Zbulohet skenari i dizajnuar për ta shpëtuar nga penalizimi kryeprokurorin e suspenduar, dorë e zgjatur e krimit të organizuar!

Zbulohet skenari i dizajnuar për ta shpëtuar nga penalizimi kryeprokurorin e suspenduar, dorë e zgjatur e krimit të organizuar!

Gani Qarri

  • 12 December 2022 - 17:19

Shkruan:ANALISTI- Gani Qarri

 

Me 13 korrik të këtij viti, sipas raportimeve në media, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë Ramiz Buzhala kishte shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional, test i cili ishte mbajtur brenda objektit të Rilindjes, ku është e vendosur edhe Ministria e Drejtësisë. Shkelja e kryer disiplinore, nga Kryeprokurori në fjalë, me datën13 korrik, ishte kuptuar po të njëjtën ditë botërisht, për faktin se pyetjet me shkrim të testit, ai i kishte dërguar aksidentalisht edhe në numrin e një gazetareje, kjo kishte bërë, që të reagonte ashpër edhe vet ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

 

Sipas të dhënave të aktivitetit të tij, Buzhala kishte filluar mandatin si Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Gjakovës me 1 qershor 2021, ndërsa më 14 korrik 2022 ishte suspenduar për shkak të dyshimit se i njëjti kishte kryer shkelje disiplinore.

 

Në fakt nisur nga zhvillimet e çuditshme që ndodhin në "drejtësi" skandali i Prokurorit Buzhala është vetëm një nga dhjetëra të tjerë të pa zbuluar që e përcjellin organin e akuzës për bashkëpunim me  krimin dhe grupet kriminale të interesat të cilave pothuajse në vijimësi ua bëjnë avokatinë dhe pengojnë zbatimin e ligjit.

 

Edhe rasti i Kryeprokurorit Buzhale, duket se është duke u zvarritur qëllimisht, për ta nënçmuar peshën e abuzimit me detyrën zyrtare.

 

Paneli Hetimor në rastin disiplinor ndaj Kryeprokurorit të suspenduar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, sipas interpretimit ligjor, ligjërisht ka kohë që deri më 15 dhjetor 2022, ta përfundojë hetimin disiplinor ndaj tij, nëse një gjë e tillë nuk është bërë deri më tani.

 

Kryeprokurori Buzhala i kishte bërë presion edhe gazetares që t’i fshijë të gjitha mesazhet sepse sipas tij ato pyetje, asaj ishin dërguar gabimisht.

 

Kryeprokurori i suspenduar, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, dyshohet se me këto veprime është përfshirë në sjellje, të cilat dëmtojnë reputacionin e Prokurorit dhe mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë e Prokurorit të Shtetit.

 

Pas pranimit të këtyre informacioneve, KPK me kërkesë nga UD së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kishte filluar procedurat disiplinore ndaj Ramiz Buzhalës, me ç’rast me 14 korrik 2022, ishte themeluar edhe Paneli hetimor për këtë rast disiplinor.

 

Paneli hetimor kishte për detyrë të sigurojë fakte dhe të mbledh prova lidhur me shkeljet disiplinore nga Kryeprokurori i suspenduar, Ramiz Buzhala dhe sipas Rregullores për procedurën disiplinore të prokurorëve, ai duhej t’i përfundonte hetimet brenda tre (3) muajve nga dita kur ishte themeluar.

 

Por edhe me këtë rast, krejt procesi deri më tani ka vijuar me hapat e “breshkës”, më 30 shtator 2022, KPK kishte shqyrtuar raportin e Panelit hetimor dhe marrëveshjen e arritur mes tij dhe Kryeprokurorit Buzhala.

 

Sipas medieve, kjo marrëveshje përfshinte pranimin e shkeljes disiplinore nga Buzhala dhe masën disiplinore të transferimit të tij, si prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë së Prizrenit.

 

Megjithatë, anëtarët e KPK-së e kishin refuzuar një marrëveshje të tillë mes Buzhalës e Panelit Hetimor, duke bërë që hetimi disiplinor të kthehet në rishqyrtim, kurse Këshilli kishte vendosur që Panelit t’i zgjasë periudhën e hetimit edhe për dy muaj të tjerë, afat ky që parashihet në Rregullore.

 

Krejt këto marifete, tanimë të njohura për qytetarët e Kosovës flasin mjaftueshëm, se kjo është edhe një lojë e KPK-s, me qëllimin për zhvlerësim dhe amnisti të vepër së abuzimit me ligjin dhe kurdisjes së rezultatit të përzgjedhjes së kandidatëve, që janë të preferuar vetëm nga nëntoka e krimit!?

 

Edhe me këtë afat të dytë shtesë, më së largu deri më 15 dhjetor 2022, Paneli hetimor është i obliguar që KPK-së t’ia dorëzojë raportin me fakte dhe prova lidhur me çështjen disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala.

 

Duke qenë se procedura disiplinore ndaj prokurorëve nuk është publike, nuk përjashtohet mundësia që tashmë Paneli hetimor ka dorëzuar në KPK raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura në këtë çështje disiplinore, duke i ikur transparencës dhe komunikimit me opinionin publik.

 

Pas pranimit të raportit të hetimit, me shkrim, KPK-ja, është e obliguar që në periudhën kohore prej 30 ditësh të caktojë seancë dëgjimore e cila serish është e mbyllur për publikun, gjë që e dërgon procedurën akoma në pafundësi me mundësi manipulimi dhe nënvlerësimi të vazhdueshëm.

 

Sado që vepra është e faktuar dhe e dokumentuar, sipas rregullave të tanishme disiplinore, nënçmimi dhe nënvlerësimi i veprës së kryer mundë të jetë një vendim i pritshëm pasi që deri më tani kjo dosje, qëllimisht është zvarritur dhe anashkaluar, për tu hetuar, pa u hamendësuar dhe me procedurë të shpejtë. Përndryshe sipas ligjit aktual, në rast se konstatohet shkelja disiplinore nga ana e Kryeprokurorit të suspenduar, Buzhala, atëherë Këshilli duhet që ndaj tij të shqiptojë njërën apo disa nga këto masa: Vërejtje jopublike me shkrim; Vërejtje publike me shkrim; Zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqindë (50%) për një periudhë deri në një (1) vit; Transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një prokurori tjetër të nivelit më të ulët dhe masa e fundit, që cilësohet si më e ashpër, mundë të jetë edhe propozimi për shkarkim nga detyra.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".