Siguria e jashtme e kufijve të Kosovës në përgjegjësi ekskluzive të NATO-s dhe të forcës së KFOR-it

Siguria e jashtme e kufijve të Kosovës në përgjegjësi ekskluzive të NATO-s dhe të forcës së KFOR-it

Hajrullah Tërnava

  • 17 December 2022 - 08:11

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Për të funksionuar rendi dhe ligji në Veri të Kosovës, dhe pa probleme në cepin kufitar me Serbinë, në ato pjesë është KFOR-i i cili përkujdeset për kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës sipas marrëveshjes së Kumanovës, deri në pajtimin e dy shteteve dhe popullit të këtyre shteteve Serbi-Kosovë.

-Situata tani e krijuar në kufi me Serbinë ku serbët e veriut kufizohen në ato pjesë me territorin e Serbisë, e sikur që dihet se zyrtarët serb kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, nga të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës të atyre pjesëve të veriut, duke filluar nga gjykatësit, prokurorët, policia dhe të tjerët, edhe situata tani e krijuar në ato pjesë është mjaft e tensionuar dhe në gjendje jo të lakmueshme. Duhet vepruar për qetësim dhe stabilizim me zbatim të ligjit, sepse në çdo momente situata edhe mund të eskaloj në konflikte, në ato pjesë ku tani pjesëtar të policisë shqiptare janë duke i jetësuar ligjet e Kosovës, dhe duke e mbajt rendin dhe qetësinë duke i përdorur kompetencat ligjore.

Për të funksionuar rendi dhe ligji në Veri të Kosovës, dhe pa probleme në cepin kufitar me Serbinë, në ato pjesë është KFOR-i i cili përkujdeset për kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës sipas marrëveshjes së Kumanovës, deri në pajtimin e dy shteteve dhe popullit të këtyre shteteve Serbi-Kosovë. Në këto rrethana të zhvillimeve të këtyre çështjeve bëhet pyetja se a është duke e nënçmuar edhe faktori ndërkombëtar fushën kryesore të atakuar nga bandat serbe, atë të Sundimit të Ligjit, me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke vazhduar me tolerancë të tepruar ndaj bllokimit të lirisë së lëvizjes nga grupet kriminale të serbëve të organizuar dhe stimuluar nga Beogradi, të trimëruar edhe me paralajmërimet për kthimin në Kosovë të forcave të ushtrisë dhe policisë serbe.

Se situata e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, është shumë e tensionuar dhe do të ishte shumë keq nëse edhe serbët nga jugu do të largoheshin nga institucionet dhe bashkohen me serbët e Veriut, ka alarmuar edhe shefi i EULEX-it, në Kosovë Lars Gunnar Vigemark, i cili më së miri ka dhënë detajet për ballafaqimin e forcave të EULEX-it me bandat serbe në Veri. Ai ka thënë se patrulla e EULEX-i është sulmua duke iu afruar barrikadave afër Rudarit në veri të Mitrovicës, ku në këto barrikada kishte popullatë serbe, por nuk mund të dihet, identifikohet saktësisht se kush e hodhi bombën trullosëse.

Madje ai ka thënë se numri I barrikadave në këtë pjesë të Kosovës po shtohet dita ditës nga grupet serbe, veçanërisht në rrugën nga Mitrovica për në Leposaviq, Jarinje dhe më tej për në Serbi. Gjithashtu, ai ka treguar se ka edhe disa barrikada të tjera, duke krijuar kështu një situatë ku popullata vendase, qofshin ata serbë të Kosovës apo shqiptarë të Kosovës apo grupe të tjera etnike, por që serbët etnikë janë dominues si shumicë atje, janë shumë të shqetësuar dhe janë të frikësuar, sepse atje më shumë se një muaj që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës ka një vakum sigurie. Se bandat terroriste serbe, po shtohen e forcohen në veri të organizuara nga grupe kriminale që vijnë nga territori serb, më së miri flet e dhëna kur bandat terroriste serbe e kanë torturuar të riun në veri, duke mos lejuar që ta dërgonte nënën në spital, për të fajësuar pastaj shqiptarët për situatën e krijuar të tensionuar dhe kinse qytetarët e rrezikuar.

Për situatën e acaruar në veri të Kosovës, dhe mungesën e dialogut për ta shtensionuar situatën, ka reaguar edhe Kryetarja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s Jovlle Garriaud-Maylam, duke thënë se thellësisht i shqetësuar nga zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Kërcënimet dhe aktet e përsëritura të frikësimit dhe dhunës nga individë të armatosur, përfshirë sulmin e kësaj fundjave ndaj një patrullimi zbulues të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Ajo ka thënë se barrikadat e ngritura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë, dhe rruga përpara duhet të përshkruhet përmes negociatave të vazhdueshme dhe konstruktive ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Edhe kryetarja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s e ka vlerësuar pozitivisht dhe në funksion të qetësimit të situatës, vendimin e fundit të institucioneve për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore si një hap konstruktiv duke pasur parasysh kontekstin aktual.

Gjithsesi se do të duhej koordinuar më afër Qeveria e Kosovës, me KFOR-in dhe EULEX-in për të vepruar dhe mënjanuar barrikadat e grupeve kriminale të serbëve të rebeluar të cilët ashiqare po vërtetohet se janë të telekomanduar nga qeveria në Beograd, dhe nuk e kanë mbështetjen e shumicës së banorëve tradicional lokal serb të Kosovës. Marrë në tërësi faktori ndërkombëtar duhet të bëjë çmos që kjo situatë e tanishme të tejkalohet me marrëveshje të reja ku do të mbretëroj ligjshmëria në ato pjesë të atij territori në veri, dhe situata të shtensionohet dhe qytetarët ta jetojnë jetën e tyre të rëndomtë dhe pa brenga, dhe KFOR-i dhe EULEX-i ti kryejnë punët e tyre si deri me tani, dhe të shfrytëzohet kjo situatë luftarake e ndërlikuar mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe të arrihet pajtimi dhe njohjet reciproke mes Serbisë dhe Kosovës. Është momenti historik që edhe ky territor njëherë e përgjithmonë të qetësohet, dhe këtyre shteteve t’iu hapen dyert drejt shteteve të BE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".