Të vonuar dhe të dështuar në shtetndërtim!

Të vonuar dhe të dështuar në shtetndërtim!
Të vonuar dhe të dështuar në shtetndërtim!

Florim Zeqa

  • 01 March 2023 - 14:52

Shkruan: Florim Zeqa

Patriotizëm është dashuria ndaj vendlindjes, vendit nga i ke rrënjet dhe prejardhjen gjenealogjike, është dashuria për familjen, të afërmit dhe farefisin e gjërë. Patriotizëm është dashuria për tokën në të cilën je rritur, patriotizëm është me të marrë malli për ushqimet tradicionale dhe ujin e burimeve nga thellësia e tokës, patriotizëm është edhe nostalgjia për shokët e fëmijërisë, shkollës, studimeve dhe punës.

 Jeta e të rinjëve në mërgim, plot sfida dhe rreziqe

 Shteti dhe qyteti në vend të huaj, ia gërryen shpirtin mërgimtarit me mallin dhe nostalgjin për të kaluarën e tij në vendlindje, por më e keqja është se mërgimi t’i merrë vitet më të mira të jetës dhe dalëngadalë ta vënitë shpresën për kthim në vendlindje.

Pasi, aspektet materiale dhe kushtet e mira të jetës në perëndim, për aq sa t’i lehtësojnë zgjidhjet e problemeve të jetës, aq ta vështirësojnë kthimin në atdhe!

Edhe përkundër gjendjes së mirë socio-ekonomike, njeriu asnjëherë nuk e gjenë rehatin dhe qetësinë shpirtërore sikurse e gjenë në atdheun e vet, sikurse e gjenë në tokën ku ka lindur dhe është rritur.

Vala e largimeve masive e të rinjëve nga Kosova, sa është bërë shqetësuese për të ardhmen e shtetit, aq është sfiduese për të ardhmen e të rinjëve në vendet evro-perëndimore, kur, jo të gjithëve ju buzëqesh fati i rehatisë dhe zgjidhjes së problemeve financiare.

Shumë të rinjë, nga dëshira për pasurim të shpejtë rrëshqasin në rrjetin e grupeve kriminale, të shpërndarjes së narkotikëve dhe prostitucionit, nga të cilat, jo vetëm që nuk arrijnë pasurohen, nuk shpëtojnë dot nga përfundimet tragjike!

Gjendja e pashpresë të cilën e katandisen shtetin njerëzit e politik-bërjes, ka shkaktuar pakënaqësi dhe pasiguri tek qytetarët, duke ua thyer të gjitha shpresat të rinjëve për jetë dhe rrënuar ardhmërinë e vendit.

Arteria më e shëndoshë kombëtare, e harruar nga politikanët-rinia jonë e mrekullueshme, qenja më e çmuar kombëtare meriton shumë më shumë nga ajo që ju kanë ofruar deri më sot politikanët e pangopshëm apo siq unë e parapelqejë t’i quaj kusarët politikë, të cilët rropën e ç’rropën gjthçka që ju erdhi në dorë, duke e trajtuar Kosovën si plaçkë lufte, ndërsa qytetarët si skllevër të robëruar.

 Izolimi “dhuratë” e burokratëve perëndimorë, varfëria dhe pabarazia qytetare pasojë e politikanëve injorantë

 Mirëpo e gjithë kjo nuk po ndodhë krejtësisht edhe për fajin e politikanëve tonë, sa është duke ndodhur edhe nga burokracitë e kancelarive perëndimore, një pjesë e të cilave, siq duket janë të ngarkuara me mision nga Serbia për zbrazjen e Kosovës nga popullata e saj.

Burokratët perëndimorë, nga paslufta na privuan nga e drejta për të pasur monedhën tonë kombëtare (Lekun e Shqipërisë apo Dardanin e projektuar nga presidenti historik Ibrahim Rugova), të cilët fillimisht na imponuan modhedhën gjermane (DM), më pas atë evropiane (EURO), tani 24 vite në liri dhe 15 vjet si shtet i njohur ndërkombëtarisht, po na mbajnë edhe të izoluar pa të drejtë lëvizje të lirë drejt shteteve evro-perëndimore, përderisa qytetarët e shteteve të rajonit me monedhat e tyre tradicionale lëvizin lirshëm drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Kjo është një padrejtësi, të cilën nuk është dashur pranuar nga fillimi politikanët injorantë dhe karrierist, të cilët për mbajtjen, përkatësisht marrjen e pushtetit në gjysëm shtet e harruan interesin e qytetarëve dhe fatin e shtetit në tërësi.

Barazia dhe mirëqenja qytetare nuk ndërtohen me fjalë dhe frazeologji poetike, as me mashtrime dhe hipokrizi, e aq më pak me hajdut dhe matrapaz politik që i vënë në pazar interesat e shtetit dhe qytetarëve.

Prandaj, jo rastësisht e ngrita si shqetësim largimin e të rinjëve në shkrimin paraprak me titullin metaforik “Kosova po vdes pas syve tanë!”, duke aluduar në mbylljen e syve të politikanëve tanë përballë depopullimit të Kosovës nga shqiptarët autokton.

 Heshtja e politikanëve karrshi të keqës që po i ndodhë vendit, është pak më tepër se verbëri politike, është mashtrim i qytetarëve dhe tradhti kombëtare. Sikur politikanët t’i shihnin me kohë gabimet e tyre, nuk do të ndodhte odiseada e largimit e të rinjëve nga Kosova 24 vjet pas çlirimit. Jemi të vonuar dhe të dështuar në shtetndërtim.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".