Byroja Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, mekanizëm vendimtar për luftimin e korrupsionit

Byroja Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, mekanizëm vendimtar për luftimin e korrupsionit

Gani Qarri

  • 19 July 2022 - 07:55

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

  

Për fatin e mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, për herë të parë, në historinë dy-dekadëshe të përpjekjeve për denoncim dhe parandalim të zhvatjes së shtetit, Deputetët e Kuvendit të Republikës, përkundër të gjitha pengesave, së fundi, arritën të miratonin në parim Projektligjin mbi Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si në çdo vend tjetër ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës.

Projektligj, që hynë në funksion të zhvillimit dhe konsolidimit të rivendosjes së ligjit dhe zbatimit të reformave në drejtësi dhe përmban dispozitat e nevojshme materiale dhe procedurale, përmes të cilit përfundimisht përcaktohet konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme me bazë civile (pa dënim).

Vetëm në këtë mënyrë, sado që me vonesë të madhe mese dy-dekadëshe dhe ngadalë e me shumë vështirësi, në formën më të sigurt, po ngushtohet hapësira e pakontrolluar për dy dekada me radhë, e pasurimit të kundërligjshëm të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe politikanëve të inkriminuar, pa i dhënë llogari askujt për asgjë, duke zhvatur shtetin dhe djersën e qytetarit, dhe përvetësuar pasuritë publike, me keqpërdorimin publik të imunitetit që ju kanë siguruar privilegjet e larta në poste institucionale e politike të shtetit të Kosovës. Dhe në përpjekjen dy-dekadëshe për denoncim dhe parandalim të zhvatjes së shtetit, kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës më në fund arriti ta miratoi Projektligjin mbi Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ani pse me një ballafaqim të ashpër kundërshtues dhe përpjekje e insinuata të gjithfarëllojshme, të opozitës dhe ish pushtetarëve të inkriminuar, për ta dështuar me çdo kusht, këtë projektligj, nga frika që i ka zënë ata, për pasurin që duhet ta kthejnë dhe përgjegjësinë që duhet të japin para ligjit. Madje siç është tashmë në dijeni opinioni i gjerë vendorë dhe ai ndërkombëtar, projektligji i sapo miratuar, ka marrë dritën e gjelbër edhe nga vet Komisioni i Venecias me disa rekomandime për përmirësime dhe plotësime të nevojshme, në mënyrë që në mes të dy leximeve secili rekomandim të trajtohet dhe të përkthehet në dispozita ligjore. Me këtë Projektligj do të krijohet një mekanizëm i fuqishëm dhe i posaçëm shtesë, për nevojën e luftimit vendimtar të  Korrupsionit në mënyrën më efektive, përmes të cilit, do të bëhet verifikimi në hollësi, i grumbullimit të pasurive të kundërligjshme, të personave zyrtarë, në rastet e mos përputhjes së pasurisë dhe të hyrave personale, me ç`rast, vet agjencia do i propozojë Gjykatës konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme, pa marrë parasysh rangun politik të personave të apostrofuar. Për aq më tepër Ligji në fjalë, do ti mundësojë drejtësisë së Kosovës, që ta luftojë shpejt dhe efektivisht edhe korrupsionin galopant që është mbjellë e thelluar në të gjitha poret, tash e mbi dy dekada me radhë, por nuk është luftuar asnjëherë nga drejtësia e kapur në Kosovë, përmes të cilit do të mundësohet konfiskimi i pasurive të kundërligjshme me bazë civile dhe në përputhje të plotë me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare. Me miratimin në parim të këtij Projektligji, Qeveria e Republikës së Kosovës, përfundimisht ka përmbush njërin nga prioritetet kryesore, për luftimin me efikasitet të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si shtyllë e fuqishme edhe për zbatimin e plotë dhe pa zbrazësi ligjore të reformave në drejtësinë e kalbur dhe jetësimit të  VETTING-ut, në vend, i cili është në vijimësi të konsultave me OJQ-të dhe partitë politike, për procedim sa më të shpejt në Kuvend, finalizimin përfundimtar dhe futjen në zbatim të tij, nga ana e Qeverisë së Kosovës!

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".