Afera kriminale me vilat e ndërtuara në Brezovicë, do ta zbulon lidhjen me dekada të drejtësisë së korruptuar me politikanët e inkriminuar

Afera kriminale me vilat e ndërtuara në Brezovicë, do ta zbulon lidhjen me dekada të drejtësisë së korruptuar me politikanët e inkriminuar

Gani Qarri

  • 12 November 2022 - 09:16

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pas finalizimit të fazës së parë të hetimeve të aferës se vilave në Brezovicë, ku me kërkesë të Prokurorisë Speciale, gjykata e ka miratuar kërkesën e bazuar në fakte, që urdhëron sekuestrimin e përkohshëm të 75 vilave të ndërtuara kundërligjshëm në parkun kombëtar "Sharri"në Brezovicë, lidhja kriminale e politikës, bizneseve të pista dhe sistemit të kapur të drejtësisë së kalbur, pritet ta merr goditjen më të madhe deri më tani, që nga paslufta e këndej.

Në këtë aferë nuk ka më, asgjë sekrete dhe të pa njohur për opinionin publik, madje lista prej 75 pronave të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit Rasim Maloku në Brezovicë, përmban edhe emra të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë si pronar të kundërligjshëm, listë e cila tashmë mban edhe vulën e gjykatës dhe vendimin e sekuestrimit deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit përfundimtar të këtyre akteve kriminale.

Lajmin për sekuestrimin e përkohshëm të 75 pronave e ka konfirmuar edhe vet gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë, Shaqë Curri dhe sipas shkresave të lëndës së gjykatës, këto vila të sekuestruara rezulton se janë ndërtuar në Zonën e II-të, të Parkut Kombëtar “Sharri”–Zona e Brezovicës, në të cilën ndalohet ndërtimi me Ligjin e Republikës së Kosovës për Parkun Kombëtar “Sharri”! Sipas shkresave të lëndës, Zona e II-të e këtij Parku, megjithëse ishte nën mbrojtjen e ligjit dhe karakterizohet me ekosisteme, vlera peisazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, edhe pse është i ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim, aty ndërtimet i filluan me lejen e organeve paralele të Serbisë, vet ish udhëheqësit e inkriminuar të shtetit, që nga ish presidenti e deri te gjyqtarët dhe biznesmenët e lidhur me krimin e organizuar.

Madje ajo që bie fort në sy, me këtë listë janë tre gjykatës të Ferizajt, të cilët janë gjykatës nga të trija nivelit e gjyqësorit dhe çuditërisht, që të tretë, në vitin 2016, fillimisht kanë blerë parcela, ndërsa në vitet e fundit kanë ndërtuar edhe vila. Fjala është për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme?! Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë dhe në të njejtën kohë, në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili dhe të tre gjykatësit, kanë konfirmuar sekuestrimet e vilave të tyre nga Prokuroria.

Ndërsa megjithëse vet gjykatës, të cilët për habi, përkundër akteve të kundërligjshme, akt i paprecedent, që as do duhej të guxonte ,të ndodhte, për habi, ata tani mbajnë poste edhe më të larta, madje kanë fytyrë edhe të arsyetrohen se blerjen e pronave e kanë bërë përmes procedurave ligjore, pa përmendur se ndërtimet në Parkun Kombüetar tër Kosovës në Brezovicë, janë të lejuara vetëm me ligje të Serbisë dhe dokumente të organeve "kompetente" paralele të Serbisë, duke mos hezituar të deklarojnë se edhe vilat i kanë ndërtuar me leje të të njëjtit "organ përkatës"?!.

Prandaj edhe prokurori Rasim Maloku, ka deklaruar në media, se shumica e këtyre objekteve janë ndërtuar, duke keqpërdorur detyrën zyrtare të pandehurit, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës, që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar keq mjedisin në këtë zonë të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye edhe janë sekuestruar objektet në Zonën II, pasi që sipas ligjeve të Kosovës, ndërtimet janë rrjedhojë e veprave penale dhe zyrtarët nuk kanë mundur në asnjë formë të lëshojnë leje ndërtimi,kur dihet mirë, se me ligj, ndalohet ndërtimi në këtë zonë!

Edhe sekuestrimet e këtyre pronave, janë bërë duke u mbështetur në Kodin e Procedurës Penale, ku theksohet qartë, se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin. Ndërsa ndër politikanët që figurojnë në listën e publikuar, përveç tjerëve janë edhe Enver Hoxhaj ish-Ministër i jashtëm i Kosovës, dy vëllezërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi si dhe një numër i madh i biznesmenëve, përfshirë edhe personat e arrestuar gjatë aksioneve në Brezovicë.

Kështu që ajo që me këtë rast bije fort në sy dhe pritet me interesim të madh nga opinioni dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është vazhdimi i këtij procesi, dhe mënyra se si do të finalizohet zhvillimi i procedurave nga sistemi i drejtësisë së kapur, me pronat e gjyqtarëve tani të ngritur nga pozitat komunale në ato shtetërore si tre gjyqtarët nga Ferizaj, atyre që në zona të ndaluara, ndërtojnë me leje dhe ligje të organeve paralele të Serbisë, ani pse janë të autorizuar dhe të thirrur për ti respektuar dhe zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".