E kanë tepruar, dy dekada me drejtësi të dështuar dhe korruptuar, është koha e fundit për ta pastruar dhe reformuar

Arsim Haziri

  • 30 July 2022 - 09:00

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Llogaridhënia dhe përgjegjësia në sistemin e drejtësisë në Kosovë duhet të instalohen pa vonesë, krahas reformave të premtuara dhe të filluara, sepse qytetarët e Kosovës kanë arritur në kulmin e zhgënjimit, pasi sytë dhe shpresat e tyre kanë qenë në drejtim të institucioneve të drejtësisë, por për dekada të shkuara janë mashtruar, janë zhgënjyer me punën e tyre nga vullneti i munguar i qeverisjeve të kaluar për ta funksionalizuar, pavarësuar dhe ndërgjegjësuar sistemin e drejtësisë, i cili sa ju takon privilegjeve të siguruara dhe pagave të majme, asnjëherë nuk ju kanë munguar.

-Gjyqësori i Kosovës, në të gjitha këto vite që po mbeten pas, ka dëshmuar se kur janë në pyetje njerëzit e fuqishëm e të korruptuar, që kanë ndikim politik dhe klanor në drejtësi, tani për tani as që vjen në konsideratë hetimi dhe gjykimi i tyre. Proceset ndaj tyre zvarriten pa mbarim deri në dështim-parashkrim. Kjo po ndodh për faktin se kupola drejtuese e institucioneve të drejtësisë akoma udhëhiqet nga njerëzit e dërguar pikërisht prej kastës së kaluar politike që për dekada e ka mbajtur pushtetin dhe kapur shtetin. Kjo gjendje mbizotëron akoma në shumicë, në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë, por më së keqi është gjendja në Prokurorinë Speciale që është kryesore kompetente me ligj për luftimin e të gjitha formave të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nuk ka nevojë aq shumë për të analizuar, nevojitet të jesh shumë pak i informuar për t’u njohur me situatën e rëndë në institucionet e drejtësisë në Kosovë, prokurori dhe gjykata, sepse raportet që po publikohen tregojnë se këto institucione zbatojnë një strategji të tillë ku merren vetëm me lëndët e rëndësisë minimale, ndërsa për mbulesë të rasteve të rëndësishme ata simbolikisht trajtojnë ca lëndë duke mos i kompletuar me prova të mjaftueshme, të cilat pastaj gjykata i hedh poshtë. Zakonisht rastet e krimeve të rënda, aferat e mëdha të korrupsionit i mbulon pluhuri në harrim deri sa vjen koha për parashkrim.

Siç dihet për mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së prokurorëve është përgjegjëse KPK , kurse për gjykatat KGJK-ja por as në njërin as tjetrin institucion nuk funksion në nivelin e duhur parimi i kërkimit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për mos punë dhe zvarritje të lëndëve. Të dyja këto institucione janë duke e luajtur rolin e kukullave dekorative që vendosen për reklamë në ambiente festive, pasi një pjesë e mirë e përbërjes së tyre janë individë të sjellë nga klasa politike e pushtetshme, si dhe nga grupe oligarkësh që kanë interesa të caktuara e të lidhura me pushtetmbajtësit.

Edhe përkundër vërejtjeve të vazhdueshme nga ana e Komisionit Evropian dhe të DASH-it, kjo gjendje po vazhdon prandaj Jo rastësisht edhe SHBA-të dhe BE-ja në mënyrë konsistente ua kanë tërhequr vërejtjen organeve të drejtësisë që të merren me rastet krimit e korrupsionit të profilit të lartë. Mirëpo ky veprim nuk ka ndodhur gjer më tani, dhe as nuk pritet të ndodhë me këtë sistem të drejtësisë të brishtë e të ngulfatur, pa u pastruar dhe ri kompozuar në muajt në vijim, me reformën e filluar nga Qeveria Kurti përmes procesit ligjor të verifikimit dhe adresimit të përgjegjësisë me VETTING. Në këtë proces tepër të rëndësishëm duket të kemi mbështetje edhe nga ana e SHBA-ve dhe BE-së sepse SHBA dhe BE me dekada kanë investuar shumë mund, dije e para duke ju ardhur në ndihmë institucioneve të drejtësisë, për ta reformuar dhe shkëputur nga lidhjet me interesat e politikës e të nëntokës së krimit të organizuar.

Llogaridhënia dhe përgjegjësia në sistemin e drejtësisë në Kosovë duhet të instalohen pa vonesë, krahas reformave të premtuara dhe të filluara, sepse qytetarët e Kosovës kanë arritur në kulmin e zhgënjimit, pasi sytë dhe shpresat e tyre kanë qenë në drejtim të institucioneve të drejtësisë, por për dekada të shkuara janë mashtruar, janë zhgënjyer me punën e tyre nga vullneti i munguar i qeverisjeve të kaluar për ta funksionalizuar, pavarësuar dhe ndërgjegjësuar sistemin e drejtësisë, i cili sa ju takon privilegjeve të siguruara dhe pagave të majme, asnjëherë nuk ju kanë munguar.

Qytetarët e Kosovës janë të interesuar me çdo çmim që kriminelët si dhe shkelësit e tjerë të ligjit të përballen me drejtësinë dhe të dënohen në mënyrë meritore. Vazhdimi i kësaj gjendjeje ku individë dhe grupe të caktuara janë mbi ligjin, është e pa tolerueshme sepse ngulfat mundësinë e zhvillimit ekonomik, ndikon në uljen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, pasuron shtresat sunduese të oligarkëve të korruptuar, varfëron qytetarin e rëndomtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".