SHBA i prinë procesit te dialogut

SHBA i prinë procesit te dialogut

Gani Qarri

  • 03 May 2022 - 07:32

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Plani për anëtarësimin e Kosovës në NATO është akti më i fuqishëm i SHBA-ve, i shpalosur së fundi në rajon, i cili vije jo vetëm si stimulim, por është edhe garancia më e fortë për sigurinë e shtetësisë, kufijve aktual dhe tërësisë territoriale të Kosovës, në mënyrë që Kosova ta vijojë pa frikë dhe dilema për të ardhmen e saj, procesin e dialogut me Serbinë.

-Pas agresionit ushtarak të Rusisë Imperialiste të Vladimir Putinit, për okupimin e Ukrainës, zhvillimet e situatës, sa i takon Republikës së Kosovës, fatmirësisht kanë filluar të lëvizin në mënyrë mjaft pozitive. Madje Senatori amerikan Chris Murphy i cili, para rreth dy javësh vizitoi Kosovën së bashku me dy senatorë të tjerë nga SHBA, ka shpalosur lajmin më të mirë, qysh prej çlirimit të vendit tonë, nga okupimi serb, për pranimin e përshpejtuar të Republikës së Kosovës në paktin NATO!

Mesazhi më i fuqishëm i ardhur kohët e fundit nga mikja më e madhe e vendit tonë në botë, si SHBA, lë të nënkuptohet se nga tash e tutje, faktorët ndërkombëtar, me fuqi vendimmarrëse si SHBA dhe BE, ofertën për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në NATO, do ta përdorin si “stimulim” të radhës, që bisedimet me Serbinë të vazhdohen, për arritjen e marrëveshjes së normalizimit, pajtimit dhe njohjes reciproke, në mënyrë që ti hapet rruga më e shkurtër gjithë procesit të përfarimit me BE-dhe integrimin në NATO. Gjatë vizitës që Senatori amerikan Chris Murphy i bëri Kosovës, në takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, deklaroi se detyra e tyre ishte, që t’i jepnim një mesazh të fortë qeverisë së re të Kosovës, se megjithëse ne e dimë që Kosova do të dëshironte të anëtarësohej edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian, që kjo të ndodhë, Kosova dhe Serbia, duhet të arrijnë një marrëveshje me të cilën, ato të dyja, do ta njohin ekzistencën legale të shtetit tjetër.

E duke qenë se dialogu është në proces, por Qeveria e Kosovës dhe ajo serbe nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm, në takimet me kryeministrin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani, të tre senatorët ishin konsistent se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve, ndaj duke e ditur që në interesin e tyre është anëtarësimi në NATO dhe në BE, qëndrimi i senatorëve nga SHBA, është pritur me shumë interesim nga krerët e shtetit të Kosovës, sqaron z. Murphy.

“Unë kam udhëtuar shumë herë më parë me Shaheen, thot ai, por kjo ishte hera e parë që ne të tre udhëtonim së bashku, me punë jashtë SHBA-ve, dhe unë si një demokrat progresiv, senatorja Shaheen një demokrate më e moderuar dhe senatori Tillis një republikan konservator, brenda të dy takimeve, kimia jonë ishte aq e natyrshme me Kurtin dhe Osmanin, sa mendoj se të dy ata, u hutuan nga mesazhi i koordinuar dypartiak”, deklaroi Senatori Murphy, pas takimit të realizuar me dy liderët kryesor të shtetit të pavarur të Kosovës. Prandaj vet shpalosja publike për herë të parë, të këtyre detajeve kaq konkrete, e të pa njohura deri më tani, flet shumë për seriozitetin e vizitës dhe mesazhit të senatorëve të SHBA-së, përgatitjen që duhet të kenë institucionet e Republikës së Kosovës dhe nevojën e bashkë koordinimit politik mes Qeverisë dhe Kuvendit, në mënyrë që kjo çështje të trajtohet me rëndësi kruciale, të dorës së parë, jo për interesa të ngushta partiake e meskine politike, por për interesa të vërteta historike dhe nacionale të popullit dhe shtetit të Kosovës.

Për aq më tepër Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, gjatë një konferencë të zhvilluar së fundi ka deklaruar se ata "Janë duke punuar edhe për një plan të investimeve ekonomike për Kosovën, ndaj shpresojmë që puna për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, do të rifillojë dhe do të ketë ecuri, sepse vetëm përmes dialogut do të arrihet një zgjidhje afatgjatë, pa të cilën do të jetë e vështirë që të ecet përpara në rrugëtimin e të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Olive Varhelyi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".