Koha nuk pret për fuqizimin e shpejtë të sundimit të ligjit, të inkriminuarit në drejtësi të goditen me shkopin e VETTING-ut

Koha nuk pret për fuqizimin e shpejtë të sundimit të ligjit, të inkriminuarit në drejtësi të goditen me shkopin e VETTING-ut

Gani Qarri

  • 03 September 2022 - 15:54

Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri

Mos ndëshkueshmëria e vazhdueshme e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që edhe sipas gjetjeve të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH),tash e mbi dy dekada vijon ta përcjellë Kosovën, jo vetëm që është kthyer në traditë shumëvjeçare, por ka krijuar edhe një mal me argumente rënduese, për vlerësimin tepër negativ të “drejtësisë” së kalbur të Kosovës edhe nga Departamenti i SHBA-ve.

-Në raportin e "DASH", thuhet troç dhe qartë, se Kosova nuk ka bërë sa duhet, luftë efektive, as nuk ka treguar vullnet të nevojshëm dhe guxim të mjaftueshëm për veprim të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Prandaj kërkesa për dekriminalizim, është paralajmërimi më serioz i SHBA-ve edhe për Kosovën, njëjtë sikurse për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat kërkohet fuqizimi i luftimit të krimit dhe korrupsionit, pasi që vlerësohet me të drejtë, se vet trendi i zbrazjes së këtyre shteteve nga të rinjtë, vije si pasojë e instalimit të qeverive të korruptuara dhe të inkriminuara në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për aq më tepër, të paktën sa i takon Republikës së Kosovës, zhvillimet më të reja, dëshmojnë hapur, se edhe reformat e filluara në drejtësi dhe Vetting-u, që aktualisht ndodhet në proces, as që kanë filluar të ndikojnë fare, në hallka të caktuara të sistemit të kalbur të drejtësisë, gjë që duhet të jetë tepër alarmante për ministren Haxhiu, Ministrinë e Drejtësisë dhe vet Qeverinë e Kosovës. Gjendja aspak e kënaqshme në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, ka detyruar edhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar, të deklaroi publikisht, se korrupsioni në shtetet e Ballkanit Perëndimor është faktori kyç pse qytetarët e tyre, në vijimësi po braktisin vendin e vet.

E në mesin e vendeve, ndër më të rrezikuarat, nga ky fenomen, është Kosova, madje rreziku në fjalë do të shtohet edhe më tepër, që nga momenti i liberalizimit të vizave, një barrierë që pritet ti hiqet Kosovës nga fundi i këtij viti. Pra, ky është argument shumë i fuqishëm i të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, të cilin e ka përmendur forcërisht gjatë fjalimit të tij edhe në Forumin Strategjik të Bledit me temën: BE dhe Ballkani Perëndimor. Për rrjedhojë të gjithë kësaj, duket plotësisht qartë, se është shumë e domosdoshme që vetë Ministria e Drejtësisë të nxjerr ligjin e perfomancës për secilin prokuror dhe gjyqtarë, të cilët duhet të vlerësohen, apo edhe ndëshkohen sipas efikasitetit të treguar në punë dhe ata që tregohen të suksesshëm në profesion të shpërblehen e avancohen, kurse të pa efektshmit dhe penguesit e drejtësisë, të largohen urgjentisht nga puna, për tu zëvendësuar me profesionist të ri, që kanë elan për punë efektive dhe tregojnë vullnet, për vendosjen dhe forcimin e rendit e të ligjit, kudo që e kërkon nevoja, për të çrrënjosur përfundimisht korrupsionin dhe nëntokën e krimit të organizuar në vend.

Përndryshe, nëse heshtet si deri më tani, do të jetë sfidë shumë serioze për Qeverinë Kurti që ta adresojë shqetësimin e miqve ndërkombëtar, ani pse dihet publikisht, se ngecja në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është pengesa kryesore, për zhvillimin e vendit dhe avancimin e shtetit të Kosovës në proceset e integrimit në BE, proces që pas invadimit ushtarak rus në Ukrainë, është duke synuar ta marrë një rrugëtim më të përshpejtuar, edhe për shkak të frikës së zgjerimit të ndikimit rus në rajon dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor ku bënë pjesë edhe Kosova.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".