Skena politike gjithë shqiptare duhet të pastrohet urgjentisht nga lidhje me rrjetet e fuqishme të narko mafisë ndërkombëtare

Skena politike gjithë shqiptare duhet të pastrohet urgjentisht nga lidhje me rrjetet e fuqishme të narko mafisë ndërkombëtare
Skena politike gjithë shqiptare duhet të pastrohet urgjentisht nga lidhje me rrjetet e fuqishme të narko mafisë ndërkombëtare

Gani Qarri

  • 28 December 2022 - 16:50

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 

 

Ky biznes i pistë që rrezikon edhe sigurinë nacionale të shtetit, nga bandat e krimit, ka lidhje të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe zhvillohet, siç  zbulon hulumtimi i medies gjermane përmes rrugës në hinterlandin shqiptar, luginat e vargmalit të Bjeshkëve të Nemuna.

 

Për vet faktin fatkeq, se skena politike aktuale, andej dhe këndej kufirit, dita ditës po zbulohet të jetë thellë e inkriminuar dhe e lidhur me grupe mafioze ndërkombëtare të nëntokës së krimit të organizuar, të cilat po pretendojnë ta marrin edhe primatin e liderit të krimit të organizuar të trafikut të drogave në nivel ndërkombëtar, po bëhet jo vetëm gjithnjë e më e domosdoshme , por edhe e detyrueshme nevoja e ndryshimit rrënjësor në skenën politike gjithëshqiptare. Drogë, armë dhe nder i cenuar titullohej së fundi një hulumtim i televizionit gjerman ZDF, i cili zbardhi fakte alarmantë të lidhjes së politikës shqiptare në pushtet, klanit të Edi Rames, me rrjetet më të rrezikshme mafioze anë e këndë Evropës dhe botës duke e etiketuar Shqipërinë si një narko shtet ku qarkullojnë Kanabisi e  Kokaina me tonelata. Për aq më tepër pastrimi i parasë së pistë realizohet në fushën e ndërtimeve gjithandej Shqipërisë, pa u penguar e pa u hetuar nga institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë, të cilat po ashtu janë pjesë e pa ndarë e zinxhirit të krimit të organizuar e cila me kohë, mjerisht i ka shtrirë rrënjët e veta edhe në Kosovë. Sipas hulumtimit të medies gjermane, biznesi i pistë i klaneve shqiptare është aq thellë i lidhur me pushtetin dhe mpleksja e politikës me kartelet e drogës është kaq e ngushtë, sa që në rastin e Shqipërisë, duhet folur për një narko-shtet, sepse kriminelët e organizuar fuqishëm, janë me prejardhje shqiptare të cilët po e pushtojnë edhe tregun ndërkombëtar të  drogës. Mafia shqiptare raportohet se po dominon edhe në Gjermani, me trafik droge, kontrabandë armësh,  vjedhje, ku mafia shqiptare  po e sfidon edhe  policinë dhe shtetin si një kundërshtar i rrezikshëm. Raportohet po ashtu se bandat shqiptare hynë në tregun gjerman të drogës që në vitet 1990, duke filluar me kanabisin, kurse më pas me kokainë, nga të cilat sigurojnë miliarda fitime të paligjshme në Gjermani. Këto grupe përfitojnë kultivimi i kanabisit në Shqipëri për shkak të kushteve klimatike dhe produktet e tij kontrabandohen në Evropën Perëndimore nga këto grupe të cilat janë shumë aktive në kontrabandën ndërkombëtare të heroinës dhe të kokainës.Porta kryesore e inkursionit janë portet detare gjermane si Hamburgu, duke prekur edhe Evropën Perëndimore. Hetuesit doganorë kanë siguruar 16 tonë kokainë të pastër. Vlera e tregut, miliarda euro sepse çmimi për gram është 60 euro. Sipas hulumtimit, në Berlin, përdorimi i drogës, në pesë vitet e fundit, është dyfishuar. Gjysmë milioni berlinezë përdorin kanabis, rreth 200.000, kokainë, ndërsa lufta për dominim e klaneve shqiptare të drogës është shumë e ashpër. Përmendet Brelini, Vedingu. Më 21.06.2021, në një mbrëmje qershori, një grup i armatosur, pa paralajmërim, hap zjarr mbi të pranishmit duke plagosur disa njerëz, para një shisha-bari.

