Konstatohet me fakte gjendje e rëndë në gjyqësorin e Kosovës të sunduar nga krimi i organizuar, 70 % e lëndëve të korrupsionit në sirtarët e gjykatave duke pushuar!

Konstatohet me fakte gjendje e rëndë në gjyqësorin e Kosovës të  sunduar nga krimi i organizuar, 70 % e lëndëve të korrupsionit në sirtarët e gjykatave duke pushuar!

Gani Qarri

  • 30 August 2022 - 00:39

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
 
Madje edhe sipas analizës më të re të monitorimit të sistemit të drejtësisë nga organizata  “Çohu”, serish del që, hiq më pak se 70 përqind e lëndëve të korrupsionit nuk janë zgjedhur në vitin 2021, dhe të njëjtat lëndë po barten e po zvarriten edhe në  vitin 2022, siç dëshmohet në një hulumtim serioz të organizatës “Çohu”, fakt ky i publikuar pas një hulumtimi të detajuar të trajtimit të këtyre lëndëve që ishin në punë gjatë vitit të kaluar!

 
Prandaj edhe pas 23 vitesh të çlirimit nga Serbia, nuk dihet më se edhe çfarë faktesh e dëshmish tjera duhet të mblidhen dhe dalin në sipërfaqe, për të kërkuar përgjegjësi kolektive e personale në drejtësinë e dështuar të Kosovës. Për aq më tepër, publikimi i raportit të fundit, katërçipërisht ka zbuluar se institucionet e drejtësisë kanë dështuar tërësisht në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Dhe përveç mos-hetimit parimor të personave të akuzuar dhe atyre me dyshime për pretendencë kriminale, prokuroria dhe gjykatat në mbarë Kosovën, në vend se të mbrojnë shtetin dhe qytetarët nga të inkriminuarit, ato ende vazhdojnë t`ua bëjnë avokatinë dhe ti mbrojnë nga ligji të korruptuarit e të inkriminuarit dhe veçanërisht, zyrtarët e kriminalizuar me pozita të larta. Gjatë vitit 2021 edhe pse në gjykatat e Kosovës raportohet se kanë qenë vetëm 383 lëndë në punë për veprat penale kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, organizata “Çohu”, raporton se  në fund të vitit, mbi 70% e lëndëve kundër korrupsionit dhe detyrës zyrtare mbetën të pazgjidhura, derisa  nga 108 raste të zgjidhura, vetëm pak më shumë se gjysma e tyre kanë përfunduar me shqiptim të dënimit.

 Të gjitha këto të dhëna dhe Argumente të vërtetuara, flasin më tepër se mjaftueshëm se drejtësia e korruptuar në Kosovë, po i shmanget qëllimshëm zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të të akuzuarve, duke vazhduar ti amnistojë fajtorët, e aq më tepër duke ua bërë  edhe avokatinë e dyfishtë dhe vënë edhe vet, në mbrojtje të krimit! Prandaj gjendje e raportuar së fundi, vërtetë është një alarm shumë serioz për legjislaturën aktuale dhe Kuvendin e Kosovës , si institucion i dalë nga vota e popullit, për ta marr situatën në dorë dhe vepruar pa vonesë, madje me nxitim, në kërkim të përgjegjësisë nga secili  kryeprokuror e  kryegjyqtar, për çdo dështim që ndërlidhet me veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar,për të nisur sa nuk është bërë shumë vonë, një proces vërtetë gjithëpërfshirës të pastrimit të drejtësisë me PARAVETING!

Dhe kjo duhet të fillojë urgjentisht, duke i hetuar deri në detaje të gjitha rastet, se pse kanë dështuar dhe kërkuar presidencës, që sipas kompetencës së ligjore e kushtetuese, ti shkarkojë me procedura të rregullta por me zëvendësime të shpejta dhe pa krijuar zbrazësi funksionale,të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e inkriminuar, pasi që Kosova, fatmirësisht nuk është e varur prej tyre, por ka mjaftueshëm kuadro të reja e të guximshëm që janë të gatshëm për zbatimin e ligjshmërisë dhe presin me padurim të ballafaqohen me keqbërësit e akuzuar për vepra të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë!
 
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".