Kosova duhet të mbrohet nga Shqipëria  shtet i  etiketuar si qendër rajonale  e narkomanisë dhe krimit të organizuar

Kosova duhet të mbrohet nga Shqipëria  shtet i  etiketuar si qendër rajonale  e narkomanisë dhe krimit të organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 16 January 2023 - 15:20

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

 

Krimi i organizuar që është me të madhe duke e kapluar- përfshi shtetin e Shqipërisë, është për tu habitur,  kur dihet se ky shtet ka pretendime për anëtarësim në BE, e kur shpesh zbulohen veprime kriminale me trafiqe narkotike që janë shqetësuese jo vetëm për shtetin e Shqipërisë por edhe për regjionin.  Rreziku u zgjerimit të krimit të tillë është serioz sepse Shqipëria dihet se është e rrethuar jashtë kufijve të saj me shtete tjera, që edhe në ato shtete jetojnë numër i madh i shqiptarëve, sikur që është Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia edhe që ky shtet është në BE, por edhe në këtë shtet janë  një numër i madh i shqiptarëve, e që kanë lidhshmëri  familjare e kombëtare me shtetet tjera në fqinjësi.

 

Është një gjendje që duhet alarmuar, dhe duhet vepruar të gjithë mekanizmat për ta parandaluar dhe izoluar zgjerimin e krimit të organizuar dhe rrjeteve të narko mafisë nga Shqipëria ne vendet tjera të rajonit, sepse  dita ditës po dëshmohet lidhja e fuqishme e pushtetit aktual mafioz të Edi Ramës në Shqipëri, me nëntokën e krimit të organizuar dhe lidhjet e saj deri në majat e pushtetit.  Ky krim paraqet rrezik serioz edhe për vendet në fqinjësi, e sidomos për raportet me Kosovën, pasi që kufijtë janë vetëm ndarje formale fizike por pa kufizim qarkullimi dhe pa procedura të ashpra kontrolli dhe hetimi. Bomba e radhës e lidhjes së ngushte me krimin në Shqipëri ka shpërthyer me zbulimin e zyrtares së kryeministrit Erisa Fero e cila është kapur me drogë dhe dyshohet për lidhje të thellë me krimin rus, që paraqet shqetësim dhe rrezik për sigurinë për infiltrim të këtij rrjeti kriminal edhe në vendet e rajonit dhe jo vetëm për Shqipërinë. Ndërkohë që e gjithë vëmendja e medies në vend është fokusuar te skandali i pastrueses që vodhi qindra-mijëra euro në banesën e zyrtares së lartë të Edi Ramës, portali shumë i njohur ndërkombëtar, VICE, rikthen vëmendjen te një tjetër skandal i kohëve të fundit që ndërlidhet me një zyrtare të lartë të shtetit, në shërbim të Kryeministrit Rama. VICE shkruan për arrestimin e zyrtares Erisa Fero me kanabis. Portali e quan këtë një ngjarje shumë të rëndë, duke intervistuar një ekspert, i cili ngre dyshime se pas këtij trafiku mund të qëndrojë edhe krimi rus. Sipas tij, kjo është çështje sigurie dhe BE do e vëzhgojë nga afër. Zbulimi hap pas hapi i aferave të mëdha të lidhjes së krimit që përbënë narko mafia shqiptare e kontrolluar dhe dirigjuar nga Qeveria Rama po i jep Shqipërisë njollën e zezë në BE, duke u etiketuar Shqipëria si një shtet lider në qendër të Ballkanit, një narko-shtet, ku korrupsioni lulëzon nga patronazhimi. Arrestimi i një zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare me gati 60 kilogram kanabis tregon se vendi është ende duke luftuar për të shkëputur lidhjet e tij me korrupsionin shtetëror dhe gangsterizmin, kanë deklaruar ekspertët e kriminalistikës ndërkombëtare për portalin prestigjioz të lajmeve VICE World News. Arrestimi i Erisa Feros, 28 vjeç, në prag të festive të fundvitit, më 29 dhjetor në një pjesë të thellë malore të Shqipërisë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, teksa dyshohej se po transportonte 58 kanabis, u kthye menjëherë në skandal politik-duke marrë parasysh pozicionin e saj si drejtoreshë e IT në Agjencinë shtetërore të informacionit në Shqipëri, AKSH. Madje policia shqiptare ka thënë se Fero e përdorte edhe ID-në e saj zyrtare qeveritare si zyrtare sigurie për të shmangur postblloqet dhe kontrollet e policisë. Gjatë arrestimit u ndaluan edhe partneri romantik i Feros, Lekë Basha, 30 vjeç dhe një i dyshuar 17 vjeç, për vepra të trafikut të drogës. Dy të dyshuar në anën e kufirit të Maqedonisë së Veriut, që besohet se do e merrnin drogën, u arratisën pas një ndjekje të gjatë, sipas policisë. Sipas medieve lokale, policia dyshon se të arrestuarit