 

Ky biznes i pistë që rrezikon edhe sigurinë nacionale të shtetit, nga bandat e krimit, ka lidhje të ngushtë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe zhvillohet, siç  zbulon hulumtimi i medies gjermane përmes rrugës në hinterlandin shqiptar, luginat e vargmalit të Bjeshkëve të Nemuna. Ato janë strehë e sigurt për mafien e drogës, që njihet si veçanërisht brutale, thuhet në dokumentarin e detajuar mbi klanet e trafikuesve shqiptar të  drogës, në dokumentarin “Mes gangsterësh – Mafia shqiptare”!. Andreas Ulrich-Ekspert i mafies thotë se  Klani, në Shqipëri, ka një rëndësi e domethënie më të lartë sesa shteti ligjor. Familja është, gjithashtu, mbi ligjin në tërësi. Ajo çfarë i shërben familjes, është e mirë. Pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Madje është ende një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare që mendon kështu ndërsa krejt kjo industri kriminale, sipas hulumtimit, zhvillohet në një shtet të kapur shqiptar nga krimi ku nuk sundon ligji. Në një situatë të tillë raportohet se janë mundësit e kufizuara për të bërë një jetë normale në Shqipëri, ku  sigurisht ato ndikojnë më pas edhe në largimin jashtë vendit dhe në hyrjen në strukturat kriminale, apo në angazhimin brenda vendit me kultivimin dhe transportin e drogës. Shqipëria po e merr vendin e prodhuesit numër 1 të  kanabisit në Evropë. Të ardhurat mesatare, 300 euro. 5% e popullsisë, e keq ushqyer, gjë që nuk vlen vetëm për të rinjtë, por ka edhe gra, nëna, që thjesht nuk shohin asnjë mënyrë tjetër për të mbështetur familjet e tyre në vend, përveçse me kultivimin e drogës. Kjo është pasqyra e zymtë e pushtetit të Edi Ramës të lidhur me mafien që po infekton gjithandej shqiptarët edhe përtej kufijve të shtetit amë. Kjo mafie më përmasa lideriste në Evropë i ka kanalet e sigurta të zhvillimit të trafikut sepse ata e dinë saktësisht se ku janë pika e rrezikshme kufitare të kontrollit dhe ju ikin atyre, ndonëse shumë shpesh ndodhë që doganierët e shkathtë kapin në përpjekje trafikimi kontingjente me vlerë milionëshe të trafikimit përmes trekëndëshit kufitar si mallra transit, ndonëse ajo sasi është minimalja e asaj që realizohet me sukses. Vlerësohet se vetëm 10% u bien më pas hetuesve doganorë në rrjetë sepse  kontrabandistët që e njohin vendin, përdorin rrugë të kujdesshme. Klanet shqiptare reagojnë ndaj bastisjeve të policisë me ndryshime të përhershme të rrugëve dhe të personelit, në të ashtuquajturin nivel i vrapuesve, niveli më i ulët i hierarkisë. Thuhet se në luftën kundër trafikantëve të mëdhenj shqiptar, Prokuroria e Frajburgit ka shpesh vështirësi, sepse  një shkelës ligji mund të lëvizë me lehtësi nga Zvicra në Gjermani, nga Gjermania në Francë dhe nga Franca përsëri në Zvicër, çka natyrisht nuk është e mundur për autoritetet e drejtësisë dhe për policinë. Ata përdorin struktura shumë të qëndrueshme familjare, ndaj dhe janë, pikësëpari, jashtëzakonisht të qëndrueshëm. Në bazë, d.m.th. , mes vrapuesve dhe menaxherëve që më pas punojnë në terren, ka shumë, shumë pak njerëz që hapin gojën apo që mund të infiltrohen, sepse i kanë familjet në vendin e tyre, në Shqipëri, ku furnizohen mirë nga krerët e karteleve dhe përdoren, si të thuash, si peng pazaresh kundër këtyre njerëzve të terrenit, që veprojnë në Gjermani ose në vende të tjera të Evropës.  Kjo e keqe e madhe, që për kupolë sigurie ka politikën zyrtare në Tiranë, po merr përmasa të rrezikshme të zgjerimit edhe në Kosovës. Hulumtimi zbulon se  shqiptarët e Kosovës kontrollojnë këtu biznesin e dritave të kuqe. Prona të paluajtshme qendrore këtu,  ku gjithsesi u përkasin pronarëve shqiptarë.  Për mafien shqiptare, raportohet se vetëm tregu i drogës së Frankfurtit sjell qindra miliona euro në vit.

