Po vjen goditja e madhe ndaj strukturës së inkriminuar brenda KPK-së!

 Po vjen goditja e madhe ndaj strukturës së inkriminuar brenda KPK-së!

Gani Qarri

  • 16 April 2022 - 09:05

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës i miratuar në parim, është vetëm fillimi i reformës në drejtësi i cili do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto që për mbi dy dekada, kanë munguar pothuajse tërësisht brenda sistemit të drejtësisë së kapur, në Kosovë.

-Duke pasur parasysh faktin se përbërja e deritanishme e KPK-së, ishte thellësisht e kapur dhe ndikuar nga grupet kriminale të nëntokës politike, e posaçërisht nga SHIK-u ilegal, ajo jo vetëm se nuk mbahet mend për asnjë vendim pozitiv, por për shkak të mos efikasitetit edhe ka qenë vazhdimisht në shënjestër të kritikave si nga shoqëria civile e OJQ-të vendore, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.

Prandaj miratimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, është vetëm hapi i parë i fillimit të reformimit dhe shkëputjes së Prokurorisë së Kosovës nga mbajtja peng, prej rrjetit të gjerë të strukturave të krimit të organizuar dhe politikës mafioze në vend! Akt që vetëm në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, më në fund, me shumicë votash, deputetët miratuan në parim projektligjin për KPK-në, me të cilin edhe nis reforma e thellë në sistemin e drejtësisë, e në plan të parë, pikërisht në sistemin prokurorial, i cili edhe u dëshmua si njëri nga më të kapurit dhe më problematikët në vend. Ishte po ky ligj, që ende pa u dërguar për miratim në parlament, pati ngjallur polemika të shumta dhe debat të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës, i cili vetëm pas konsultimit të Ministrisë së Drejtësisë me ekspertët e Komisionit të Venedikut, dhe marrja e rekomandimeve me opinion pozitiv, nga komisioni në fjalë, ka bërë të mundur, që Qeveria ta dërgojë në Kuvend ku përfundimisht edhe u miratua me shumicë votash.

Projektligji i miratuar, parasheh zvogëlimin e anëtarëve të KPK-së nga 13 në shtatë sosh, mes të cilëve tre do të jenë jo prokurorë, ndërsa përbërja e re e KPK-së, do të ketë dy prokurorë nga prokuroritë themelore, një nga Apeli ose Specialja, si dhe kryeprokurorin e Shtetit. Kurse dy anëtarë jo prokurorë të KPK-së, do ti zgjedhë Kuvendi, e një anëtar tjetër, do të dërgohet si përfaqësues nga Avokati i Popullit, prandaj Kryeministri Albin Kurti, me këtë rast ka dhënë disa këshilla të rëndësishme, për përbërjen e ardhshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, që parashihet të plotësohet me ndryshimin e ligjit për KPK-në.

Pas miratimit, z. Kurti ka theksuar se ky projektligj është jetik për shtetin e së drejtës në Kosovë, me të cilin më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë dhe ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat e përgjithshme që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit, me dënime adekuate për kategori të tilla.

Prandaj, përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe dhe unike e cila do të dëshmojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të vendosë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor, por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të parapara me ligj, u shpreh kryeministri.

Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës i miratuar në parim, është vetëm fillimi i reformës në drejtësi i cili do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto që për mbi dy dekada, kanë munguar pothuajse tërësisht brenda sistemit të drejtësisë së kapur, në Kosovë.

Madje përbërja aktuale e KPK-së, së fundmi e votoi unanimisht edhe Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, proces i cili ngjalli reagime të ashpra nga shoqëria civile e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në vendin tonë, të cilët shprehën jo vetëm zhgënjimin por edhe mospajtimin e thellë të tyre.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sqaroi se me ndryshimet e reja në ligj, gjashtë vetave, nga nëntë prokurorët aktual në KPK do t’iu ndërpritet mandati, kurse tre, të cilët do të mbeten deri në përfundim të mandatit, do të përzgjidhen me një short paraprak. Për aq më tepër, zonja Haxhiu theksoi se me ndryshimet e reja nuk do të lejohet më, “shëtitja” e prokurorëve nga një prokurori në tjetrën dhe nga tash e tutje, as kryeprokurori nuk do të mund të dërgojë prokurorë nga një prokurori në tjetrën, sikur që është vepruar deri më tani, veprime me të cilat mundë të jetë abuzuar nga grupet e interesit për qëllimet e tyre të caktuara, ndërsa për plotësimin e përbërjes së KPK, ajo paralajmëroi se “do të organizohen zgjedhje në nivel të të gjitha prokurorive ku mund të votojë secili prokuror, ashtu siç e parasheh ligji dhe rregullorja e re.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".