në incident, përfshirë Feron, kanë lidhje me bandat e krimit të organizuar. Krimi ndodhi pasi Shqipëria, anëtare e NATO-s, po përpiqet për një marrëdhënie më të thelluar me BE-në, duke përfshirë anëtarësimin e mundshëm në të ardhmen. Gjithsesi se duhet të përforcohet fusha e kontrollit dhe lidhjeve të dyshimta biznesore në mes Kosovës dhe Shqipërisë pas skandaleve të njëpasnjëshme që po shpërthejnë brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, me zbulimin e grupeve të fuqishme kriminale të narko mafies të cilat në mandatin e Edi Ramës janë forcuar dhe zhvilluar duke e pasur aksionare dhe në mbrojtje politikën kriminale që po e kontrollon shtetin. Ky virus i krimit, derisa nuk luftohet po mbështetet dhe pothuajse vepron legalisht para hundëve të Qeverisë Rama, paraqet rrezik potencial të zhvillimit e zgjerimit gjithandej në fqinjësi, në trojet etnike shqiptare ku janë mundësitë më të lehta të depërtimit dhe të qarkullimit. Edhe pse në disa raporte ndërkombëtare të vlerësimit për luftimin e krimit në rrafshin rajonal, Shqipëria me vendet tjera kanë pasur një opinion pozitiv, skandalet e fundit me lidhje ndërkombëtare të krimit po e rrezikojnë seriozisht kthimin e izolimit. Një zyrtar I lartë I NATO-s kishte deklaruar se Shqipëria dhe vende të tjera, përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, kanë bërë përfitime të rëndësishme në luftimin e krimit të organizuar vendas dhe korrupsionit në bashkëpunim me BE-në dhe NATO-n, por ky incident tregon vështirësinë për të luftuar korrupsionin në një mjedis patronazhi si Shqipëria’. Zyrtari tha se me aksesin në sistemet e brendshme të IT-së dhe të informacionit, lidhjet e dyshuara të krimit të Feros mund të çojnë në një rrezik të lartë të transmetimit të inteligjencës te bandat kriminale ose shërbimet e inteligjencës armiqësore- lidhjet me Rusinë. ‘Do të ishte e arsyeshme që një zyrtar qeveritar i dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të drogës në Shqipëri, mund të kishte lidhje me grupet e krimit të organizuar. Dhe këto grupe sigurisht që janë të përfshirë me krimin e organizuar rus, kështu që ky do të ishte një shqetësim i madh për sigurinë. BE-ja do të vëzhgojë nga afër Shqipërinë për të parë se si do e trajtojë këtë lidhje kriminale, citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë i NATO-s për VICE Ëorld Neës. Patjetër që duhet të alarmohen edhe institucionet Kosovare të inteligjencës, hetuesisë dhe të sigurisë për të parandaluar zgjerimin në Kosovë të këtij rrjeti të krimit, sidomos kur kihen parasysh edhe paralajmërimin rus të ndikimit në rrjet dhe të bashkëpunimit të këtyre bandave kriminale në nivele trans nacionale. Shqipëria ka qenë prej kohësh një qendër për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, duke dominuar prodhimin rajonal të kanabisit në Ballkan dhe duke luajtur një rol të madh në tregtinë evropiane të kokainës. Përfshirja e qeverisë dhe zyrtarëve vendorë në tregtinë e drogës e ka lënë vendin, i cili po tenton të anëtarësohet në BE, të hapur ndaj akuzave se është një narko-shtet. Një raport i Departamentit të Shtetit të vitit 2018 e përshkroi Shqipërinë si vendin e korrupsionit të shfrenuar, institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare dhe kontrolleve të dobëta kufitare me trafikun e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikun e qenieve njerëzore si krimet më fitimprurëse në vend. Duke e pasur parasysh zhvillimin e narkomanisë në shtetin e Shqipërisë, dhe pretendimin e saj të anëtarësimit në BE, institucionet e luftimit të krimit të organizuar dhe krimeve në përgjithësi, duhet të jenë më aktiv në zbulimin e këtyre llojeve të krimit, dhe luftimi ndaj këtyre krimeve duhet të jetë  shumë i ashpër, kështu që rezultatet e luftimit të këtij lloji të krimit të jenë transparente, ashtu që edhe faktori ndërkombëtar të jetë i njoftuar për këto suksese, dhe nëse në të vërtetë luftimi i këtij lloji të krimit dhe krimeve në përgjithësi do të jetë   prioritet dhe i suksesshëm për shtetin e Shqipërisë,  atëherë shpresat për anëtarësimin në BE për Shqipërinë do të jenë reale dhe Shqipërisë shumë më  shpejtë do ti hapen dyert drejtë BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".