Gjyqtarët e inkriminuar futen në panik nga ligji Vetting, mobilizohen për ta sabotuar dhe kundërshtuar

Gjyqtarët e inkriminuar futen në panik nga ligji Vetting, mobilizohen për ta sabotuar dhe kundërshtuar

Hajrullah Tërnava

  • 22 July 2022 - 08:00

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Tani kur po pritet miratimi i ligjit të Vettingut dhe i jetësimit të tij në institucionet tona, e posaçërisht nëpër gjykata, dhe duke e ditur se shumë nga gjyqtarët i ka rrokë panik nga afrimi i kohës së miratimit të këtij ligji, e që do ti përfshij të gjithë ata gjyqtar që ishin të kriminalizuar, prandaj ata janë duke provuar për ti mobilizuar strukturat e sistemit të drejtësisë, të kontrolluara dhe ndikuara nga krimi i organizuar, që ta kundërshtojnë VETTING-un në drejtësi, akoma pa filluar për tu diskutuar dhe miratuar në Kuvend, por me vlerësim pozitiv dhe me marrjen e dritës së gjelbër nga ana e ekspertëve të Komisionit të Venecias.

-Unë mendoj se sado që ka përpjekje për sabotim dhe kundërshtim, assesi dhe askush nuk do të arrij për ta penguar dhe pamundësuar miratimin dhe zbatimin e ligjit Vetting, as rezistenca dhe kundërshtimi që po i bëhet nga KPK dhe KGJKK-ja. Së fundi, me deklarim kundër procesit Vetting ndaj gjyqtarëve të Kosovës është deklaruar dhe Kryetarja e Gjykatës Themelores në Prishtinë, gjykatë kjo e cila është më e ngarkuara dhe më numrin më të madh të lëndëve te të gjitha llojeve të veprave penale që presin me vite për tu zgjedhur duke pushuar në sirtarët e kësaj gjykate, gjithmonë nën ndikimin dhe kontrollin e ashpër të nëntokës kriminale të krimit të organizuar. Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se Vettingu i mundshëm për gjyqtarët do ta dëmtonte dhe do të mbingarkonte institucionin që drejton.

Ajo madje është shprehur në favor të një VETTINGU të pjesshëm vetëm për kryetarët e gjykatave, duke thënë se ajo pajtohet që t’i nënshtrohet këtij procesi si kryetare e Gjykatës Themelore por është kundër që në të njëjtin të kalojnë edhe gjyqtarët, duke përfshirë Gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe gjykatave të tjera. “Nuk jam pro Vettingut për shkak se konsideroj se do t’i bënte vetëm më shumë dëm, flas për gjykatën time, sepse Vettingu është një proces i cili merr kohë dhe konsideroj se do t’i bëhet vetëm dëm dhe do të shtojë më shumë grumbullim të lëndëve”, ka deklaruar Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama.

Gjithsesi se do të ishte trajtimi i pa drejtë dhe gjysmak e i pa efekt procesi Vetting nëse do të ndodhte një verifikim parcial, vetëm i kryetarëve të Gjykatave dhe të kryeprokurorëve, nëse në këtë proces verifikimi dhe testimi nuk futet i gjithë personeli i sistemit të drejtësisë me bazë të gjerë, kur dihet se për këto dy dekada kemi ndërtuar një sistem të pa reformuar, jo efikas dhe tërësisht të dështuar, gjithmonë të kritikuar dhe denoncuar nga OJQ-t vendore dhe nga ndërkombëtarët, për një sistem i cili ka bashkëjetuar me politikën dhe dështuar në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.

Duhet të gjendet metoda që ta shpejtonte jetësimin e ligjit Vetting, por që të gjithë të përfshihen me këtë ligj, sepse ligji duhet ti përfshij të gjithë ata gjykatës që edhe në të ardhmen do e vazhdojnë profesionin e tyre si gjykatës, dhe vetëm në këtë mënyrë kur të gjithë dalin para këtij ligji, do të zbatohet e drejta e barabartë për të gjithë gjykatësit që kanë punuar deri më tani në këto institucione të drejtësisë, në të kundërtën nëse vetëm në mënyrë parciale verifikohen gjykatësit në fjalë, gjithnjë do të mbetet i zbehtë jetësimi i këtij ligji.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".