Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës  hap një kapitull të ri drejtë anëtarësimit  në organizatat tjera, së shpejti në  Interpol, UNESCO dhe  OSBE

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës  hap një kapitull të ri drejtë anëtarësimit  në organizatat tjera, së shpejti në  Interpol, UNESCO dhe  OSBE

Gani Qarri

  • 15 May 2022 - 09:05

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Pranimi i Kosovës në KE, përpos peshës që ka në sigurimin e qasjes së qytetarëve në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut, ka edhe aspektin fort diplomatik dhe politik të fuqizimit dhe afirmimit të mëtejmë të shtetësisë dhe pavarësisë, tërësisë territoriale e sovranitetit të Republikës së Kosovës, anëtarësim i cili duhet të pasohet me aplikimin në organizatat tjera me rëndësi, si Interpol, UNESCO, OSBE etj, siç kërkoi pak ditë më parë edhe vet Michael Carpenter, ambasador amerikan në OSBE.

Lajmi më i mirë i dëgjuar pas shumë kohësh stagnimi për shtetin tonë të ri, është se Kosova më në fund, aplikoi për anëtarësim në një organizatë me rëndësi, si Këshilli i Evropës, me të cilin ashtu siç u shpreh edhe vet Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vendi ynë hapi edhe një kapitull të ri, me ç`rast filloi edhe praktikisht procedura e shqyrtimit të kërkesës së Kosovës, në instancat të ndryshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës deri te Këshilli Ministror për anëtarësim.  

Prandaj aplikimi i Kosovës, për anëtarësim në  Këshillin e Evropës është hapi më serioz i deritashëm i agjendës politike të Presidentes dhe Qeverisë së re, për fuqizimin ndërkombëtar të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, pas stagnimit të njohjeve dhe mossuksesit për anëtarësim në disa organizata evropiane dhe ndërkombëtare si UNESKO, Interpol etj. Kështu që pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në një mekanizëm kaq me rëndësi, si organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, siç njihet Këshilli Evropian, Kosova duhet ta shfrytëzoj kushtëzimin që po i bëhet Serbisë, për njohjen e Kosovës si kusht për integrim në BE, dhe përveç aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të aplikojë urgjentisht për pranim edhe në Interpol, UNESCO, OSBE, etj.

Madje pranimin e Kosovës në OSBE, e kërkoi publikisht edhe vet ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Carpenter, duke u shprehur me të drejtë, se vetëm me Kosovën shtet i barabartë, brenda kësaj organizate, do të ketë mundësi dhe perspektivë më të fuqishme të avancimit dhe zhvillimit të demokracisë në Evropë.   

Për aq më tepër, përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë, rritë gjasat që Kosova realisht, të bëhet anëtarja më e re e kësaj organizate, ani pse ashtu siç e paresh me rregullore Statuti i Evropës, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova duhet të pranojë ftesë formale nga anëtarët e kësaj organizate, ftesë e cila duhet të miratohet nga 2/3-tat e anëtarëve të Këshillit të Evropës. Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përfitimet e Kosovës janë mjaft të mëdha dhe përveç tjerash qytetarët e vendit tonë mund të kërkojnë drejtësi edhe në Gjykatën e Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për kompensimin e dëmeve të luftës ku qytetarët e Kosovës, mundë të adresojnë edhe çështje të tjera serioze në Gjykatën Evropiane, nëse nuk janë të kënaqur me vendimet e organeve gjyqësore në vend, me qëllim të rivendosjes së të drejtës, pasi që anëtarësimi i shtetit tonë me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, e bënë edhe Republikën e Kosovës pjesë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prandaj alarmi i ngritur në Serbi, kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është pikërisht ndjenja e frikës për afrimin e momentit vendimtar, kur shteti okupator serb, shpejtë do të ballafaqohet jo më vetëm me padi private, të cilat i hodhi poshtë regjimi i shantazhuar i kuislingut Hashim Thaçi, por edhe me padi kolektive për gjenocid e krime të luftës që ushtria dhe policia okupatore serbe ka kryer ndaj popullsisë civile, grave, pleqve e fëmijëve dhe shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Ndaj pas aplikimit për anëtarësim të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nga  ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, si dhe konfirmimit nga Këshilli i Evropës se tashmë kanë pranuar aplikimin zyrtar të Kosovës,për anëtarësim, presidenti kriminel serb dhe pasardhësi i Millosheviqit Aleksandër Vuçiq, duke menduar se Kosovën ende e sundojnë komandirat e shantazhuar prej ti dhe arsyetimin banal se Republika e Kosovës, paska shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, ka thirrur mbledhjen e të ashtuquajturit "Këshill i Sigurisë" me kërcënimin se Serbia do të ndërmarr kundërveprim ndaj vendimit të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, që është e drejtë legale dhe e pa mohueshme e vendit tonë, për aplikim në të gjitha organizatat ndërkombëtare.  Madje gëzon fakti që edhe vet zëdhënësi i KE-së, Daniel Holgten ka vërtetuar se aplikimi është pranuar dhe i njëjti  i është dërguar Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës, gjë që dëshmon edhe njëherë më tepër, se kërkesa e Kosovës për anëtarësim, është legjitime dhe në përputhje të plotë me të gjitha rregullat ndërkombëtare, të parapara për anëtarësimin e shteteve të pavarura e sovrane në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian. Kështu që pranimi i Kosovës në KE, përpos peshës që ka në sigurimin e qasjes së qytetarëve në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut, ka edhe aspektin fort diplomatik dhe politik të fuqizimit dhe afirmimit të mëtejmë të shtetësisë dhe pavarësisë, tërësisë territoriale e sovranitetit të Republikës së Kosovës, anëtarësim i cili duhet të pasohet me aplikimin në organizatat tjera me rëndësi, si Interpol, UNESCO, OSBE etj, siç kërkoi pak ditë më parë edhe vet Michael Carpenter, ambasador amerikan në OSBE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".