Të inkriminuarit janë futur në OVL dhe po abuzojnë me veteranët e vërtetë të luftës!

Të inkriminuarit janë futur në OVL dhe po abuzojnë me veteranët e vërtetë të luftës!

Gani Qarri

  • 23 June 2022 - 07:46

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

Ata të cilët shkuan të bisedonin me kryeministrin në emër të veteranëve, të paktën emri i njërit prej tyre, la pa mend veteranët e vërtetë dhe befasoi gjithë opinionin publik të Kosovës, për faktin e ditur se ka kryer vepër të rëndë penale dhe ishte dënuar edhe me 2 vite e gjysmë burg.

-Në rrethana normale dhe nëse vërtetë bëhet fjalë për organizatë serioze, njerëz të tillë kurrë nuk mund as nuk do të guxonin ti përfaqësojnë veteranët e njëmendtë, por ata po dëshmojnë vet, se në fakt përfaqësojnë vetëm partitë e inkriminuara, madje edhe organizatën e fajdexhinjve dhe grupeve të krimit, mitmarrjes e haraçit, e kurrsesi veteranët e vërtetë, verifikimin e numrit të saktë të të cilëve, as që duan ta lejojnë, të kuptohet, Klinaku & Co.

Dërgimi i njerëzve të dënuar me burg për haraç, si Bajram Mehmetaj në takim me kryeministrin, për të diskutuar për pagën minimale të veteranëve, jo vetëm që është shumë cinik e qesharak por edhe tepër nënçmues për vet veteranët e njëmendtë, të cilët nuk e kanë qëllimin ti kërkojnë parat e Begjet Pacollit, ta plaçkitin Jahja Llukën dhe as që e kanë synin te haraçi e hajnia, si personi i dënuar të cilin me “mend në krye” Klinaku e qoi ti “përfaqësonte” veteranët te kryeministri.

Veteranët duan dhe duhet medoemos të përfaqësohen në mënyrë dinjitoze, ngase ata nuk janë hajna as plaçkitës, por e kanë hallin e mbijetesës së vet dhe familjeve të tyre me pagat reale dhe të merituara, që pa asnjë mëdyshje dhe diskutim të mëtejmë, u takojnë plotësisht atyre, për kontributin që kanë dhënë me jetën, gjakun dhe gjymtyrët e veta, për njerëzit e këtij vendi, për lirinë dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia okupatore. E akti makabër i përfaqësimit të veteranëve me individ të dënuar për haraç, dëshmon katërçipërisht se në të vërtetë Klinaku & Co, as që kanë shkuar për veteranët te kryeministri, por për ta bërë, atë që nuk arrin ta bëjë "Lista srpska" dhe partitë e inkriminuara, pra për rrëzimin e Qeverisë Kurti, vetëm pse ai mbron Kosovën nga ndarja, në mënyrë që të sjellin një kryeministër të shitur nga partitë e inkriminuara me zëvendëskryeministër të parë Goran Rakiqin, që t`ia falin veriun e vendit tonë Serbisë fashiste dhe ndajnë Kosovën siç këmbëngulte kuislingu Thaçi,para se të arrestohej nga Gjykata Speciale.

Këtë e vërteton edhe fakti i hidhur, se aktin tradhtar të ndarjes së Kosovës, siç janë në dijeni të gjithë qytetarët e vendit, vazhdojnë ta kërkojnë edhe pas burgosjes së Thaçit, eksponentët e dyshimtë të PDK-së, si Vlora Çitaku, Ramë Buja e ndonjëherë edhe Enver Hoxha, i cili deklaronte publikisht se do të kërkojë azil në Beograd, po fitoj UÇK, në Kosovë. Përndryshe, të dërgohet i dënuari për plaçkë si përfaqësues i OVL-ve të UÇK-së, në takimin me kryeministrin Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me pagën minimale të veteranëve të luftës, jo vetëm që ishte personi më i pa-duhur për të përfaqësuar veteranët e vërtetë, por është edhe fyerja më e papranueshme që mund tu bëhej në këto momente të rënda veteranëve të njëmendtë dhe familjeve të dëshmorëve të kombit. Prandaj, për ta ndarë shapin nga sheqeri dhe pastruar veten nga aktet e pandershme të grupit të Klinak-ut & Co, veteranët e mirëfilltë duhet të zgjedhin një kryesi reale që përfaqëson interesat e vërteta të veteranëve dhe nuk e ndotë çështjen e tyre të shenjtë, duke i përfaqësuar ata me hajna e fajdexhinj, vetëm pse Klinaku dashka ti njollosë edhe veteranët e ndershëm.

Dhe përfundimisht, veteranët e njëmendtë, duhet ti detyrojnë organizatat e dala nga lufta që ta bëjnë verifikimin e listave dhe pranojnë zgjidhjet ligjore të problemit të ngritur rreth beneficioneve të veteranëve, pasi që me kalimin e kohës, vazhdojnë të dalin zëra dhe fakte të reja, të pa kontestueshme edhe për abuzimet marramendëse që janë bërë nga njerëz të ndryshëm të OVL-ve me fryrjen e listave. Për aq më tepër, është shumë alarmante dhe tepër inkriminuese e dhëna më e re, e bërë publike nga njëri prej vet eprorëve të UCK-së, si Aziz Bici, nga Zona Operative e Shalës së UÇK-së, i cili vetëm për njësitin që ai e ka komanduar në luftë, thotë se numri i emrave të futur në listë, është disa herë shumëfish më i madh përtej atij, që është real, numër i shumëfishuar qëllimshëm nga vetë komisioni, edhe pse siç deklaron z.Bici, një listë të tillë kurrë nuk e ka nënshkruar ai personalisht, madje dhe as që është konsultuar fare.

Bici deklaron: “Në batalionin ku unë isha komandant, i kam pas rreth 250 ushtarë të armatosur, kurse numri i veteranëve nga njësia ime, ka shkuar në 600 sosh, pa nënshkrimin tim!". E siç dihet Aziz Bici, ish-komandant i Batalionit të parë të Brigadës 142, Zona Operative e Shalës së UÇK-së, sot është këshilltar i kryeministrit për Kategoritë e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ai është rreshtuar me të drejtë në qëndrimin që listat e veteranëve duhet të pastrohen, pasi që një pjesë e tyre, nuk kanë marrë fare pjesë në luftë, kështu që shumë më mirë do të ishte që vet Komisioni qeveritar t’i vërtetonte emër për emër, kush ka qenë veteran e kush jo”, ka thënë vet z. Bici. Prandaj edhe kryeministrit Kurti ka deklaruar se oferta për veteranët, me propozimin se si, parashihet të realizohen kërkesat e tyre të ligjshme, do t`u dorëzohet këtë javë me shkrim, kurse Qeveria me gjithë anëtarët e kabinetit do të jenë në dispozicion dhe të hapur për të diskutuar dhe gjetur rrugën më të përshtatshme ligjore që është në favorin e tyre, pa legjitimuar dhe shpenzuar për ata që në lista janë kontrabanduar pa meritë, nga komandantët të cilët kanë marrë ryshfet dhe para të majme për fryrjen e listave të veteranëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".