Afera e lejeve ndërtimore në Brezovicë rrezikon të godet rëndë ish-pushtetarët e kaluar, të lidhur mish e thua me krimin e organizuar

Afera e lejeve ndërtimore në Brezovicë rrezikon të godet rëndë ish-pushtetarët e kaluar, të lidhur mish e thua me krimin e organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 19 August 2022 - 07:30

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Nëse kjo qeveri iu përmbahet premtimeve që ja ka dhënë elektoratit para zgjedhjeve, është e pritshme që epilogu i skandalit të madh Brezovica të jetë fatal për shumicën e kokave të politikës të cilët kanë përfituar atje kundër ligjshëm, nëse Prokuroria vepron e pa ndikuar dhe me guxim për ta zbardhur krejt këtë lidhje të jakave të bardha të zhytura na krim të organizuar.

-Institucionet ligjore që janë kompetente ta luftojnë krimin e organizuar si dhe krimet në përgjithësi, duhet në mënyrë permanente dhe pa ndërprerë ti luftojnë ato krime të kryera pasluftës, kryesisht të kryera nga ata që e udhëhoqën shtetin e pasluftës e që e patën qëllimin e pasurimit të tyre, e që ia arritën atij qëllimi, sikur që po vërehet me këtë se si kanë krijua pasuri të mëdha në të gjitha pjesët e territoreve të Kosovës, e sidomos në ato treva ku janë vende turistike sikur që është Brezovica.

Në bazë të shpjegimeve që ato pasuri të patundshme janë verifikuar, qartë shihen se janë ata të fortit e shtetit, që i kanë krijua gjithë ato pasuri të patundshme, prandaj këta që e udhëhoqën shtetin deri më tani, duhet të thirren në procese të hetimeve dhe ti shpjegojnë ato mundësi të krijimit të atyre pasurive aq të larta, që për shumë kënd janë për tu lakmuar. Kur kihet kjo parasysh edhe aksioni i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, është model i cili duhet të ju shërben në luftën kundër krimit të gjitha prokurorive të tjera, në nivel vendi, jo vetëm Themelores por në veçanti dhe para së gjithash Prokurorisë Speciale, e krijuar dhe e mandatuar me detyra specifike të hetimit të kokave kryesore të politikes, për përfshirjen eventuale në krimin e organizuar. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se edhe në këtë javë po e vazhdon aksionin në zonën e Brezovicës, në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës, një zonë kjo e urbanizuar dhe shkatërruar nga bosët e skenës politike që janë mësuar të sillen mbi ligjin dhe mbi shtetin, duke e abuzuar pushtetin ose lidhjet me pushtetin, kur bëhet fjalë për individ të fuqishëm, oligarkë jashtë institucional port ë afërt me politikën.

Qëllimi i këtij operacioni është vazhdimi i identifikimit të ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin. Ky aksion i sotëm është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës që kryesisht ka shpërthyer si skandal i cili pritet të afekton dhe godet shumë figura të rëndësishme nga jeta publike dhe politike në Kosovë. Ndryshe aterrimi i parë I Prokurorisë në rajonin e komunës së Shtërpcës, për ta hetuar mega skandalin Brezovica ka filluar më 21 dhjetor të vitit 2021 dhe nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona. Aksioni i dytë ka vijuar më 6 janar të këtij viti. Në aksionin e 6 janarit patën rezultuar të arrestuar 7 persona, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Një aksion tjetër ishte zhvilluar më tre marsit, ku u arrestuan shtatë persona. Kjo, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Ndryshe, aksioni i radhës i këtij rasti ishte zhvilluar më 16 mars të këtij viti, ku nga bastisja e shtatë lokacioneve të ndryshme në komunën e Shtërpcës ishin arrestuar edhe dy persona tjerë. Të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit. Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në aksionin lidhur me rastin, deri më tani kanë arrestuar 30 persona, duke përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç. Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliç, ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë. Përveç Nikoliç, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore. Në media është raportuar se disa nga politikanët dhe ish-udhëheqësit shtetërorë të Kosovës kanë toka dhe shtëpi banimi në Brezovicë.

Sipas informatave ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka në pronësi një vilë në Brezovicë. Ish-presidenti Thaçi në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020-n ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë bujqësore dhe dy shtëpi. Thaçi nuk është ish-presidenti i vetëm që ka pasuri të pa luajtshme në Brezovicë.

Edhe paraardhësja e tij, presidentja Atifete Jahjaga, ka në posedim një vilë në Brezovicë. Më 2015, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ajo nuk ka deklaruar pronësi mbi pronë në Brezovicë. Informatat tregojnë se edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri posedojnë vila në Parkun Kombëtar të “Sharrit”. Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë ka treguar se ka në pronësi të përbashkët një shtëpi malore, por pa specifikuar lokacionin. Gjithashtu, ai ka deklaruar se ka edhe në pronësi të përbashkët edhe një shtëpi banimi dhe lokale afariste. Ndërkohë, që Memli Krasniqi ka të deklaruar vetëm një shtëpi dhe apartament. Vilë në Brezovicë, sipas informatave të mediumit, ka edhe Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndryshe nga kolegët e tij, ka në pronësi të tij një parcelë tokë në Brezovicë. Haradinaj, në AKK ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë kodrinore që kap vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove. Krahas tyre, vila në Brezovicë kanë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Çollaku, në deklarimin e fundit të bërë në AKK ka treguar se ka në pronësi të përbashkët parcelë prej 700 metrave katrorë dhe shtëpiza në atë kohë në ndërtim e sipër. Kurse, Limaj ka të deklaruar vetëm një truall, pronësi të përbashkët familjare. Vila në Brezovicë posedojnë edhe Enver Hoxhaj, ish-krye diplomati i Kosovës dhe Arsim Bajrami, ish-ministër i Arsimit në Qeverinë Thaçi. Shtëpi në fshatin turistik të Brezovicës posedon edhe prokurorja e shtetit, Laura Pula. Një hotel në bashkë-pronësi, në Parkun Kombëtar të “Sharrit” e ka ndërtuar edhe Veton Surroi. Publicisti është aksionar në kompaninë “Stella Consulting”, e cila dyshohet se fitoi jashtëligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e objektit afarist në Brezovicë.

Nëse kjo qeveri iu përmbahet premtimeve që ja ka dhënë elektoratit para zgjedhjeve, është e pritshme që epilogu i skandalit të madh Brezovica të jetë fatal për shumicën e kokave të politikës të cilët kanë përfituar atje kundër ligjshëm, nëse Prokuroria vepron e pa ndikuar dhe me guxim për ta zbardhur krejt këtë lidhje të jakave të bardha të zhytura na krim të organizuar.

Me veprimet e luftimit te krimeve ne përgjithësi nga kjo qeveri ne pushtet, qytetarëve do t’iu kthehet besimi ne institucionet e luftimit te krimit dhe besimi në këtë qeveri, me këto veprime ligjore qytetarit do ti kthehet besimi që të jetojnë në shtetin e tyre e sidomos kur të zbardhen shumë krime të deritashme, dhe kur qeveria me veprimet e saja duke sjellë investime të ndryshme nga investitor të ndryshëm ndërkombëtar për hapje të vendeve të reja të punës, për të rinjtë e shtetit tonë, dhe ajo shpresë e humbur do të filloj të ngjallet edhe te të rinjtë e vendit, dhe popullatës do ti kthehet ajo shprese e humbur e deritashme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".