Zbardhja e fatit të të pagjeturve të zhdukur gjatë luftës, peng i ish-politikanëve të korruptuar nga Serbia

Zbardhja e fatit të të pagjeturve të zhdukur gjatë luftës, peng i ish-politikanëve të korruptuar nga Serbia

Gani Qarri

  • 01 May 2022 - 08:45

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Përderisa çështja e të pagjeturve shqiptar, po bëhet brengë serioze edhe për faktorët ndërkombëtar, është sjellje shumë e paturp dhe tepër e papërgjegjshme e pushtetarëve të inkriminuar dhe sundimtarëve arbitrar të vendit për plot dy dekada me radhë, të cilët nuk e kanë kushtëzuar kurrë Serbinë për zbardhjen e fatit të tyre.

 

Nga figura të larta të pushtetit dhe të drejtësisë, në secilin përvjetor që shënohet në Kosovë, dëgjojmë fjalë aq të mëdha e megalomane, edhe pse dihet botërisht, se pikërisht vet ata dështuan, në raport me Serbinë, që të bëjnë një hap sado të vogël për çështjen e krimeve të luftës dhe zbardhjen së paku të fatit të të pagjeturve shqiptar të vrarë e të kidnapuar nga Serbia, tash e gati 23 vite më parë. Madje çështja e mijëra të pagjeturve, që tash e mbi dy dekada Serbia edhe për së vdekuri ,vazhdon në mënyrën më cinike ti mbaj peng, në Serbi, është shndërruar në preokupim edhe të përfaqësuesve të shteteve mike në vendin tonë, sidomos të Ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili me rastin e shënimit të 27 Prillit, Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, tha se edhe pas më shumë se 20 viteve të kaluara, familjarët ende s’kanë përgjigje për më të dashurit e tyre që u zhdukën me dhunë në luftën e fundit, prandaj kjo heshtje nuk duhet as guxon të vazhdohet kështu. Hovenier kërkoi të bëhet më shumë për të siguruar drejtësi dhe për ta sqarur përfundimisht çështjen e personave të zhdukur, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës, për vet faktin se sot ne qëndrojmë pranë familjarëve të cilëve edhe pas më tepër se dy dekadave, ende u mungojnë përgjigjet për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur. Ndaj përfundimisht duhet garantuar drejtësi, për të gjitha familjet që i kanë humbur bijtë e tyre, ka shkruar ambasadori Hovenier edhe në llogarinë e tij në tviter. Për këtë barrë të rëndë të trashëguar nga lufta, ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke kërkuar që çështjes së personave të zhdukur, t’i jepet fund në mënyrë që familjet e tyre, pas dy dekadash të gjejnë paqe. Por megjithëse Kosova ka kaluar plot 10 vite në dialog me Serbinë, gjoja për arritjen e një marrëveshje finale dhe normalizim të raporteve, nga udhëheqësit e inkriminuar disa prej të cilëve sot gjenden në burg e të tjerët në opozitë, ata asnjëherë deri më tani nuk e kanë kushtëzuar shtetin okupator serb, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve shqiptar, numri i të cilëve, edhe mese 23 vite pas lufte, vazhdon të numërojë mbi 1600 persona të pagjetur. Për aq më tepër, fatkeqësisht, pjesë e dialogut, gjatë qeverisjeve të Thaçit & Co, nuk kanë qenë kurrë, jo vetëm të pagjeturit por as gjenocidi mbi shqiptarët, krimet dhe dëmet e luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë! Kështu që përveç tjerash, Qeverisë Kurti, trashëgim nga mandatet e kaluara të qeverisjeve të shantazhuara e të korruptuara, po i mbetet trashëgim dhe barrë e rëndë në proces të dialogut me Serbinë edhe çështja e adresimit pa kusht dhe pa asnjë hezitim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve, krimeve dhe dëmeve të luftës, të cilat duhet të faturohen dhe të kërkohet që të njihen e të kompensohen dhe ngritët padi pranë Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, për krimet dhe gjenocidin e organizuar shtetëror të Serbisë okupatore, ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".