të lirë e të pavarur, të drejtësisë së njëmendtë në Kosovë. E duke pasur të gjitha këto parregullsi parasysh, tani është momenti vendimtar, që vet Presidentja e shtetit të veprojë urgjentisht sipas ligjit dhe obligimit që ka me kushtetutën e vendit dhe në koordinim me Kuvendin e Kosovës, të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme  ligjore, për spastrimin përfundimtar të KPK-s dhe KGJK-s nga strukturat kriminale të instaluara thellë e më thellë, në sistemin e drejtësisë së kapur, nga partitë e inkriminuara, tash e mbi 20 vjet më parë. Pra, kjo lojë e pistë, qysh me hapjen e Konkursit për kryeprokuror të shtetit, u orkestrua qëllimisht, nga klani i vjetër mafioz, i cili fatkeqësisht edhe më tej, vazhdon të jetë dominues në drejtësi, ndaj kjo duhet të jetë arsye shtesë dhe motiv vendimtar, për ndërmarrjen e një paravetingu të thellë, që përfundimisht do ta ndalonte abuzimin e mëtejmë me postet udhëheqëse dhe veprimet kundërligjore në sistemin prokurorial dhe atë të drejtësisë së kalbur në Kosovë. Përveç reagimeve të ambasadave të vendeve mike në Kosovë, jo rastësisht kundër kësaj maskarade të turpshme ka reaguar në mënyrën më të ashpër edhe vet ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani i cili ka thënë se ai me kohë e kishte hetuar instalimin e krimit në drejtësi dhe për këtë arsye, qysh atëherë, përbërjen aktuale të KPK’-së, e quan “Grup Kriminal” i cili orkestroi votimin e Blerim Isufajt, për kryeprokuror të shtetit, përzgjedhja e të cilit, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është jashtë çdo norme etike, ligjore dhe kushtetuese. Për aq më tepër, Enver Hasani, qysh para 8 vitesh ka tërhequr vërejtjen se në KPK është instaluar një grup i madh kriminal, grup të inkriminuarish, për të cilin z.Hasani që në vitin 2015, i ka thënë ato, të cilat sot po i thonë edhe ambasadat e huaja në vendin tonë. Sipas z.Hasani në pyetje është një grup, i cili deklarohet se kinse me veprimet e tij inkriminuese, mbron ligjin, kurse në fakt, është duke vepruar hapur kundër ligjit dhe në kundërshtim të plotë me çdo normë kushtetuese, ligjore dhe etike. “Është pikërisht ky grup që unë në vazhdimësi e kam cilësuar si grup kriminal, thotë z. Hasani, veprimtaria e të cilit, shtiret sikur  gjoja bënë një paraqitje transparente të përzgjedhjes së kandidatëve, ndërkohë që ajo paraqitje shihet qartë që as rregullat e brendshme, të cilat vetë i kanë votuar, nuk i respekton”. Këtu bëhet fjalë për shkelje të çdo norme juridike”, ka shtuar z.Enver  Hasani, ku pati shkelje të shumta në përzgjedhjen e Blerim Isufajt, kurse shkeljet janë të ndryshme, duke nisur fillimisht, nga vet mënyrën se si i drejtohen atij të cilit ia dhanë votën me 98 për qind, që është akti më absurd me të cilin cenohet  rëndë edhe vet rregullorja e brendshme”. E gjithë kjo dëshmon se tani është moment vendimtar, kur presidentja e vendit duhet të veprojë konform ligjit dhe obligimit që ka në bazë të kushtetutës, si Presidente e shteti, të bashkërendohet edhe me Kuvendin e Kosovës, e komisionin për legjislacion, për të filluar vlerësimin Professional të secilit anëtar të KPK-s. Dhe për të spastruar njëherë e mirë sistemin e drejtësisë, Presidentja e vendit duhet të insistojë me çdo kusht në ndryshimin urgjent dhe reformimin rrënjësor e substancial të KGJK-Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me njerëz të rinj e të panjollosur nga ana korruptive e kriminale, për tu pastruar njëherë e përgjithmonë nga personat e dyshuar që në KPK dhe KGJK ishin dërguar nga ish Qeveria e përkohshme dhe SHIK-u ilegal. Të njëjtit njerëz, pastaj ishin miratuar e avancuar edhe nga LDK e Isa Mustafës, të cilët ia bënin avokatinë korrupsionit e krimit të organizuar në vend dhe ndëshkonin autorë krejtësisht të pa rëndësishëm, duke mbrojtur gjithmonë mafio-politikën dhe rrjetet kriminale, që nga niveli komunal e deri në majat e larta të pushtetit, Kuvend, qeveri e Presidencë, të kontrolluara dhe nënshtruara në vijimësi nga para politika dhe strukturat kriminale të SHIK-ut para politik. Prandaj, nëse i bëhet vetëm një analizë e thjeshtë retrospektive të kaluarës së dyshimtë në mandatet e tyre si Prokuror shteti, që nga  HiImi Zhitija, Ismet Kabashi, e Aleksandër Lumezi, institucioni që ata kanë drejtuar së bashku me elitën e prokurorëve të kapur e të korruptuar në të gjitha nivelet, nuk mbahet mend, që gjatë gjithë periudhës së gjatë të qëndrimit të tyre në këto poste të larta shtetërore, të ketë pasur qoftë edhe një rast të vetëm, të ndërmarrë kundër zyrtarëve të nivelit të lartë në luftën kundër krimit të organizuar, pasi që secili prej tyre ishin vegla të politikës, nëntokës kriminale e mafio-oligarkisë së inkriminuar në Kosovë. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".