Brukseli me sjelljet e veta për Ballkanin Perëndimor, nuk duket që e ka interesimin serioz për ta integruar shpejtë në BE!

Brukseli me sjelljet e veta për Ballkanin Perëndimor, nuk duket që e ka interesimin serioz për ta integruar shpejtë në BE!
Brukseli me sjelljet e veta për Ballkanin Perëndimor, nuk duket që e ka interesimin serioz për ta integruar shpejtë në BE!

Fadil Maloku

  • 19 July 2022 - 07:58

Shkruan: Sociologu-Fadil Maloku

 

Evropa si një bashkësi bankare, union i elitave burokrate bankare qe vendosin fatet e popujve përmes elitave vendore kleptokrate dhe të korruptuara, në mënyrë qe t’i kontrollojnë me lehtësi ata ashtu edhe kapitalin e tyre financiar, kohëve të fundit është duke u ballafaquar me sfida të ndryshme. Qasja e saj në fakt është një formë e re e neokolonializmit, pra nuk ka më ushtri për “mirëmbajtje” të sistemit që në publik promovohej si sistem demokratik, shtete të pavarura dhe sovrane.

 

Elitat vendore të vendeve në tranzicion qëllimisht korruptohen në mënyrë që të shantazhohen me lehtë, por edhe të kontrollohen me “teknologji” shumë më të sofistikuar qeverisëse. Këto elita të korruptuara, e padyshim të shantazhuara, pasuritë shtetërore i kanë bankrotuar qëllimisht, në mënyrë që t’u shërbejnë interesave të ndryshme rajonale, kontinentale, e globale. Ky lloj monopoli mbi synimet e qëllimshme nga këto grupe e klane të përzgjedhura me kriterin e “besueshmërisë” dhe zbatimit të asaj që ata taksativisht e kanë ushtruar si “detyrë shtëpie”, (si thotë Jozef Stiglic) sidomos nëpër vendet e botës se tretë, manifestohet edhe në shumë vende që janë në procesin e tranzicionit. Kur kësaj i shtohet edhe monopoli i medieve që i shërbejnë kauzës se shkatërrimit dhe masakrimit të ekonomive të këtyre vendeve, bëhet shumë më e qartë se në këto vende nuk pretendohet të instalohet demokracia e njëmendët, por oligarkia dhe autoritarizmi i individëve e grupeve që ushtrojnë ndikim në publikun e manipuluar nga po këto klane e grupe mafioze e kriminale. Brukseli, me sjelljet e veta lidhur me Ballkanin Perëndimor, nuk duket që e ka interesimin që t’i integroj edhe aq shpejt në BE-. Ai me shumë duket që është e interesuar t’i zbatoje urdhrat e borsave të kompanive të mëdha transnacionale, se sa t’i kyçë këto vende në sqetullat e vet. Ndërkaq nga oligarkët lokal të vendeve të Ballkanit është duke kërkuar shërbime kontroverse si “kritere”, e si”standarde”. Ekziston rreziku i lartë i falimentimit të asaj që publiku i gjerë e ka identifikuar si shtetësi, sovranitet, e demokraci. Sidomos tani pasluftës në Ukrainë, ku BE-po dëshmon fragjilitet jo vetëm ekonomik, ku Hungarezët dhe polakët psh. duke shfrytëzuar të drejtën e “embargos” së tyre për vendet që dëshirojnë (duke kundërshtuar furishëm ) të kyçen në këtë “arkitekturë” kontinentale, marrin beneficione nga arka e përbashkët evropiane, ose si rasti i Hungarisë që iu mundësua të shpërfaq embargon ndaj Rusisë dhe të akumuloj sasi të caktuara gazi. Kjo dëshmon se mekanizmi apo parimi për të kontestuar të drejtën qoftë edhe të një anëtari të vetëm (siç ndodhi rasti Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut), duhet të zëvendësohet sa më shpejt me parimin e konsenzusit të shumicë absolute, apo të paktën të G7-shit. Së këndejmi, Evropa, nuk duket se po vuan nga imponimi i i saj i tepërt në sferën globale, por, po vuan më shumë nga unifikimi tepër i pakët i qëndrimeve midis anëtarëve të saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".