Të bëhet Vettingu dhe reforma e thellë për pastrimin nga lidhja me krimin!

Të bëhet Vettingu dhe reforma e thellë për pastrimin nga lidhja me krimin!

Gani Qarri

  • 17 April 2022 - 09:07

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri


Konstatimet dhe të gjeturat e dëshmuara në raportin e DASH-it, janë jo vetëm mesazh shtesë për Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e drejtësisë që pa vonesë dhe në mënyrë urgjente, në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar, ta bëjë sa më parë finalizimin e Vettingu-t dhe reformave të nevojshme në drejtësinë e kalbur, por edhe mënyra e vetme që me pakon ligjore ant-ikorrupsion, të ndërpritet më në fund zinxhiri i rrjeteve mafioze të zhvatjes e të abuzimit me pasurinë e shtetit, kurse me Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së pa justifikueshme dhe Ligjin Vetting, të spastrohet përfundimisht sistemi i drejtësisë, së kalbur në vend.


Me këto ligje, do të instalohej përfundimisht edhe llogaridhënia dhe disiplina ligjore në institucione, KPK dhe KGJK, si dhe në strukturat tjera të sigurisë e sundimit të ligjit, të cilat janë aq të nevojshme dhe me rëndësi jetike për qytetarët dhe Republikën e Kosovës. Siç dihet tanimë nga opinioni i gjerë, edhe në raportin e Komisionit Evropian, organizatave joqeveritare dhe Institucionit të Avoktatit të Popullit, është konstatuar se administrimi i drejtësisë ishte i ngadaltë dhe gjithnjë i mungonin mjetet për të siguruar llogaridhënien e zyrtarëve gjyqësorë, prandaj pavarësia dhe profesionalizmi i sistemit gjyqësor, kërkohet të jenë top prioritet i Qeverisë aktuale të Kosovës, për funksionalizimin e sistemit të dritësisë së kapur e të politizuar nga kurdisjet dhe inkriminimet mw se dy-dekadëshe të qeverisjeve të kaluara.
 Madje Qeveria Kurti në raportin për vitin 2021, mori një mesazh të qartë edhe nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, për reformimin e thellë e urgjent të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimin e llogaridhënies, luftimin pa kompromis të krimit e korrupsionit dhe fuqizimit të sundimit të ligjit, dështime këto që i kanë mbetur si patate e nxehtë në dorë, Qeverisë Kurti nga qeveritë e kaluara, kur dihet mirëfilli se edhe në raportin për vitin e kaluar konstatohet se në Kosovë vazhdonte mosndëshkimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Për aq më tepër, strukturat gjyqësore iu nënshtruan ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, emërimeve të kontestuara dhe mandateve të paqarta dhe siç theksohej në raport, zyrtarët e niveleve të ndryshme, përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar asnjëherë, prandaj mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit, kontribuuan në vazhdimin e këtij problemi, kështu që nga Qeveria aktuale, korrupsioni dhe transparenca qeveritare, duhet të kenë trajtim më meritor dhe shumë më serioz. 
Çështjet e korrupsionit u nënshtroheshin në mënyrë rutinore, apelimeve të përsëritura, kurse sistemi gjyqësor shpesh lejonte qëllimisht parashkrimin apo edhe skadimin e afatit për të gjykuar çështjet, e siç ceket në raport, Prokuroria e Posaçme deri në dhjetor të vitit 2021, ngriti nëntë aktakuza lidhur me korrupsionin, por vetëm një pjesë e vogël e rasteve të korrupsionit që u hetuan dhe u ngritën akuza, përfunduan me dënime. 
Konstatimet dhe të gjeturat në raportin e DASH-it, janë edhe një mesazh tjetër shtesë për Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e drejtësisë që pa vonesë dhe në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar, ti përvishet punës për përshpejtimin e finalizimit sa më të shpejtë të Vettingu-t dhe reformave të nevojshme, në mënyrë që pakoja ligjore anti-korrupsion, të ndërpres më në fund zinxhirin e rrjeteve mafioze të zhvatjes e të abuzimit me pasurinë e shtetit, kurse Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së pa justifikueshme dhe Ligji Vetting, të spastrojë përfundimisht sistemin e drejtësisë, instalojë llogaridhënien dhe akomodojë disiplinën ligjore në institucione, KPK dhe KGJK, si dhe në strukturat tjera të sigurisë e sundimit të ligjit, të cilat janë aq të nevojshme dhe me rëndësi jetike për qytetarët e vendit dhe vet shtetin e Kosovës.  
 
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".