 

Ky hulumtim interesant zbulon se si grupet shqiptare kanë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës në Kolumbi e Ekuador, dhe janë shumë të prira të mbulojnë gjithë zinxhirin e vlerës së transportit. Do të thotë që ata kujdesen për transportin e drogës në Amerikën e Jugut, në portet atje, pastaj për transportin e mëtejshëm në Evropë dhe këtu, si dhe për shpërndarjen e mëtejshme. Bandat shqiptare të drogës njihen si mjeshtër të përshtatjes. Ato pushtojnë pjesë gjithnjë e më të mëdha të tregut, pothuajse pa rënë në sy. Eksperti gjerman Holger Scheller-Këshilli i Lartë për Krimin mos funksionimi shtetit të së drejtës në Shqipëri, sidomos në regjimin e Edi Ramës, ka bërë që të lulëzon dhe zhvillohet pa pendueshëm kjo strukturë e krimit të organizuar dhe të merr përmasa të rrezikshme transnacionale, prandaj edhe në Tiranë, pasaportat dhe identitetet janë të lehta për t’u blerë,  janë pjesë të politikës dhe të policisë  që besohet se janë të korruptuara nga mafia.  Shqipëria, nën qeverinë Rama, cilësohet në media edhe Kolumbia e Evropës. Atëherë, nëse në Shqipëri, me 50 euro, mund të merren identitete të tjera, mund të merren viza, atëherë hetuesit nuk mund ta zgjidhin këtë... Që prej viteve ‘90, miliarda të drogës së prodhuar në Gjermani rrjedhin në Shqipëri, në Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut. Në drejtimin e kundërt, kanabisi dhe heroina trafikohen nga Ballkani Perëndimor, kryesisht në Gjermani. Holger Scheller-Këshilli i Lartë për Krimin zbulon detajin shqetësues sipa të cilit  në vitet ’90-ta, grupet mafioze  i mbushnin makinat me para dhe i çonin në Shqipëri. Ata e bënin atë relativisht me lehtësi dhe blinin diçka atje.  Ose thjesht përdornin njerëz të tjerë për të blerë ndonjë shtëpi apo biznes, në mënyrë që paratë të pastrohen në përputhje me rrethanat. Trojet dhe vilat në vendet më të mira në Tiranë dëshmojnë për suksesin e biznesit të kumbarëve shqiptarë. Të korrat vjetore  të kanabisit thuhet se përbëjnë rreth një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë: 4.5 miliardë euro. Në vitin 2014, qeveria shqiptare urdhëroi bastisje në male. Një javë para se t'i jepet statusi i kandidatit në BE. Andreas Ulrich-Ekspert i mafies konstaton se Natyrisht, gjithmonë lind pyetja shqetësuese nëse një kontrabandë e tillë, siç është mbjellja e marihuanës, është e mundur të bëhet pa pjesëmarrjen apo tolerimin e politikës.

E kjo argumentohet me faktin se si një personalitet si Klement Balili, një zyrtar i lartë i administratës, me lidhje me Presidentin, ndërton një perandori droge prej miliarda dollarësh. Prej vitesh, autoritetet shqiptare e kanë mbrojtur atë nga urdhër-arrestet dhe kërkesat ndërkombëtare për ekstradim. Në vitin 2019, dorëzohet në polici. Njerëzit që ka nga pas, nuk i tregon. Sa është urgjente  që kjo lidhje e  krimit të  organizuar e cila  është një kancer i shoqërisë, të luftohet nga një klasë krejtësisht  re politike sepse  trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave rrezikojnë demokracinë dhe shtetin,  jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në të gjitha trojet shqiptare por edhe përtej në rajon.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".