Ekspertët e Venedikut po vijnë me agjendë speciale tri ditore në Kosovë për finalen e ligjit Vetting, ngrihen në këmbë sabotatorët e KPK-s dhe KGJK-s

Ekspertët e Venedikut po vijnë me agjendë speciale tri ditore në Kosovë për finalen e ligjit Vetting, ngrihen në këmbë sabotatorët e KPK-s dhe KGJK-s

Hajrullah Tërnava

  • 17 May 2022 - 07:49

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Sabotimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të KPK-së dhe KGJK-s në grupin punues për ligjin Vetting, do të përdoret si mjet i fundit për të provuar për ta kundërshtuar dhe pamundësuar miratimin e tij në Kuvend, pikërisht me fushatën që ka filluar të zhvillohet tani, në prag të vizitës së fundit konsultative që Komisioni i Venedikut do të ju bëjë institucioneve të Kosovës në javën e tretë të muajit maj, në datat 18, 19 dhe 20 maj. Sidoqoftë ligji Vetting duhet të kalohet tani, të mos vonohet kurse kundërshtarët e tij duhet të dorëzohen, e të pajtohen me turp në momentin që rekomandimi i ekspertëve të Komisionit të Venedikut të publikohet me vlerësim dhe komente pozitive.

-Këtë vizitë punë ta radhës dhe të fundit për ta dhënë vlerësimin e vetë anëtarët e Komisionit të Venedikut për ligjin Vetting, e ka paralajmëruar Ministrja Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë më 18, 19 dhe 20 maj një delegacion nga Komisioni i Venecias, raportuesit që janë përgjegjës për opinionin për Vettingun, do të vijnë në Kosovë, dhe ata kanë planifikuar që të takohen me të gjitha institucionet relevante, duke filluar nga Qeveria, Presidenca, Institucionet e drejtësisë, përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së dhe shoqërisë Civile. “Ne e kemi obligim që në këto takime t’u tregojmë atyre për nevojën që ka Kosova për Vettingun dhe tash ne jemi optimist por natyrisht që nuk mund të themi asgjë me siguri derisa ta kemi opinionin e Venecias, besojmë që është shumë e rëndësishme që ata ta kuptojnë saktë situatën në Republikën e Kosovës dhe unë jam jashtëzakonisht e dëshpëruar se mekanizmat aktual të cilët janë në kudër të institucioneve të drejtësisë nuk janë zbatuar dhe nuk janë përdorur”, ka thënë Haxhiu.

Se përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë, të cilët e kanë sabotuar grupin punues për ligjin Vetting do të lobojnë për të përfituar notë negative nga Komisioni i Venedikut, ka paralajmëruar kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i cili është ankuar se në koncept-dokument nuk janë marrë parasysh propozimet e tyre dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, prandaj ata janë anashkaluar nga Grupi punues i formuar në kuadër të Ministrisë së drejtësisë.

“Ka shumë të panjohura për neve ky koncept dokument, nuk kemi marrë pjesë në finalizimin e këtij dokumenti kaq të rëndësishëm, përfaqësuesit tanë të dy këshillave janë anashkaluar dhe nuk kanë gjetur vend për fat të keq të gjitha ato propozime, çështje kryesore që janë dhënë nga dy grupet tona që kanë dalë nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial”, ka thënë ai. Madje Maloku e ka cilësuar koncept dokumentin e ligjit Veting si një ligj që ka përpjeke për ti shërbyer vetëm një pushteti të caktuar politik, por jo interesit të përgjithshëm dhe pastrimit e reformimit të sistemit të drejtësisë si tërësi.”

“Ne mendojmë se Vettingu, nëse është për një pushtet dhe mund të jetë kauzë pse jo, por ne mendojmë se mund të ketë përkundrazi komplikime ligjore dhe kushtetuese tek ne në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, këtë bile me pasoja shumë të mëdha për të dy sistemet për cilat kaq vite është dhënë mund dhe mbështetje edhe vendore dhe ndërkombëtare që ta kemi një sistem të tillë të avancuar, funksional dhe të mirëfilltë”, ka deklaruar kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku në tryezën e diskutimit për këtë çështje të organizuar nga rrjeti i OJQ-ve që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë. Megjithatë vlerësimet në tërësi janë se me miratimin e ligjit Vetting dhe jetësimin e tijë në praktikë, elementet negative nëpër institucionet e drejtësisë do të pastrohen, standardet e zbatimit të ligjeve do të avancohen në të mirë të atyre institucioneve që deri më tash kanë funksionuar me mangësi, probleme që nuk do të na paraqiten në të ardhmen.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".