Kosova shtet lider i mundësisë së pa penguar për shpëlarjen e parave të pista të krimit të organizuar, nga 300 të dyshuar vetëm një person i dënuar

Kosova shtet lider i mundësisë së pa penguar për shpëlarjen e parave të pista të krimit të organizuar, nga 300 të dyshuar vetëm një person i dënuar

Gani Qarri

  • 09 November 2022 - 13:00

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht Kosova përveç problemeve të pafundme politike, është, bërë edhe një nga vendet model dhe liderë e biznesit të pistë të shpëlarjes së parave, një fenomen i cili po krijon milioner brenda natës, kurse institucionet e drejtësisë së kalbur vendore, përveçse janë krejtësisht të paralizuara, duket hapur se janë edhe krejtësisht të pa interesuara që ta hetojnë dhe luftojnë këtë formë të krimit të organizuar që në vijimësi, po vazhdon të jetë e pranishme në vendin tonë.

Në dosjet e këtyre veprave penale të hetuara nga Prokuroria Speciale, figurojnë 300 të dyshuar por çuditërisht vetëm një i akuzuar nga të gjithë ata, është dënuar për shpëlarje parash. Madje kryesit e kësaj dukurie kriminale vazhdojnë të jenë një hap përpara vet hetuesisë dhe organeve të ndjekjes, pasi që ato po dëshmojnë në vepër, se në vend të gatishmërisë, për ta ndjekur e parandaluar, janë vendosur edhe vet këmbë e krye në mbrojtje të të inkriminuarve dhe shndërruar në avokat të krimit të organizuar.

Për aq më tepër kjo dukuri vazhdon të jetë më tepër brengë e madhe e qytetarëve, kurse institucionet e drejtësisë vetëm vazhdojnë të improvizojnë kinse po mundohen ta ‘luftojnë’ shpëlarjen e parave të pista të cilat kryesisht investohen në fushën e ndërtimeve. Burim i prejardhjes së tyre janë kanale të ndryshme, duke filluar nga zhvatjet e buxhetit të shtetit, trafikimi me qenie njerëzore deri te industria e narkomanisë dhe drogat që kanë një lidhje të sigurt të tranzitit ndërkombëtar. Përkundër të gjithave, në raportimet e fundit të Policisë së Kosovës, thuhet se gjatë këtij viti kanë pasur vetëm 3 raste për shpëlarje parash me tre persona të arrestuar për këtë vepër, ndërsa nga Prokuroria Speciale "sqarojnë" se gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë hetuar 139 raste me 296 persona të dyshuar për përfshirje në shpëlarje parash.

Sipas të dhënave të Prokurorisë, gjatë periudhës raportuese janar-qershor 2022 janë shënuar gjithsejtë 39 raste me 77 persona, si dhe 5 raste tjera me 9 persona për këtë vepër penale, por nga periudha e kaluar, u bartën edhe 34 raste penale me 68 persona të dyshuar. Vet Prokuroria Speciale në periudhën raportuese janar-qershor 2022 ka përfunduar vetëm 7 raste me 12 persona ndërsa fundi i periudhës raportuese (30 qershor 2022) rezulton të jetë ngarkuar me 32 raste penale dhe 65 persona të dyshuar. Kjo dëshmon se ky institucion ka ndërmarrë vetëm 7 veprime në kuadër të trajtimit të rasteve për personat e përfshirë në veprën penale të pastrimit të parave të pista.

Derisa në regjistrin PPN janë shënuar 100,raste penale PPN me 219 persona për shpëlarje të parasë, PSRK-ja në fillim të vitit kishte të trashëguara nga periudha kaluar 68 raste PPN me 153 persona, për veprën penale të shpëlarjes së parasë. Nga Prokuroria Speciale tregojnë se nga tërësia prej 100 rasteve penale PPN me 219 persona, gjatë periudhës raportuese janar-qershor 2022, janë përmbyllur vetëm 10 raste penale PPN me 12 persona, e në fund të periudhës raportuese 30 qershor 2022, ngarkesa me lëndë rezulton me 90 raste penale dhe 207 veta për veprën penale shpëlarja e parasë. Në Këshillin Gjyqësor raportohet se gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kishin në punë 7 lëndë me 30 persona të akuzuar, ku vetëm 1 rast me 2 persona të akuzuar i takon këtij viti, derisa në fillim vit kishin edhe 6 raste të trashëguara me 28 të akuzuar.

Sipas KGJK-së, përderisa me aktgjykim fajësues gjatë gjysmës së parë të këtij viti ishte vetëm një rast me një të dënuar, në një rast tjetër, dy persona janë liruar me aktgjykim. Dy raste janë zgjidhur, me tre persona ndaj të cilëve ka përfunduar procedura, por kanë mbetur edhe 5 lëndë të pazgjidhura me 27 persona të përfshirë, gjë që dëshmon se në këtë sistem tërësisht të ç`akorduar të drejtësisë, duhet të ndodhë një Vetting i përgjithshëm sa më rrënjësor për të vepruar më ashpër kundër të gjitha llojeve të krimit të organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".