Narko-mafia shqiptare e kontrolluar nga Edi Rama rrezikon të zgjerohet edhe në Kosovë

Narko-mafia shqiptare e kontrolluar nga Edi Rama rrezikon të zgjerohet edhe në Kosovë
Narko-mafia shqiptare e kontrolluar nga Edi Rama rrezikon të zgjerohet edhe në Kosovë

Gani Qarri

  • 14 January 2023 - 08:22

Shkruan:Analisti - Gani Qarri

Plasja e "bombës" me zbardhjen e lidhjes së ngushtë të narko-mafies me politikën në Shqipëri, u vërtetua edhe njëherë më tepër, me kapjen në flagrancë të zyrtares së lartë të Qeverisë, Erisa Fero, me mese 60 kg drogë, e cila po dyshohet për lidhje të thellë edhe me krimin e organizuar rus, gjë që paraqet jo vetëm shqetësim por edhe rrezik serioz për sigurinë dhe infiltrimin e këtij rrjeti kriminal përveç Shqipërisë edhe në vendet e rajonit, e veçanërisht në Kosovë.

-Me kapjen e zyrtarëve të lartë të Qeverisë shqiptare, dita e ditës, po dëshmohet lidhja e fuqishme deri në majat e pushtetit aktual mafioz të Edi Ramës me nëntokën e krimit të organizuar, krim ky, që fatkeqësisht paraqet rrezik tepër serioz edhe për vendet në fqinjësi, e veçanërisht për Kosovën, pasi që, pa procedura të ashpra të kontrollit dhe hetimit, kufijtë nuk paraqesin kufizim as mundësi parandalimi, të shtrirjes së krimit edhe në brendësi të Kosovës.

E përderisa e gjithë vëmendja e medies vendore, qëllimisht është fokusuar vetëm te skandali i pastrueses që vodhi qindra-mijëra euro në banesën e zyrtares së lartë të Edi Ramës, portali shumë i njohur ndërkombëtar, VICE World News, rikthen serish vëmendjen te skandali i kohëve të fundit i kontrabandimit të drogës, që ndërlidhet serish, drejtpërsëdrejti me një zyrtare tjetër, të lartë të shtetit, në shërbim të Kryeministrit Edvin Kristaq Rama.

Për aq më tepër, VICE shkruan mbi arrestimin e zyrtares Erisa Fero, të kapur me kanabis, që portali në fjalë e quan ngjarje shumë të rëndë, duke intervistuar edhe një ekspert, i cili ngre dyshime se kjo është një çështje mjaft e ndjeshme sigurie dhe BE duhet ta vëzhgojë nga afër, ngase pas këtij trafiku mund të qëndrojë rrjeti i krimit të organizuar nga shteti rus. Prandaj shqetëson shumë fakti se zbardhja e përditshme e aferave të mëdha të lidhjes së krimit të narko mafisë shqiptare me shtetin, e kontrolluar dhe dirigjuar nga afër prej Qeverisë Rama, mjerisht po i jep Shqipërisë njollën më të zezë në BE, duke u etiketuar si një shtet lider droge e narkotikësh, në qendër të Ballkanit, pra një narko-shtet, ku droga, krimi dhe korrupsioni lulëzojnë nga patronazhimi.

Arrestimi i një zyrtareje kaq të lartë të qeverisë shqiptare me gati 60 kilogram kanabis, tregon katërçipërisht se shteti nuk është duke luftuar sa duhet, për të shkëputur lidhjet e tij me krimin e organizuar, korrupsionin shtetëror dhe gangsterizmin, gjë që e kanë deklaruar vet ekspertët e kriminalistikës ndërkombëtare për portalin prestigjioz të lajmeve VICE World News. Arrestimi në flagrancë, më 29 dhjetor i Erisa Feros, teksa dyshohej se po transportonte 58 kanabis, pra mu në prag të festave të fundvitit dhe atë, në një pjesë tejet të thellë malore të Shqipërisë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, u kthye menjëherë në një skandal të madh politik- duke marrë parasysh pozicionin e saj të lart zyrtar, madje edhe drejtoreshë e IT, në Agjencinë shtetërore të informacionit në Shqipëri-AKSH.

Vet policia shqiptare ka pohuar, se Fero e përdorte edhe ID-në e saj qeveritare, si zyrtare e lartë sigurie për të shmangur postblloqet dhe kontrollet e policisë, ndërsa gjatë arrestimit të saj, u ndaluan edhe partneri romantik i Feros, Lekë Basha, 30 vjeç, si dhe një i dyshuar 17 vjeç, po ashtu, për vepra të trafikut të drogës dhe narkotikëve. Kurse dy të dyshuarit në anën e kufirit të Maqedonisë së Veriut, të cilët besohet se prisnin ta merrnin drogën nga zyrtarja e lartë e Edi Ramës Enisa Fero, sipas policisë, pas një ndjekje të gjatë, u arratisën, porse mediet lokale shprehen se të arrestuarit në incident, përfshirë Feron, kanë lidhje me bandat e krimit të organizuar edhe në rajon. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, krimi në fjalë, ndodhi mu në kohën kur Shqipëria, si anëtare e NATO-s, "zyrtarisht" gjoja po përpiqet të thellojë marrëdhëniet me BE-në, për anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen.

