Strukturat e lidhjeve të krimit në drejtësi riorganizohen nën hijen e pritjes për miratim të Vetting-ut

Strukturat e lidhjeve të krimit në drejtësi riorganizohen nën hijen e pritjes për miratim të Vetting-ut

Gani Qarri

  • 18 October 2022 - 08:56

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

Mjerisht grupet mafioze të interesit dhe ato të krimit të organizuar edhe në institucionet e drejtësisë së Kosovës, janë duke bërë namin muajt e fundit, në mënyrë që, para miratimit të ligjit Vetting, të kapin institucionet më të larta ligjore të shtetit dhe vendosin sa më fuqishëm në pozitat kyçe njerëzit e vetë që do ti mbrojnë e mbulojnë skandalet dhe abuzimet e tyre me ligjin përgjatë kohës sa ata vet, i`a kanë bërë avokatinë korrupsionit galopant dhe nëntokës së krimit të organizuar në Kosovë!

- Për aq më tepër nga raportimet më të reja dhe informatat zyrtare të publikuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), del se edhe sot, kemi punësime me lidhje shumë të gjerë të familjarizimit dhe të nepotizmit eklatant, pikërisht në këto institucione kaq të larta të Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit të datës 11 tetor, KPK, ka publikuar njoftimin për përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve për pozitën e Zyrtarit Ligjor në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pozitë në të cilën janë pranuar tetë persona, por ajo që vret fort, është fakti, se edhe këtë herë në këtë konkurs janë shpërfaqur lidhje të thella nepotiste dhe familjare.

Në mesin e tetë personave të pranuar, raportohet se është edhe kandidatja Bleona Qalaj, përndryshe vajza e Agron Qalajt që është prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit, ndërsa si zyrtare ligjore është pranuar edhe Egzona Mehmeti, e cila mësohet se ka lidhje familjare me Lindita Mehmetin, administratore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, e siç kanë raportuar mediet kandidatja Egzona Mehmeti është edhe nusja e vëllait të Lindita Mehmetit, i cili tash e 4-tër vite punon në të njëjtin dikaster. Pra për tu trashur edhe më tepër familjarizimi i këtij institucioni të lartë shtetëror, bëhet e ditur se Lindita Mehmeti në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka të punësuar edhe vëllamin e saj, Alban Mehmeti, gjë që është konfirmuar edhe nga vetë Lindita, administratore në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndaj ajo që habit me këtë rast, është fakti se përkundër nepotizmit eklatant dhe të gjitha dallavereve galopante familjare e ndër familjare Lindita Mehmeti, pretendon ta mohoj formalisht, të ketë pasur ndikim në pranimin e kunatës së saj në pozitën e zyrtares ligjore në të njëjtin dikaster, madje jo çfarëdo enti por direkt e në vet zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Lindita Mehmeti, nuk ngurron fare të pohojë publikisht se Egzonën e ka, jo thjeshtë vetëm familjare, por edhe kunatë dhe bashkëshorte të vëllait të saj i cili punon në PSRK për më shumë se 4 vite, duke pretenduar megjithatë, se kinse ajo vet, nuk ka pasur kontakt me komisionin përzgjedhës apo dikë tjetër, për punësimin e kunatës në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kandidatët tjerë që raportohet të jenë punësuar me të njëjtin konkurs janë edhe Besnik Barku, Njomzë Halilaj, Dafina Arifi, Arbër Nikolla, Donika Kllokoqi dhe Jeta Ademaj.

Prandaj krejt kjo "gjurulldi" tmerruese e punësimeve familjare dhe nepotiste, deri në institucionet më të larta ligjore e prokuroriale si vet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e bënë jo vetëm të nevojshëm, por edhe të detyrueshëm intervenimin urgjent e të drejtpërdrejt të Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në rastet si këto, kur lidhjet familjare të punësimet keqpërdoren në mënyrë të hapur dhe publike, pa asnjë ndrojtje nga ligji.

Vetëm intervenimi i Ministrisë së Drejtësisë, do të mund të rivendoste rend e rregull dhe parandalonte përsëritjen e rasteve të tilla të kundërligjshme të nepotizmit në këtë ent kaq të lart shtetëror, duke kërkuar jo vetëm korrigjimin e thjeshtë por dhe anulimin komplet, të listë së të përzgjedhurve, me përsëritje të konkursit, për të mos lejuar, në asnjë mënyrë, fuqizimin e lidhjeve familjare dhe nepotiste të cilat rrjetëzohen dhe koordinohen, gjithnjë e më fuqishëm, për forcimin dhe çuarjen përpara edhe më tej, të interesave të njerëzve dhe grupeve të caktuara mafioze, sipas direktivave të krimit të organizuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".