Është koha e ndërrimit të qëndrimeve të gabuara politike të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës dhe Serbisë

Është koha e ndërrimit të qëndrimeve  të gabuara politike  të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës dhe Serbisë
Është koha e ndërrimit të qëndrimeve  të gabuara politike  të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës dhe Serbisë

Muhamet Kelmendi

  • 24 December 2022 - 08:28

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Asociacioni nuk duhet fare të diskutohet për sa kohë që Serbia nuk e pranon dhe njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Pranimi i asociacionit pa këtë njohje de-jure të shtetit vetëm e shkatërron Republikën e Kosovës.

-Ka kohë që në Bruksel dhe në Uashington vërehen ndryshime në qëndrimet e raporteve midis Kosovës dhe shtetit serb.

Natyrisht se Kosova ka bërë shumë gabime politike.

Pa asnjë shkak pranoje që pas shpalljes së shtetit që Kosova të futet në thonjëza. Nënshkroi marrëveshje pas marrëveshjeve duke pranuar që shteti serb të bëhet bashkëveprues në Kosovë.

Pranoi Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nënshkroi marrëveshje që e kufizuan sovranitetin e Republikës. Shih për këtë administratën serbe në veri, sistemin gjyqësor të pavarur, policinë, dokumentet e identitetit dhe regjistrimet e makinave etj. Edhe tash po vazhdon me politikë nënshtruese dhe krijuese të problemeve të pa qenë.

Kjo gjendje u shfrytëzua shumë mirë nga BE dhe SHBA-të.

Të dy këto shkuan nga rruga që të bëhen kompromise në mënyrë që të kënaqen pretendimet shoviniste serbe, kryesisht nga frika që Serbia të kaloi në anën e BE-së dhe mos të shkoi nga lindja, përkatësisht nga Rusia dhe Kina. Kjo lojë e rrezikshme morri dimensione të rënda. Veriu i Kosovës po bllokohet kohë pas kohe, sa herë që kanë interesa shovinistët serbomëdhenj. Tash edhe u bë kërkesa për dërgimin e forcave militare dhe paramilitare serbe në Kosovë. Ambasadori i SHBA-së në Beograd, z.Hill, deklaroi: "Serbia ka të drejtë të bëjë kërkesë për dërgimin e forcës ushtarake në Kosovë, por koha është për dialog e zgjidhje politike të çështjeve".

Me këtë përsëri del dyanshmëria. Edhe ka të drejtë, e edhe është koha për politikë. Merre si të duash. Ndërsa, Z.Eskobar ishte taksativisht kundër dërgimit të ushtrisë serbe në Kosovë. Atë e cilësoi si provokim, në dëm të dialogut dhe të politikës.

Rruga e tillë e BE-së dhe e SHBA-së, pa parime dhe dualiste po shpie nga forcimi i agresionit serbomadhe ndaj Kosovës.

BE dhe SHBA dolën hapur në anën Asociacionit serb në Kosovë. Ndërsa, ndaj Beogradit vazhdohet me përkëdhelje ledhatuese, të cilat e ngritën shovinizmin dhe pikëpamjet agresive.

Asociacioni nuk duhet fare të diskutohet sa kohë që Serbia nuk e pranon dhe njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Pranimi i asociacionit pa këtë njohje de-jure të shtetit vetëm e shkatërron Republikën e Kosovës. Z.Eskobar deklaroi:

" SHBA-të janë që Kosova të fillon me punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës". Profesori universitar, z Server tha: "SHBA-të po bëjnë politikë të themelimit të asociacionit, sepse kështu po mendohet të tërhiqet Serbia drejtë perëndimit, në kohën kur Serbia është vetëm për rrugën e lindjes... Nuk i kanë dy rruge...". Po këtë politikë po e mbajnë edhe disa politikanë të BE-së. Z. Borel dhe z.Lajçak, në emër të BE-së,barazojnë dy palët për gjendjen, kur shteti serb është përgjegjës për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.

Kjo politikë e BE-së dhe e administratës në Uashington ka trimëruar administratën kriminale në Beograd. Tash kemi deklarata agresive ndaj Kosovës. Paraqiten kërkesa të qarta luftarake dhe e bënë bllokimin e veriut të Kosovës me bandat serbe të armatosura nga Serbia. Paraqitja në barazim e përgjegjësisë, si dhe kërkesës për asociacion, vetëm po e bënë të mundur agresionin serbomadh. Me këtë politikë, Serbia po bënë agresion ndaj Kosovës, prej nga lufta bëhet pashmangshme midis Kosovës dhe Serbisë. Është koha e ndërrimit të qëndrimeve në Bruksel dhe në Uashington.

Serbisë duhet bërë të qartë se po bënë agresion, që nuk e përkrahin dhe se duhet të respekton kufijtë ndërshtetëror.

Kurrë shqiptarët dhe Kosova nuk kishin shkaktar luftash në Ballkan. Edhe në të kaluarën u tolerua shumë Serbia. Bëri terror, masakroi popuj dhe dëboi me miliona qytetar nga trojet e veta. Me gjenocid u zgjerua në tokat shqiptare, ato boshnjake dhe kroate e hungareze. Edhe tash me luftë dhe masa gjenodiciane po donë të shtrihet në tokat e Kosovës.

Këtë e dinë në BE dhe në SHBA. Pse tolerohet? Thjeshtë:

BE dhe SHBA me pretendim që të largohet Serbia nga Rusia dhe nga Kina në drejtim të BE-së po tolerohet në aktivitet luftënxitës dhe po financohet me mjete. Ndërsa, veç dihet: Shteti serb po bënë lojë me perëndimin. Serbia po merr mjete nga perëndimi dhe blenë armët në Rusi dhe në Kinë.

Perëndimi kërkon asociacion dhe i lejon bandat kriminale në veri të vendosura nga Serbia. Këtë për të mbajtur afër, në kohën kur tërësisht Serbia është e lidhur me lindjen.

Kjo po e shpie përsëri Ballkanin në luftë. Bosnja e Hercegovina janë de-fakto të ndara. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut gjinden nën presionin e lartë sllavomadh serbo-rus.

Ndaj Kosovës po bëhen veprime agresive nga Rusia dhe Serbia.

Është koha e ndërrimit të qëndrimeve. Serbia duhet të ndalet për t'u ndalur edhe ndikimi rus në Ballkan. Koha nuk pret.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".