Dhunimi i 11 vjeçares është dështim i pa falshëm i tërë shoqërisë në Kosovë!

Dhunimi i 11 vjeçares është dështim i pa falshëm i tërë shoqërisë në Kosovë!
Dhunimi i 11 vjeçares është dështim i pa falshëm i tërë shoqërisë në Kosovë!

Muhamet Kelmendi

  • 01 September 2022 - 07:40

Shkruan: ANALISTI- Muhamet Kelmendi

Çështja e mbrojtjes së të miturve, fëmijëve, si dhe të gjinisë femërore, në shoqërinë kosovare nuk është në nivel të duhur të mbrojtjes.

Rasti që ndodhi me të miturën 11 vjeçare, duke e dhunuar, është shumë i rëndë dhe tregon se në Kosovë nuk kemi mbrojtje dhe edukim adekuat të masave. Dorëheqja e Drejtorit të Policisë nuk e përmirëson gjendjen. Megjithatë, ajo dorëheqje tregon se kjo shtresë shoqërore është në gjendje të rëndë dhe se vetë në polici ka çalime në këtë fushë.

Mbrojtja e fëmijëve dhe të grave nuk është detyrë vetëm e policisë. Ajo është detyrë e të gjitha mekanizmave të shtetit. Nga ministritë, deputetët, komunat, policia, shkollat, gjykatat, prokuroritë institucionet edukuese e riedukuese e kanë obligim. Mjafton një dështim në një hallkë dhe ndodhin rastet makabre të dhunimit edhe të të miturës 11 vjeçare. Kryesisht bëhet shumë pak punë sqaruese me masat dhe me kategoritë e ndryshme të shoqërisë. Shumë here lihen anash dhe nuk kanë mbrojtje adekuate në shkollë, në rrugë, në qendrat sportive dhe të rinisë. Ka raste kur ka prova dhe nuk vepron drejtësia ndaj elementeve të rrezikshëm. Ata lihen të lirë. Prokuroria nuk i ndjek dhe gjykatat nuk i dënojnë. Nuk dënohen ose nuk vihen nën përkujdesje të veçantë shoqërore. Natyrisht se përgjegjës është edhe familja. Si institucion kryesor në shoqëri, familja i njeh familjarët e vetë dhe e din karakterin e të miturve, madje edhe të të rriturve. Po kështu ka dështuar shkolla dhe institucionet kompetente në fushën e edukimit të të rinjve e të rejave në Kosovë.

Është gjë normale se ky rast i rëndë e ngarkon edhe qeverinë. Shumë dikastere të qeverisë kanë dështuar. Ka dështuar policia, gjykatat, organet sociale dhe të edukimit, shkollat, familja dhe mbarë mekanizmat e shtetit. Është koha të shqyrtohen këto çështje dhe te merren masa adekuate. Ndërsa, gjykatat kërkohet të veprojnë me masa ndëshkuese si mjete preventive kundër krimit në shoqëri. Nëse masat juridike nuk janë adekuate dhe kalojnë me ndonjë vërejtje a masë lehtësuese, atëherë kjo ndikon në forcimin e krimit dhe shoqëria dështon në mbrojtje të të miturve, të miturave dhe të grave, madje edhe më gjerë. Kjo është e dënueshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".