Për kryeprokuror të shtetit të emërohet një kuadër i guximshëm në luftën antikrim siç është prokurori Rasim Maloku

Për kryeprokuror të shtetit të emërohet një kuadër i guximshëm në luftën antikrim siç është prokurori Rasim Maloku

Gani Qarri

  • 21 November 2022 - 07:39

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Në fakt Kryeprokuror i ri, i shtetit, doemos, do duhej të emërohej një kuadër i dëshmuar me punë dhe rezultate, si z.Rasim Maloku, prokurori më i guximshëm dhe talent që është vërtetuar se aktualisht e ka Kosova, ai i cili i nxori të gjitha të palarat e ish udhëheqësve dhe politik bërësve të inkriminuar, të cilët, pa fije turpi as ndershmërie kombëtare, ndërtuan me ligjet e organeve paralele të Serbisë, në zonën e ndaluar me ligjet e Republikës së Kosovës për ndërtim, si në Parkun Kombëtar "Sharri" në Brezovicë!

- Madje Presidentja e vendit, duhet të përdorë po të njëjtën metodë të vlerësimit dhe verifikimit të pastërtisë së figurës për listën e re të gjyqtarëve që do ti dërgohet për ta dekretuar, njësoj sikur që ka vepruar edhe me pozitën e kryeprokurorit të shtetit, për të cilin nuk ka hezituar, që ta refuzojë kategorikisht, për shkak të CV-s së tij të dyshuar dhe parregullsive skandaloze që e kanë përcjell procesin e përzgjedhjes, ku KPK-ja, jo vetëm që është involvuar, por edhe e ka manipuluar dhe devijuar tërësisht përzgjedhjen, duke e katapultuar, padrejtësisht kandidatin e preferuar, vetëm prej saj.

Kështu që,në ditët në vijim, kur dhe pritet që në tavolinë të presidentes së vendit, të shkojnë për dekretim në një listë të përbashkët finale emrat e 37 gjyqtarëve të gjykatave themelore në nivel vendi, medoemos faza e përzgjedhjes, emërimit dhe dekretimit duhet të përdoret si masë e Paravetingut, për të mos lejuar edhe katapultimin e gjyqtarëve të rinj që në prapaskenë, kanë mbështetjen në lidhjet, me krimin e organizuar.

Më 15 nëntor, Komisioni për Rekrutim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka publikuar edhe listën me rezultatet përfundimtare të kandidatëve, që e kanë kaluar me sukses testin me shkrim, në konkursin për 37 gjyqtarë të gjykatave themelore, përderisa në rezultatet preliminare të publikuara në ueb faqen e KGJK-së, nga 265 kandidatë, vetëm 58 prej tyre e kishin kaluar me sukses fazën testuese, kurse 207 tjerë nuk e kanë arritur as pragun minimal të kalueshmërisë prej 39 pikësh nga 66 pikët e mundshme. Pas publikimit të rezultateve preliminare, të drejtën e ankesës e kanë shfrytëzuar 52 kandidatë, mirëpo ato janë refuzuar në bllok, dhe asnjëra nga këto ankesa nuk është aprovuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.

Por, përveç 58 kandidatëve që e kanë kaluar me sukses fazën e testit me shkrim, në listën përfundimtare janë përfshirë edhe katër kandidatë të tjerë të cilët e kanë përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar në kuadër të ish-Institutit Gjyqësor të Kosovës. Testi me shkrim për gjyqtarë ishte mbajtur më datë 22 tetor në lëmin civile dhe më 23 tetor në lëmin penale, ndërsa të drejtën për t’iu nënshtruar testit me shkrim e kanë pasur 278 kandidatë të cilët thuhet se e kishin kaluar testin kualifikues,por vetëm 265 prej tyre kanë qenë pjesë e testimit në detyrën e lëmisë penale dhe civile. Ajo që aktualisht, brengos opinionin e gjerë dhe institucionet shtetërore të Kosovës, është fakti se ekziston rreziku që në këtë fazë të shpalljes së konkurseve të reja, kur ende nuk është miratuar ligji i Vettingut, mekanizmat e krimit të organizuar dhe krimo politika, të vazhdojnë ti instalojnë në pozita gjyqtarësh, njerëzit e tyre të besuar.

Njerëz, të cilët, si kundërshpërblim do të ngarkoheshin me obligimin që, ish elementëve të inkriminuar, brenda sistemit të drejtësisë, t`ua zhdukin edhe dosjet e vjetra të përfshirjes së tyre në korrupsion dhe krim të organizuar, sikur që ua kanë bërë deri më tani dhe po vazhdojnë t`ua bëjnë avokatinë edhe sot, figurave të dyshimta me të kaluar kriminale. Kjo e shton nevojën për sy çeltësi më të madhe dhe bënë mese të domosdoshme, që nëse edhe në listën e re, ka sinjale se serish janë përfshirë element të cilët kanë lidhje me rrjetet e krimit të organizuar, Presidentja e vendit duhet të kërkojë, nga organet përkatëse që të filtrohen deri në detaje, të gjithë emrat e dyshimtë dhe në asnjë mënyrë të mos dekretohet një listë e tillë e pa verifikuar, nga ekspertët adekuat në plotësi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".