Prandaj pas skandaleve të njëpasnjëshme që po shpërthejnë dita ditës, brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, Kosova medoemos duhet ti përforcojë masat e kontrollit dhe hetojë deri në detaje, lidhjet e dyshimta biznesore, për zbulimin e grupeve të fuqishme kriminale të narko-mafies të cilat në mandatin e Edi Ramës janë forcuar dhe zhvilluar tej mase, duke e pasur aksionare në mbrojtje, edhe vet politikën kriminale të shtetit të udhëhequr nga Edvin Kristaq Rama. Dhe ky virus i trishtë i krimit të organizuar, duket se jo vetëm që nuk po luftohet, por edhe po mbështetet dhe vepron, pothuajse legalisht, mu para hundëve të Qeverisë Rama, krim që paraqet rrezik potencial për shtrirje dhe zgjerim gjithandej vendeve fqinje, e veçanërisht në trojet etnike shqiptare ku mundësitë e depërtimit, janë shumë më të lehta.

Kështu që ani pse një kohë, ka pasur një opinion pozitiv, sipas vlerësimit të raporteve më të reja ndërkombëtare për luftimin e krimit në rrafshin rajonal, skandalet e fundit me lidhje ndërkombëtare të krimit, po e rrezikojnë seriozisht kthimin e izolimit për Shqipërinë. Madje një zyrtar i lartë i NATO-s deklaron se incidenti i kapjes së zyrtares së qeverisë Rama me drogë, tregon vështirësinë për të luftuar korrupsionin në një mjedis patronazhi si Shqipëria, ani pse Shqipëria dhe vende të tjera, përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, kanë pasur përfitime të rëndësishme nga bashkëpunimi me BE-në dhe NATO-n. Me eksesin në sistemet e brendshme të IT-së dhe të informacionit, lidhjet e dyshuara të krimit të Enisa Feros mund të çojnë në një rrezik të lartë të transmetimit të inteligjencës te bandat kriminale dhe shërbimet e inteligjencës armiqësore-deri te lidhjet me Rusinë e Putinit.

‘Do të ishte plotësisht e arsyeshme, thotë zyrtari i NATO-së, që një zyrtare e lartë e Qeverisë së Edi Ramës, e kapur në trafikim të sasive të mëdha të drogës në Shqipëri, të ketë lidhje me grupet e krimit të organizuar rus, që përbënë shqetësim shumë i madh për sigurinë. Aktet e kapjes së zyrtarëve të Qeverisë Rama me drogë, detyrojnë BE, që ta vëzhgojë nga afër Shqipërinë për të parë se si do ta trajtojë këtë lidhje kriminale, citohet të ketë thënë, zyrtari i lartë I NATO-s për VICE World News.

E gjithë kjo flet se sa kërcënuese dhe e rrezikshme, është gjendja edhe për Kosovën, gjë që duhet ti alarmojë fort institucionet tona shtetërorë të inteligjencës, hetuesisë dhe të sigurisë për të parandaluar, me kohë shtrirjen dhe zgjerimin edhe në Kosovë të këtij rrjeti të narko- mafies dhe krimit të organizuar, sidomos kur kihen parasysh edhe paralajmërimi i zyrtarit të NATO-së, për ndikimin rus, në rrjet dhe bashkëpunimin e këtyre bandave kriminale në nivele trans nacionale, deri në Rusi. Një raport i Departamentit të Shtetit, që nga viti 2018 e përshkruan Shqipërinë si vendin e ‘korrupsionit të shfrenuar, institucioneve të dobëta ligjore e qeveritare dhe kontrolleve të dobëta kufitare’ me evazion të lartë fiskal, trafik të drogës, kontrabandës dhe trafikut të qenieve njerëzore si krimet më fitimprurëse në vend, duke dominuar prodhimin rajonal të kanabisit në Ballkan dhe luajtur rol të madh në tregtinë evropiane të kokainës. Por përfshirja e qeverisë së Edi Ramës dhe zyrtarëve tjerë vendorë në tregtinë e drogës, vendin i cili po tenton të anëtarësohet në BE, e ka shndërruar në poligon të hapur ndaj akuzave të gjithanshme se nën qeverisjen e Ramës, Shqipëria është kthyer në narko-shtet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".