Të korruptuarve në institucionet e drejtësisë po ju vjen fundi i turpshëm!

Të korruptuarve në institucionet e drejtësisë po ju vjen fundi i turpshëm!

Gani Qarri

  • 28 April 2022 - 07:44

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Gjetjet e vazhdueshme në raportet vendore, kanë evidentuar shumë probleme me ligjin ekzistues, nga ato teknike deri te përkufizimet e përdorura në masat disiplinore, pasojat e shqiptimit të tyre, aplikimi i mjeteve juridike dhe probleme të tjera të evidentuara, të cilat kanë bërë që edhe në Raportin e Kuvendit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit të rekomandohet domosdoshmëria e plotësim-ndryshimit të ligjit aktual.

Tanimë është në dorën e Ministrisë së Drejtësisë që qysh në fazën e re të Plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për përgjegjësit disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të jetësohet ndryshimi substancial, të mos bëhen improvizime sikur në mandatet e kaluara, si dhe llogaridhënia, përgjegjësia dhe disiplina në punë të mirë sanksionohen duke forcuar zbatimin e ligjit. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se të premten kanë filluar përgatitjet e Grupit Punues për Plotësim-ndryshimin e Ligjit mbi Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligj ky që do të jetë pako e reformës në sistemin e drejtësisë, ku bënë pjesë edhe Vetingu dhe Ligji për konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Madje që në takimin e parë të grupit punues, me përbërje të përfaqësueseve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, para partnerëve ndërkombëtarë dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile, ka theksuar mangësitë që janë shpërfaqur deri tani, të cilat edhe e bëjnë të domosdoshëm plotësim-ndryshimin e këtij ligji. Kjo për vet faktin se në gjetjet e raporteve të shumta vendore, janë evidentuar disa probleme me ligjin ekzistues, nga ato teknike, deri te problemet më përmbajtjesore si: sqarimi i përkufizimeve të përdorura në ligj, përmbajtja e ankesës ndaj gjyqtarit dhe prokurorit, çështjet lidhur me masat disiplinore dhe pasojat e shqiptimit të tyre, aplikimi i mjeteve juridike dhe probleme të tjera të evidentuara, ndaj edhe në Raportin e Kuvendit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Ligjit rekomandohet plotësimi dhe ndryshimi i ligjit ekzistues.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".