Mjaft me sjelljet në dialog ndaj Serbisë, është momenti i fundit i ballafaqimit, kushtëzimit me pasojat e gjenocidit dhe të krimit

Mjaft me sjelljet në dialog ndaj Serbisë, është momenti i fundit i ballafaqimit, kushtëzimit me pasojat e gjenocidit dhe të krimit
Mjaft me sjelljet në dialog ndaj Serbisë, është momenti i fundit i ballafaqimit, kushtëzimit me pasojat e gjenocidit dhe të krimit

Dardan Grapci

  • 12 January 2023 - 07:46

Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci

Deri më tani faktori ndërkombëtar është sjellë me tolerancë të tepruar, me lutje dhe komoditet ledhatues ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçic, me vartësit ë tij, dukje anashkaluar qëllimisht të kaluarën e tij të inkriminuar në të gjitha luftërat e zhvilluara në këto hapësira, për të cilat është bashkëpërgjegjës me të gjitha krimet që janë zhvilluar, dhe tash po mbetet figura qendrore edhe në storjen e fundit më rastin e Kosovës në përpjekje të gjetur zgjidhje të njohjes dhe normalizimit, por duke lënë anash të kaluarën e gjenocidit dhe të krimit. Krimet nuk falen, nuk harrohen e aq më pak nuk duhet lejuar të amnistohen.

-Tash në këtë fazë finale të dialogut, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, ka ardhur momenti i fundit që në tavolinë të nxirret para të dyja delegacioneve fatura e krimeve të luftës në Kosovë, pasi që edhe njohës të shumtë ndërkombëtar të zhvillimeve të tmerrshme në këto hapësira vazhdojnë të mbajnë përgjegjës Vuçiqin për të gjitha viktimat dhe krimet të cilat janë zhvilluar dhe vuajtjet me të cilat një popullatë e tërë është ballafaquar derisa ish regjimi i Millosheviqit zhvillonte luftën më të egër, të pabarabartë, me makinerinë e tij të fundit ushtarake për zhdukjen e tërësishme të një populli me synimin për ta pushtuar.

Historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, me të drejtë e ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet akoma faktor negativ dhe destruktiv, edhe në procesin e dialogut për normalizim, duke konstatuar se Serbia është ajo që shkakton ngatërresa në Ballkan, kurse presidenti i saj Vuçiq mbetet, po ai që ishte në vitet 90-ta ministër i propagandës së Millosheviqitit, por tani ka një lidhje të ngushtë ndikimi dhe koordinimi me Rusinë. Në një intervistë dhënë gazetares Adelheid Völfl të gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Jens Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë, duke theksuar se edhe kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë.

Ai kërkoi që BE ta vë Serbinë para zgjedhjes: të heq dorë nga loja e dyfishtë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës dhe të vendosë për apo kundër integrimit në BE. “Fundja Serbia nuk mund ta ndryshojë gjeografinë: ajo është e rrethuar me shtete të BE-së dhe NATO-s. BE nuk e ka shfrytëzuar deri më tani fuqinë e saj dhe nuk i ka bërë presion Serbisë”. Pra tash është koha e duhur tani që në finale të dialogimit, Aleksandër Vuçiqit dhe qeverisë së tij ti nxirret kusht edhe fatura e krimit, sepse ndryshe nuk mundë të bindet për pajtim, për njohje dhe normalizim, pa ju përplasur dosja në tavolinë duke e kushtëzuar dhe kërcënuar edhe me izolim. Historiani dhe Profesori zviceran në Universitetin e Vjenës, z. Oliver Jens Schmitt me të drejtë po e akuzon dhe po e bënë fajtor BE-në për përkëdheljen e saj ndaj Serbisë. Historian.

Edhe Prof. Schmitt është duke deklaruar atë që shumë Kosovar e dinë, dhe ajo është që BE-ja më shumë po e favorizon Aleksandër Vuçicin me kriminelët e tij, se sa Kosovën e cila është viktimë e një tragjedie që nuk është dashur të ndodhë. Sikurse që e ka cekur edhe z. Oliver Jens Schmitt, do e ceki dhe unë që Aleksandër Vuçiqi në vend se me i humb gjurmët e Millosheviqit, ai në fakt i ka veshur të njëjtat këpuce sikurse diktatori i tyre Sllobodan Millosheviq.

Fjala KËPUCË e ka domethënien se Vuçiq po ecë në të njëjtën rrugë të brishtë sikur Millosheviqi, dhe nëse vazhdon kështu, Serbia e Vuçiqit do ta ketë fatin e njëjtë sikur në vitin 98-99, kur sulmet e NATO-s e kanë shkatërruar komplet ushtrinë Serbe. Gjithashtu fajtor kryesor për këto gjëra janë edhe ish-pushtetarët tanë politik në Kosovë, siç janë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Sejdiu, etj, që i bie krejt klasa politike me prapavijë ushtarake.

Prandaj gjithashtu duhet në një mënyrë të fajësohet edhe Albin Kurti që ka pranuar të vazhdohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe lejimi i mëtutjeshëm në protokol rezoluta 1244. Për të pasur paqe Serbët e Kosovës në Kosovë, duhet që të shfuqizohet rezoluta 1244 pa vonesë dhe Kosova të njihet si shtet me sovranitet të plotë e integritet, pa barrierën e rezolutës 1244 dhe pa acarin e fusnotës që ju ka imponuar nga Edita Tahiri, fusnotë që nuk po shkrihet si fusta e borës por po na qëndron e ngirë dhe po në bënë acar në pëllëmbë të dorës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".