Bashkëjetesa e politikës me krimin e organizuar dhe narko mafien i pa penguar për plot dy dekada

Bashkëjetesa e politikës me krimin e organizuar dhe narko mafien i  pa penguar për plot dy dekada

Gani Qarri

  • 28 May 2022 - 09:03

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Financimi plotë dy dekada i politikës së inkriminuar nga narko mafia dhe paraja e pistë e krimit të organizuar, ka bërë që veprimtaria e dyshimtë e nëntokës kriminale, të mos jetë luftuar, e cila është zhvilluar dhe ka marr hov të pa penguar, gjë që e dëshmuan më së miri, edhe dy aksionet e organeve të rendit dhe Prokurorisë të zhvilluara në fillim të kësaj jave në vendin tonë.

Zbulimet e njëpasnjëshme të rasteve të trafikimit të drogës dhe kultivimit të bimëve për prodhim të substancave narkotike në Kosovë, po dëshmon se rritja dhe zhvillimi i kësaj veprimtarie ka ndodhur pikërisht për shkak të mos funksionimit të organeve të sigurisë, e të mos-sundimit të ligjit, si dhe tolerimit të qëllimshëm të grupeve të tilla si rezultat i lidhjes së ngushtë të politikës së kriminalizuar me grupet mafioze në vend. Vetëm në aksionin e forcave të rendit, në rastin e ashtuquajtur “Gropa”, Prokuroria e Ferizajt ka kapur rreth 80 kg drogë KAPTAGON si dhe janë arrestuar 15 të dyshuar, gjatë bastisjes në 7 lokacione.

Ndërsa Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari ka njoftuar se janë bastisur edhe dy laboratorë, ku dyshohet se është bërë përpunimi i drogës, lënda e parë e të cilës ka ardhur nga Turqia dhe pastaj ajo është shpërndarë në dy lokacione, në fshatin Siroj dhe Varosh ku dhe janë gjetur dy laboratorë me pajisjet më të sofistikuara për përpunimin e këtij narkotiku. Për aq me tepër, bandat e këtij krimi të organizuar, strehë të sigurt kanë gjetur edhe në zonat e banuara me shumicë serbe, sikur që është veriu i Kosovës, ku së fundi në aksionin e policisë është zbuluar edhe një laborator i drogës i cili është shfrytëzuar për ta prodhuar drogën, kurse bimët në teren janë kultivuar dhe kontraktuar për furnizim përmes rrjeteve të krimit të organizuar në mini hapësirën e zbuluar nga policia e Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".