Plot 5 javë sabotim të shkollave nga skenari i sindikatave të kontrolluara nga politika e zhytur në krim

Plot 5 javë sabotim të shkollave nga skenari i sindikatave të kontrolluara nga politika e zhytur në krim

Gani Qarri

  • 28 September 2022 - 07:36

Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri

Bojkotimi kaq i gjatë i mësimit, mbyllja maratonike e shkollave dhe pengimi i qëllimshëm i fillimit të vitit të ri shkollor 2022-2023, për më tepër se 300 mijë nxënës të Republikës së Kosovës, nga drejtorët politik të shkollave, të vendosur me mandat të përjetshëm nga AAK, PDK dhe LDK, është sabotimi më i madh dhe më flagrant që ka mundur ti bëhej ndonjëherë, në gjendje paqeje njërës prej shtyllave kryesore të vendit, si arsimit, nxënësve e qytetarëve dhe vet shtetit të Kosovës!

Kjo dëshmon edhe njëherë më tepër, se greva në arsim, po keqpërdoret në mënyrën më primitive nga drejtorët politik të shkollave dhe sindikalistët e instrumentalizuar prej ish pushtetarëve e inkriminuar nga mandatet e kaluara, për ti traumatizuar si në kohë okupimi, fëmijët tanë, që nga mosha më minore, si në vitet e pushtimit serb të Kosovës, trazuar sa më shumë shtetin dhe prodhuar krizë që e rrezikon stabilitetin në vend, me shpresën për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe grabitjen e pushtetit, për faljen e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste dhe shuarjen e shtetit të Kosovës në momentet përfundimtare të dialogut.

Sabotim i hapur i orkestruar paraprakisht nga politika e inkriminuar dhe të ashtuquajturit drejtor e mësimdhënës që kurrë nuk kanë pranuar të sprovohen, qoftë edhe njëherë të vetme, në riprovime, të cilët nivelin më tepër se mjerues të padijes së tyre legjendare, e tregojnë me nxjerrjen e gjeneratave më të dobëta, në historinë e Kosovës, qysh nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e këndej, me rreth gjysmën e nxënësve gjysmanalfabet, gjë që pasqyrohet, jo njëherë, por çdo herë e më keq edhe me të dhënat katastrofale të testeve që organizon PISA! Vet ultimatumet e çoroditura të opozitës së inkriminuar drejtuar njëri pas tjetrit Qeverisë Kurti, dëshmojnë lakuriq skenarin më pervers të involvimit të tyre, të drejtpërdrejtë në orkestrimin e grevës, ku së fundi edhe kryeministri i katapultuar nga Kadri Veseli në këtë pozitë për shitjen e Kullës e të Çakorrit, Ramush Haradinaj ka kërkuar, në mënyrën më të "sertë" të mundshme, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të bëjë zgjidhje ne lidhje me grevën në arsim, në të kundërtën të jap dorëheqje.

Por ajo që habit pa masë qytetarët dhe mbarë opinionin vendor e ndërkombëtar, është mania e këtyre njerëzve, përderisa është dëshmuar katërçipërisht, se nuk i do më askush, në pushtet, se kënd duan ta sjellin ata në krye të Qeverisë, kur në zgjedhje vendos vota e lirë e qytetarëve dhe jo pallavrat e politikanëve të kriminalizuar, që gjatë gjithë kohës, në pushtet dhe politik, kanë qëndruar duke shitur tokat e Kosovës. Madje nuk ka edhe një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat, me dirigjim të opozitës, të mbahen të mbyllura një muaj e më tej dhe përkundër kësaj, komplet opozita e inkriminuar e rrëzuar, në theqafje, me votën demokratike të qytetarëve, detyron sindikatat ti vazhdojnë grevat. Kryeministri nuk e ka krijuar as kërkuar këtë situatë, prandaj, zgjidhjen për grevën mund ta ofrojnë vetëm ata të cilët edhe e kanë orkestruar dhe inskenuar mbylljen e shkollave dhe bojkotimin e mësimit, për mbi 300 mijë nxënës të Republikës së Kosovës, me drejtorët politik dhe kryetarin e përjetshëm të Sindikatës Rrahman Jasharin. Prandaj ata që duhet të gjejnë zgjidhje, jeni ju, opozita e inkriminuar, nuk është kryeministri dhe askush tjetër dhe këta prindër e qytetar të Kosovës, duhet t`ua mbajnë mend mirë, këto dallavere në mënyrë që, në zgjedhjet e radhës, të mos e kaloni më as pragun zgjedhor, dhe të pensionoheni njëherë e përgjithmonë.

Edhe pse tanimë kemi hyrë në Javën e pestë të grevës, çuditërisht e ashtuquajtura "Sindikatë e Bashkuara e Arsimit" nën presionin e partive të inkriminuara deklaroi përsëri se edhe të hënën, pra në fillim të javës së fundit të shtatorit, pa marrë parasysh fatin e 300 mijë nxënësve, as që e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicionet e tyre barrikaduese, për aq më tepër flitet se është duke u punuar që nga 1 tetori, në grevë të futet edhe niveli universitar, për ta përshkallëzuar edhe më shumë krizën.

Prandaj gjithë ky inskenim politik, na bënë të kuptojmë se, edhe në të kaluarën nuk ka ndodhur asgjë rastësisht, duke filluar që nga vrasjet politike deri te nënshkrimi i marrëveshjeve për krijimin e “zajednicës” kundër kushtetuese serbe, miratimin e saj me shumicë absolute të deputetëve në Kuvend, kërkesa publike për ndarjen e Kosovës si dhe pagesat e firmave të huaja, në Qeverinë e PAN-it, për promovimin e ndarjes së vendit edhe në botë, shuarja e Institutit për hetimin e krimeve serbe dhe kërkesa për faljen e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë!

Pasardhësit e të cilëve, me situatën e krijuar aktuale, mu në kohën kur edhe Serbia ka shtuar kërcënimet e hapura për luftë dhe invadim ushtarak në Kosovë, po e shtyjnë qëllimisht agjendën e Serbisë përpara dhe fusin vendin në një krizë edhe më të thellë, ku përveç mbylljes së shkollave tash e një muaj më parë, po bëhen përpjekje maksimale edhe për nxitjen e trazirave sociale, pasi që qëllimi i vërtetë i personave të dyshimtë që qëndrojnë prapa këtyre orkestrimeve klandestine, duket të jetë falja e veriut të vendit tonë Serbisë fashiste dhe shuarja përfundimtare e shtetësisë së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".