Kokat kryesore politike në Brezovicë, kapen të bashkuar në flagrancë në krimin e organizuar

Kokat kryesore politike në Brezovicë, kapen të bashkuar në flagrancë në krimin e organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 17 October 2022 - 07:51

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Qeveria në pushtet tani po e tregon veten në realizimin e atyre premtimeve të dhëna elektoratit se do ta luftoj krimin në përgjithësi, dhe pavarësisht se kush janë pjesëmarrës në ato krime, këto dite u konfiskuan shumë vila në Brezovicë si veprime të krimit të organizuar që i kanë krye të „fortit e shtetit“ e që është shembull se të gjithë ata që kanë krye krime të ngjashme pavarësisht pozitave të tyre që i kanë pasur në hierarkitë shtetërore, të gjithë do të përgjigjen për veprat e tyre kriminale, prandaj me eto veprime po zbulohen shumë krime. Edhe në të ardhmen do të duhet të vazhdohet me luftim të ngjashëm për vepra tjera kriminale.

-Kulmi skandalit me ndërtime të kundërligjshme, me krim e korrupsion në Parkun Nacional Brezovica me vilat e konfiskuara, është momenti kritik i shembjes së kupolës kriminale institucionale të krimit të organizuar të lidhur për plotë dy dekada me figurat qendrore të liderëve të politikës. Aksionet e fundit në Brezovicë kanë vënë nën pranga mbi 30 persona figura me peshë politike, biznesmenë, por edhe zyrtarë institucionalë që mbanin pozita të rëndësishme në institucionet e Kosovës.

Shumica e të arrestuarve dyshohen për veprat penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje, si dhe dhënie ryshfeti. Në vendin e dyshuar të krimit, të cilin e ka goditur Prokuroria e Shtetit, nuk janë të vetmit ata persona të përfshirë në veprime të dyshuara në Parkun Kombëtar të “Sharrit”, sepse zinxhiri i lidhjes së abuzimit kriminal me ligjin mundë të zgjerohet me disa nga politikanët dhe ish-udhëheqësit shtetërorë të Kosovës që kanë toka dhe shtëpi banimi në Brezovicë.

Sipas informatave të raportuara në media, në Brezovicë ka pronësi edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka një vilë në Brezovicë. Ish-presidenti Thaçi kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020-n se ka në pronësi të përbashkët ka një tokë bujqësore dhe dy shtëpi. Thaçi nuk është ish-presidenti i vetëm që ka pasuri të pa luajtshme në Brezovicë. Edhe paraardhësja e tij, presidentja Atifete Jahjaga, është raportuar se ka në posedim një vilë në Brezovicë.

Më 2015, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ajo nuk ka deklaruar pronësi mbi pronë në Brezovicë. Për posedim prone- Villë në Brezovicë janë apostrofuar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Po ashtu vilë, në Brezovicë ka edhe familja e Abelard Tahirit, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së. Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë ka treguar se ka në pronësi të përbashkët familjare një shtëpi malore, por pa specifikuar lokacionin. Gjithashtu, ai ka deklaruar se ka edhe në pronësi të përbashkët edhe një shtëpi banimi dhe lokale afariste. Ndërkohë, që Memli Krasniqi ka të vetëm një shtëpi dhe apartament. Një vilë në Brezovicë, sipas informatave të medieve ka edhe Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës.

Nga ky aksion në vazhdim prokurorisë mundë të goditet edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të cilin është raportuar se ndryshe nga kolegët e tij, ka në pronësi të tij një parcelë toke në Brezovicë. Haradinaj, në AKK ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë kodrinore që kap vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove. Krahas tyre, vila në Brezovicë sipas burimeve të medieve kanë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Çollaku, në deklarimin e të bërë në AKK ka treguar se ka në pronësi të përbashkët parcelë prej 700 metrave katrorë dhe shtëpiza që në atë kohë ka qenë në ndërtim e sipër. Kurse, për dallim nga Çollaku, Limaj ka të deklaruar vetëm një truall, në pronësi të përbashkët familjare.

Vila në Brezovicë është raportuar se posedojnë edhe Enver Hoxhaj, ish-krye diplomati i Kosovës dhe Arsim Bajrami, ish-ministër i Arsimit në Qeverinë Thaçi. Madje shtëpi në fshatin turistik të Brezovicës është raportuar se posedon edhe prokurorja e shtetit, Laura Pula. Përndryshe një hotel në bashkë-pronësi, në Parkun Kombëtar të “Sharrit” e ka ndërtuar edhe Veton Surroi. Publicisti është aksionar në kompaninë “Stella Consulting”, e cila dyshohet se fitoi jashtëligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e objektit afarist në Brezovicë.

Prokuroria Themelore e Ferizajt në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Rënda në Prishtinë, kanë vazhduar edhe ditën e dytë me aksionin për sekuestrim të objekteve të ndërtuara në Brezovicë në Zonën e II-të të Parkut Kombëtar “Sharri”. Madje, për të ndjekur nga afër mbarëvajtjen e aksionit i pranishëm ka qenë edhe vetë prokurori Rasim Maloku i cili po e ndjek këtë rast ndër më të mëdhenjtë deri më tani. Ai para medieve bëri të ditur se sot pritet të sekuestrohen rreth 30 vikend-shtëpiza.

Vetëm gjatë ditës së parë të aksionit për sekuestrim është raportuar se Prokuroria Themelore në Ferizaj, me Drejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencinë Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, pas inspektimit të jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, kanë vërtetuar se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale.

Çdo luftim i krimit ne përgjithësi nga cila do qeveri, është ne përputhshmëri me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, dhe nje luftim i tille ndaj krimit është ne përkrahje te popullit, pavarësisht se kush i ka krye ato vepra kriminale, e sidomos qe ne këto vepra kriminale kane marre pjese si po shihet tani te „fortit e shtetit“ dhe këto veprime janë krim i organizuar, sepse këto krime i kane krye ata te cilët kane mujt me i krye sikur qe behet fjale për te fortit e shtetit, prandaj institucionet e Kosovës duhen te jene te pa mëshirshëm ndaj luftimit te këtyre veprimeve kriminale, pavarësisht se kush është i inkriminuar ne këto veprime, dhe nga këto veprime te konfiskimeve te këtyre vilave dhe përndjekjeve ligjore, t’iu shërbej edhe të tjerëve si mësim se askush nuk është imun para ligjit pavarësisht se kush i ka krye ato vepra.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".