Në vitin e fundit të dialogut me Serbinë për marrëveshjen finale, kujdes nga asociacioni me kompetenca kushtetuese që sjell pasoja fatale

Në vitin e fundit të dialogut me Serbinë për marrëveshjen finale, kujdes nga asociacioni me kompetenca kushtetuese që sjell pasoja fatale

Hajrullah Tërnava

  • 09 January 2023 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Ndërmjetësimet e pasuksesshme të deritashme nga ana e ndërkombëtarëve për njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, tani e sa vite, janë tepër të stërzgjatura. Tani gjithsesi se kësaj çështje duhet ti vije fundi dhe njohjet reciproke duhet sa më parë të ndodhin, me metoda të tilla se si i parashohin të fortit e botës.

-Në bazë të rrethanave dhe angazhimeve të gjata, vlerësohet se do të jetë ky viti në të cilin posa kemi shkelur, vendimtar për të arritur një marrëveshje kompromisi me Serbinë, më një rol të fuqishëm të trysnisë ndërkombëtare mbi palët në proces. Zyrtari i lartë amerikan Derek Chollet, këshilltar special i Departamentit të Shtetit, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar, derisa në Prishtinë menjëherë pas përfundimit të atmosferës festive të ndërrimit të moteve, ka arritur dhe zhvilluar takime me krerët e shtetit të Kosovës, i dërguari i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stjuart Peach.

Projekti franko gjerman i propozim marrëveshjes tani më ju është dorëzuar të dyja palëve, si propozim të zgjidhjes transitore duke anashkaluar kërkesën recidive për njohje de jure, por që nënkupton tërthorazi njohjen de fakto. Pikë e nxehtë në këtë proces po vazhdon te jetë kërkesa e sforcuar nga Serbia por edhe ndërmjetësuesit në dialog për marrëveshjen e Asociacionit, kërkesë kjo e artikuluar dhe nxjerr kusht edhe gjatë ditëve të kaluara me protestat e serbëve në veri, që eskaluan në bllokim të rrugëve deri në kërcënim për ndërhyrje me forcë nga ana e Serbisë me pretekst të mbrojtjes së serbëve lokal të rrezikuar nga aspekti i sigurisë.

E duke parë dhe vlerësuar rrezikun serioz për shtetin, modeli i asociacionit sipas marrëveshjeve 2013 dhe 2015 është një pikë e kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga spektri i gjerë politik, pikë e cila ka zgjuar për kundërshtim edhe lobin shqiptar kudo ne diasporë, në perëndim. Kundër trysnisë ndaj Kosovës nga diplomatët e SHBA-së e BE-së për asociacionin kanë reaguar së edhe 17 organizata amerikano-shqiptare, të cilat kanë kërkuar nga diplomatët amerikanë dhe ata evropianë që të mos ushtrojnë trysni ndaj Kosovës për ngjarjet e fundit që ndodhën në veri të vendit dhe kërkesat ultimative për asociacionin, model i cili është kontestuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sepse paraqet rrezik për shtetin dhe sovranitetin, shtet brenda shtetit.

Ata kanë kritikuar emisarin amerikan, Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, për deklaratat e tyre se Kosova duhet të bëjë lëshime në raport me Serbinë, prandaj duke bërë paralele për të drejtat e minoriteteve, kanë kërkuar që të ketë reciprocitet mes pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe serbëve në Republikën ne Kosovës. Për këtë lloj asociacioni ata thonë se do të minonte sovranitetin e Kosovës, në formën siç e kërkon Serbia. Këto organizata thonë se duhet të shihet si shembull i mosfunksionimit të shtetësisë modeli siç ndodhi në Bosnje. “Krijimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, siç po kërkohet, do të ishte shkatërrues ndaj rendit kushtetues dhe karakterit shumetnik që Kosova e mishëron, duke e bërë shtetin jofunksional dhe të pa qeverisshim, ashtu siç ka ngjarë në Bosnje.

ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta kuptojnë qartë dhe ta pranojnë që gjendja aktuale nuk është çështje e të drejtave të pakicës serbe. Pakica serbe ka të drejta të mëdha – të garantuara me kushtetutën e Kosovës – të cilat ne vetëm mund t’i dëshirojmë që Serbia t’ua njohë mbi 100,000 shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës”. Në fund këto organizata thonë se trysnia ndaj Kosovës mund të ketë pasoja, prandaj ky lloj i trysnisë duhet të orientohet tek Serbia që të detyrohet ta pranon realitetin dhe ta njoh pavarësinë e Kosovës. “Ky është një moment kyç në histori që të adresohet jo stabiliteti i krijuar nga interesat hegjemoniste të Beogradit dhe të kthehet rajoni në rrugën e paqes dhe mirëqenies ekonomike.

E vetmja mënyrë për ta arritur këtë është duke ia bërë me dije Serbisë – pa humbur kohë – që ajo ose e pranon pavarësinë e Kosovës ose e gjen veten në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Perëndimin, NATO-n, dhe çdo aspiratë që mund ta ketë për të hyrë në BE”, thuhet në deklaratën e nënshkruar dhe publikuar nga 17 Organizatat shqiptaro-amerikane. Gjykata Kushtetuese ishte e qartë kur nënshkrimi i marrëveshjes për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015 e pati shpallur antikushtetuese, prandaj është e qartë se edhe Kushtetuta e Kosovës i parasheh asociacionet kushtetuese në bazë të ligjeve të Kosovës, por pa kompetenca ekzekutive kushtetuese.

Edhe asociacioni i tanishëm ku bëjnë pjesë komunat e tanishme, kryesisht me shumicë shqiptare, është në funksionim e sipër pa probleme, prandaj një asociacion i popullatës serbe është për tu mirëpritur dhe duhet mundësuar vetëm mbi bazën e këtij modeli, që është në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit tonë, kurse asociacioni i krijuar si në Bosnje e Hercegovinë do e krijonte një „Srpska Republikë“ në Kosovë që tani Kosova do të kishte probleme luftarake në mënyrë permanente me Serbinë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".