Opozitarët po ja bëjnë shërbimin besnik Aleksandër Vuçiqit kundër fondit për forcimin e ushtrisë së Kosovës

Opozitarët po ja bëjnë shërbimin besnik  Aleksandër Vuçiqit kundër fondit për forcimin e ushtrisë së Kosovës

Gani Qarri

  • 23 April 2022 - 09:19

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht kundërshtimet që po i bëhen hapur Fondit të Sigurisë të themeluar në mënyrë institucionale, nga Qeveria Kurti, me qëllim të forcimit profesional, material dhe kadrovik të Ushtrisë së Kosovës-FSK, në frymën e ngritjes së sigurisë e të mbrojtjes dhe hapjes më të shpejtë të perspektivës për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë tepër të dëmshme dhe të denja për tu trajtuar edhe penalisht, me ligjet për siguri të Republikës së Kosovës

-Siç dihet tanimë publikisht, kundërshtimet më të ashpra kundër mbështetjes qytetare për kontribuuimin në fondin e Sigurisë, përveç Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, po bëjnë edhe dy subjektet e mëdha politike Opozitare, si LDK dhe PDK, parti këto, që të dyja, të identifikuara për abuzim me fondet e luftës, Fondin 3% që është menaxhuar nga LDK dhe ish qeveria Bukoshi në ekzil, si dhe Fondi “Vendlindja Thërret” të krijuar nga strukturat e krahut politik të LPK-së, në emër të financimit të UÇK-së, struktura këto të cilat që pas lufte kanë kaluar pothuajse komplet në Qeverinë e përkohshme të PDK-së.

Ndërsa për dallim nga LDK dhe PDK, Fondi i sigurisë për Ushtrinë e Kosovës, është mbështetur nga AAK-ja e Ramush Haradinajt, por është kundërshtuar nga sateliti i shkërmoqur i PDK-së, NISMA e Fatmir Limajt, që në fakt edhe konsiderohet, krah i shkëputur i njerëzve që po shërbejnë si satelit të PDK-së. Prandaj kjo dëshmon apriori se pikërisht strukturat që në mungesë të kontrollit të mirëfilltë ligjor e institucional, gjatë dhe pas lufte abuzuan, në mënyrën më të keqe, me fondet e mbledhura të 3% dhe atë "Vendlindja Thërret", janë ata që tani i frikësohen veprimit transparent dhe të bazuar në ligj, kështu që nga frika e zgjimit të interesit qytetar nga diaspora për të kontribuar në këtë fond transparent, janë nisur në fushatë të ashpër, kundër fondit të sigurisë për Ushtrinë e Kosovës, edhe përtej kufijve të shtetit për të propaganduar, kundërshtuar, penguar dhe pamundësuar funksionimin e një fondi të tillë mbështetës plus, për Ushtrinë e shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".