Opozita kosovare po e kritikon ekzekutivin pa argumente për dialogun, po mashtron

Opozita kosovare po e kritikon ekzekutivin pa argumente për dialogun, po mashtron
Opozita kosovare po e kritikon ekzekutivin pa argumente për dialogun, po mashtron

Gani Qarri

  • 29 March 2023 - 11:09

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Kritikat djallëzore dhe tërësisht të pa sinqerta të opozitës së inkriminuar, të cilës ky vend, pikën e sherrit ia ka pa, ndaj qeverisë aktuale lidhur më dialogun dhe marrëveshjen e nënshkruar në Ohër, me një fushatë, kaq të stërkequr e jonormale, të fokusuar në mënyrë kaq të egër, tek tema e modifikuar e asociacionit dhe statusi i kishës ortodokse serbe, janë aq të pavend e djallëzore, sa që edhe vet dy çështjet kyçe, për të cilat ata sot akuzojnë, janë trashëguar pikërisht nga mandatet e qeverisjes së kaluar me marrëveshjet, që ata vet i kanë nënshkruar.

Kjo opozitë oportune, po mundohet kot, që gabimet e saja fatale sa ishte në pushtet, tani t`ia faturojë qeverisë aktuale vetëm për të zhurmuar, dhe përdorë klientelën e vet elektorale, për të provuar të mashtrojë qytetarët e pa informuar. Në fakt modifikimi dhe ndryshimi i titullit të asociacionit shprehimisht, në vet menaxhim, është vepër pozitive dhe hapje e mundësisë për korrigjimin e gabimit të qeveritarëve të kaluar që asociacioni i nënshkruar prej tyre, të përshtatet me Kushtetutën e Kosovës për të mos lejuar në asnjë mënyrë, kompetenca ekzekutive të cilat paraqesin shtet brenda shtetit dhe minojnë funksionimin e sovranitetit dhe integritetit territorial e kushtetues të Republikës së Kosovës!

Megjithatë kryeministri Albin Kurti është përballur me kritika të ashpra në seancën e raportimit, të mbajtur me 23 mars, në Kuvendin e Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit rreth marrëveshjes së Ohrit, ku ai u akuzua edhe për Asociacionin, statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe "koncesionet" tjera, që sipas opozitës i paska bërë Serbisë në bisedime, ani se Kosova arriti marrëveshje me Serbinë në Ohër pa nënshkruar ndonjë dokument. Prandaj, kryeministri Albin Kurti, me arsye sqaroi, se meqë s’është e nënshkruar, për pikën më të nxehtë si asociacionin, mund të diskutohet në Kuvend, i cili tani ka interpretim të ndryshuar dhe Kosova do ta bëjë atë, por kryeministri siguroi deputetët, se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. “Ne bëmë maksimumin për të përmirësuar situatën dhe ia dolëm që të sigurojmë më shumë hapësirë për ecjen përpara.

U bë plotësisht e qartë nga Lehtësuesi apo ndërmjetësuesi i BE-së dhe nga partnerët tanë amerikanë se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit ndërmjet komunave dhe qeverisë së Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, as nuk do të largohet nga kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo është bërë edhe gjatë procesit të dialogut edhe në deklarimet publike. “Pra ka dalë qëndrimi i drejtë i kritikës sonë ndaj çfarëdo qëllimi, synimi apo kërkese të Serbisë që fatkeqësisht në të kaluarën edhe janë pranuar në Kosovë”, ka deklaruar Kurti para deputetëve të Kuvendit.

Megjithatë përplasjet dhe akuzat kanë shkuar deri në shfryrjet më banale të sharjeve nga deputeti Kujtim Shala i LDK-së etj, i cili madje mban edhe titull "akademik" që nënkupton ,se jo vetëm në Kuvend, por edhe para studentëve, çfarë edukate të turpshme përcjellin akademikët e partive të inkriminuara. Madje në një rast deputeti i LDK-së Kujtim Shala u regjistrua qartazi duke sharë për çka iu dha edhe një vërejtje publike nga kryetari I Kuvendit, krejt kjo dëshmon se opozita e inkriminuar pa fije turpi, po mundohet, që gabimet të cilat i ka bërë vet në të kaluarën sa ishte në pushtet, ti mbulojë me sharje e fyerje të ulëta dhe zhurmime të pa argumentuara duke përdorur edhe shprehje vulgare, deri në sharjet me nanë, për ta tërheq vëmendjen e opinionit publik dhe votuesve të mashtruar, me shpresën që votuesit të mos e ndëshkojnë tanimë dyfish, LDK-në dhe partitë tjera të inkriminuara edhe në të ardhmen.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".