Aplikimi për anëtarësim në BE në koordinim me miqtë ndërkombëtarë

Aplikimi për anëtarësim në BE në koordinim me miqtë ndërkombëtarë

Hajrullah Tërnava

  • 01 December 2022 - 07:53

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

I tërë ky angazhim i kryeministrit Kurti është për tu lavdëruar, por angazhimi i tillë do të ishte më i vlefshëm nëse kryeministri Kurti ka premtime nga ndërkombëtarët për t’ia arrit këtij qëllimi, dhe anëtarësimi në BE do të ishte arritja më e lartë e një qeverie në pushtet.

-Kryeministri i Kosovës duhet të jetë në nivel të detyrave shtetërore që i kryen, prandaj duhet të ketë edhe ambicie serioze e qeverisëse në interes madhor të Kosovës. Paralajmërimi për aplikim të shpejtë të Republikës për anëtarësim në BE-, derisa akoma jemi mbrapa në procesin e liberalizimit të vizave, një vendim i cili edhe pse u mor, rekomandua pozitivisht, do të fillon të zbatohet vetëm nga fillimi i vitit 2024. E kryeministri i Kosovës Albin Kurti këto ditë, ka shfrytëzuar disa paraqitje në media, për të treguar se Kosova ka vendosur të aplikon edhe për anëtarësim në BE para fundit të vitit, gjatë muajit dhjetor.

Për ti hyrë këtij procesi, Qeveria e Kosovës ka formuar me kohë edhe një komision të veçantë përgatitor. E lidhur me këtë çështje, më 23 nëntor është mbajtur takimi i parë i Komisionit Ekzekutiv për Anëtarësimin e Kosovës në BE, e ku është miratuar qëndrimi zyrtar për aplikim në BE. Takimi është mbajtur nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën gjeopolitike dhe zhvillimet tjera relevante.

“Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti. Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, thuhej në njoftim. Anëtarët e komisionit gjithashtu diskutuan hapat e radhës të institucioneve vartëse deri te dorëzimi i aplikimit.

Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndryshe, në fund të muajit tetor për vizitë në vendin tonë ishte presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Edhe në këtë takim, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti. Ndryshe, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në Evropë që nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë.

I tërë ky angazhim i kryeministrit Kurti është për tu lavdëruar, por angazhimi i tillë do të ishte më i vlefshëm nëse kryeministri Kurti ka premtime nga ndërkombëtarët për t’ia arrit këtij qëllimi, dhe anëtarësimi në BE do të ishte arritja më e lartë e një qeverie në pushtet. Me këtë të arritur tani qytetarët e Kosovës do të shëtisnin shteteve të BE-së pa pengesa dhe do ta gjenin veten aty ku dëshirojnë të jetojnë, por së shpejti do të bindeshin që vendi më i bukur për të jetuar në botë është Kosova!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".