Ligji i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme tmerron opozitarët

Ligji i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme tmerron opozitarët

Gani Qarri

  • 07 August 2022 - 09:04

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

 

Ish pushtetarët e pasuruar përmes korrupsionit, zhvatjes dhe krimit të organizuar, po frikësohen tmerrësisht, se së shpejti do të goditen në formë tërmeti, nga procesi i filluar i Vetting-ut dhe reformave në sistemin e drejtësisë me miratimin e ligjeve të reja, për kontrollin e pasurisë. Prandaj, pas miratimit në parim, në lexim të parë, opozita po kërkon rishkrimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore e cila është miratuar në një atmosferë të tensionuar duke u bojkotuar nga opozita në seancën e kaluar.

 

Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, partitë politike në opozitë, kanë kërkuar që ligji të kthehet mbrapa në Qeveri edhe njëherë  për ripunim nga fillimi veçanërisht Projektligji i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Madje, duke mos pasur ku të kapen, çuditërisht opozitarët po konsiderojnë se ky Projektligj nuk është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese dhe si i tillë duhet të ndryshojë rrënjësit për tu rikthyer rishtas  nga fillimi në procedurën parlamentare, gjë që është plotësisht e pajustifikueshme. Me veprime të pakuptimta si ky, po bëhet vetëm barrikadimi kundërshtues i opozitës kundër këtij ligji me qëllim të përfitimit në kohë, për ti shpëtuar nisjes së konfiskimit të pasurisë së fituar përmes abuzimit të thellë dhe zhytjes së tyre gjatë qeverisjes së korruptuar në korrupsion dhe krim të organizuar. Sikur që dihet të gjitha dobësitë dhe mangësitë e një ligji të miratuar në parim, deri në leximin e dytë dhe votimin përfundimtar në Kuvend, plotësohen dhe korrigjohen nga deputetët me ndihmën e ekspertëve ligjor, dhe nuk ka asnjë arsye të vetme që ligji ti kthehet edhe njëherë qeverisë me kërkesa banale, për ripunim nga fillimi. Këtë shpjegim për opozitarët e ka dhënë edhe vet kryetari i komisionit i cili vjen nga partia në pushtet, duke sqaruar për ta, se përderisa Projektligji ka kaluar në parim, është e rrugës që tani komisioni të formojë një grup punues për ta trajtuar në lexim të dytë këtë projektligj, pasi që pozita dhe opozita janë të të njëjtit mendim për sa i takon çështjes së rekomandimeve nga Komisioni i Venecias, që të gjitha rekomandimet e komisionit të adresohen në këtë projektligj pa asnjë kundërshtim.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".