Shteti jo funksional në Veriun e Kosovës, një trashëgimi e dështuar që u bartë në mandatin e Qeverisë Kurti, si bombë e kurdisur me rrezik për të eksploduar

Shteti jo funksional në Veriun e Kosovës, një trashëgimi e dështuar që u bartë  në mandatin e Qeverisë Kurti, si bombë e kurdisur me rrezik për të eksploduar
Shteti jo funksional në Veriun e Kosovës, një trashëgimi e dështuar që u bartë  në mandatin e Qeverisë Kurti, si bombë e kurdisur me rrezik për të eksploduar

Gani Qarri

  • 28 December 2022 - 07:45

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Përkundër gjendjes alarmante, ku tash e mase dy javë janë bllokuar edhe stacionet policore në veri dhe dy pikat kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë fashiste, ish pushtetarët e inkriminuar të cilët me aktet e tyre tradhtare e kanë sjell vendin në këtë situatë të vështirë, vazhdojnë me lojën prej diletantësh, duke e sulmuar, jo Serbinë dhe bandat kriminale serbe të veriut, por Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për katrahurën e krijuar nga kriminelët e nxitur prej Vuçiqit. Kriminel ordiner dhe banda të organizuara që tash e mbi dy dekada, nuk lejojnë shtrirjen e rendit e të ligjit dhe integrimin paqësor të kësaj pjesë të pandashme të territorit të Kosovës të banuar me pjesëtarë të pakicës serbe.

-Për aq më keq, partitë e inkriminuara përkundër faktit se dështimi i integrimit të veriut të Kosovës në realitetin e pasluftës në Kosovë, është trashëgimi makabre e bartur në formë të patates së nxehtë që i ka mbetur në dorë Qeverisë Kurti nga mandatet e kaluara dhe zbardhjes së përditshme të fakteve të reja për tradhti, nga udhëheqësit e tyre, si Thaçi dhe Isa Mustafa, ato vazhdojnë ti dalin krah Serbisë dhe bandave kriminale në veri, duke mos kursyer sulmet kundër udhëheqjes së Kosovës.

Madje nga regjimet e kaluara edhe ish rojet e urës , si organe paralele të sigurimit sekret të Serbisë të dirigjuara direkt nga Beogradi u futën pa asnjë kriter në radhët e policisë së Kosovës, që në fakt, nuk ishte proces integrimi por një akt i mashtrimit të madh, për t`ua mundësuar bandave kriminale serbe të vepronin legalisht dhe në mënyrë të organizuar kundër shtetit të Kosovës.

Njëjtë si «rojat e urës» e «civilna zashtita» edhe kryetarët e komunave nga komuniteti serbë, ishin gjithmonë të kontrolluar nga Beogradi dhe mbetën përherë të pa bindur ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar vetëm buxhetin e majmë që u është ndarë pa kursim, nën arsyetimin për integrim, nga ana e shtetit të Kosovës.

Por sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, edhe presioni banditesk i opozitës për kinse veprim dhe kthim të gjendjes në normalitet, nuk është gjë tjetër, vetëm se edhe një kurth për ta zhytur vendin edhe më thellë në gjendje destabilizimi me kërcënim serioz të konfrontimit të hapur me Serbinë që mund ta rrezikonte edhe shtetin dhe sovranitetin e vendit tonë, kur shihet publikisht se edhe te vet KFOR-i, mungon vullneti për të vepruar dhe kontribuar në kthim të një gjendje të pranueshme normaliteti, pa rrezikuar me eskalim të dhunës dhe destabilitetit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".