Qeveria e ka tepruar, është duke e vonuar tejmase Vettingun e premtuar!

Qeveria e ka tepruar, është duke e vonuar tejmase Vettingun e premtuar!

Hajrullah Tërnava

  • 29 November 2022 - 17:01

Shkruan:ANALISTI-Hajrullah Tërnava

 

Duke e pasur parasysh situatën e kriminalizuar ne institucionet e drejtësisë, kjo qeveri në pushtet po bënë çmos për ta jetësuar sa më parë ligjin e Vetingut, me të cilin institucionet në fjalë do të fillonin të spastrohen pas miratimit dhe jetësimit të këtij ligji në fjalë, prandaj sa më parë duhet  të miratohet ligji i Vettingut dhe jetësimi i tij. Nga ky ligj edhe qytetarët do të jenë përfitues të mëdhenj sepse drejtësia do të jetë në anën e të drejtës, e jo si deri më tani që drejtësia ishte në anën e të fortëve te tejkriminalizuar per 22 vite rresht.

 

Kosova jo-rastësisht gjendet në këtë situatë të rëndë të tanishme, prandaj ditë e për ditë po dëshmohen fakte sikur që po e dëshmon edhe rasti i fundit në Gjykatën Themelore të Pejës, arrestimit të referentit të lartë të kësaj Gjykate Zenel Hoxha nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, edhe një dëshmi plus për faktet e pa mohueshmen të kapjes afatgjatë të sistemit të drejtësisë nga krimi dhe nëntoka kriminale, nga oligarkët e korruptuar të cilët në sistemin e drejtësisë i kanë instaluar njerëzit e tyre të besuar për të ja bërë avokatinë mbrojtëse pikërisht krimit të organizuar. Zenel Hoxha ishte referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jo kontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë pranë Gjykatës Themelore në Pejë, dhe dyshohet se duke abuzuar me detyrën zyrtare është bërë pjesë e krimit, duke mundësuar falsifikimin e dokumenteve dhe tjetërsimin e pronave.

 

Në njoftimin e Policisë thuhet se hetimet janë zhvilluar disa muaj rresht nga hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë. Kësisoj, pas hetimeve disa mujore, duke zbatuar edhe masat e fshehta të hetimeve, Policia ka arritur të sigurojë prova/dëshmi lidhur me të dyshuarin Zenel Hoxha, referent i lartë për regjistrimin e lëndëve jo kontestimore, trashëgimore dhe vërtetimin e certifikatave me vulën e vërtetësisë pranë Gjykatës Themelore në Pejë.

I dyshuari është inkriminuar në veprën penale “marrje e ryshfetit”, në rastin kur nga qytetari të cilit i shërben, konkretisht nga i dyshuari me iniciale D. Sh. pranon një sasi të hollave, për të cilat mbahet sekret shuma e tyre. Raportohet se i dyshuari është arrestuar nga vendi i punës, prej nga edhe ka abuzuar me detyrën zyrtare në shërbim të krimit të organizuar.

 

Vetëm pas komunikimit të lajmit nga ana e policisë ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, KGJK, duke marr vendim për pezullimin e të njëjtit person nga puna. Lajmi pezullimin e tij nga puna u bë i ditur përmes një komunikate për media të KGJK-së ku thuhet se pas marrjes së njoftimit nga Gjykata Themelore Pejë se z. Zenel Hoxha, Referent i lartë në Gjykatën Themelore Pejë, është arrestuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, bazuar në nenin 69 të Ligjit Nr. 03/L-149 Për Shërbimin Civil, vendosi Pezullimin parandalues nga puna dhe detyrat e punës. Gjithsesi se edhe ky rast është një alarm që ndizet dhe kërkon për të vepruar më shpejtë, për ta miratuar pakon e reformës së thellë në drejtësi, e pikërisht për ta përshpejtuar Vettingun aq shumë të vonuar, i cili mbetet shpresa dhe mjeti i vetëm për ta pastruar sistemin e dritësisë nga të gjithë elementët e lidhur me nëntokën e krimit të organizuar, të cilët i kanë shkaktuar miliarda dëme shtetit, por edhe bizneseve të pa nënshtruar dhe të pa lidhura me rrjetet kriminale ilegale, por që në funksion i ka mbajtur duke i mbrojtur politika kriminalizuar e cila e ka kapur dhe e ka instrumentalizuar për vete këtë sistem të drejtësisë të degraduar dhe të dështuar. Pasi qe te miratohet ky ligj i Vettingut dhe jetësimit te tij, në procedurë është edhe ligji i konfiskimeve të pasurive të pajustifikuara, dhe nga këto ligje pritet që institucionet e drejtësisë të spastrohen nga njerëzit me veprime inkriminuese nëpër ato institucione, dhe për një kohë të konsiderueshme sikur që pritet që do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, Kosova do ta gëzoj një epitet pozitiv të luftimit të krimit në përgjithësi dhe shpejtë do ti hapen rrugët drejtë shteteve të BE-së.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".