Koha e fundit për zhbërjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe shpërndarjen e bandave ilegale kriminale

Koha e fundit për zhbërjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe shpërndarjen e bandave ilegale kriminale
Koha e fundit për zhbërjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe shpërndarjen e bandave ilegale kriminale

Gani Qarri

  • 27 December 2022 - 07:40

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Veriu i Kosovës, pa asnjë arsye bindëse, tanimë po futet edhe në javën e tretë të bllokimit me barrikada nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, grupe të cilat po shihet hapur që nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarët civil të pakicës serbe, me akte dhune të imponuara nga Serbia përmes Listës serbe, e cila fatkeqësisht është edhe subjekt politik i regjistruar në kuadër të ligjeve të vendit tonë dhe ishte pjesë e institucioneve të Kosovës.

-Madje kushtet e vendosura, nga Serbia dhe bandat kriminale të veriut në krye me Listën serbe, për heqjen e barrikadave nuk lënë fare shpresë për një normalizim të shpejtë dhe pa përdorimin e organeve të sigurisë, për zhbllokimin e rrugëve, rikthimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e lëvizjes së lirë, në këtë pjesë të pandashme të Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, situatën e tensionuar në veri të Kosovës, e ndërlikon edhe më shumë, mungesa e gatishmërisë së KFOR-it për ti larguar barrikadat e vendosura gjithandej, në arteriet e rrugëve kryesore, nga ana e grupeve të organizuara të bandave kriminale serbe, përfshi kriminel nga Serbia dhe Rusia, si pjesëtarët e grupit terrorist rus, "Wagner"!

Kështu që veriu tanimë po futet në javën e tretë të bllokimit nga grupet e lartcekura kriminale, bandat e organizuar nga Serbia, si dhe Lista serbe si subjekt politik i regjistruar edhe me ligjet e institucioneve të Kosovës, madje kushtet e vendosura për heqjen e barrikadave nuk lënë shumë për të shpresuar për një normalizim të shpejtë. Duke iu referuar krizës aktuale të sigurisë në veri të Kosovës, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia, vetëm ka thënë se ai mbetet në kontakt me të gjitha palët në proces, por situata e krijuar duhet të zgjidhet me dialog dhe jo me përdorim të forcës.

Ristuccia shton se është e rëndësishme që të shmanget çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën, ngase sipas tij edhe KFOR-i mbështetë dialogun për të gjetur marrëveshje për zbutjen e tensioneve në veri, gjë që vërtetë tingëllon më shumë se vetëm habitshëm, nëse vërtetë KFOR, kërkon dialog me kriminelët. Pas deklaratave të tilla, të Ristuccias, bëhet edhe më e çuditshme shprehja se megjithatë KFOR-i, na qenka vigjilentë dhe plotësisht i aftë për ta përmbushur mandatin e tij, nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përderisa, tani e mbi dy javë KFOR, ai është kthyer, vetëm në spektator të ngjarjeve, nga bandat kriminale serbe në veri.

E nga ana tjetër Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për ti mënjanuar barrikadat dhe kthyer gjendjen në normalitet, por një veprim i tillë, pa mbështetjen e KFOR-it, do të ndikonte që bandat kriminale të nxituara nga Serbia, të përdorin dhunë.

Dhe situatën e shkaktuar ta përdorë Serbia në kanalet diplomatike, që ta akuzojë Kosovën, për ushtrim dhune kundër pakicës serbe dhe argument për të “arsyetuar” ndërmarrjen e ndonjë aventurë për intervenim nga jashtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".