Po bije alarmi për ta pastruar edhe policinë e Kosovës nga virusi i krimit të organizuar

Po bije alarmi për ta pastruar edhe policinë e Kosovës nga virusi i krimit të organizuar
Po bije alarmi për ta pastruar edhe policinë e Kosovës nga virusi i krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 03 April 2023 - 15:43

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

 

Se politika e inkriminuar ka arritur ti infektojë thellë edhe organet e sigurisë, këtë e vërteton më së miri raporti zyrtar, ku thuhet se vetëm gjatë vitit të kaluar inspektorati i policisë së Kosovë ka trajtuar 1697 ankesa për shpërdorim të detyrës nga vet zyrtarët policor. 

 

Vetëm në fushën e parandalimit, raportohet se janë hetuar 257 punonjës policorë dhe janë arrestuar 108 sosh, ndërsa është rekomanduar suspendimi i mese 164 punonjësve policorë, detaje këto, të cilat para deputetëve në Kuvend, i ka zbardhur vet, krye shefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj. Prandaj krejt kjo, flet qartazi, se është jo vetëm për tu shqetësuar, por edhe ngritje e alarmit për të vepruar urgjentisht, në mënyrë që të spastrohen përfundimisht, radhët e policisë së Kosovës nga individët që në mënyrë të pa merituar dhe aksidentalisht kanë depërtuar aty, përmes njoftësive, parave dhe allishverisheve tjera kriminale e korruptive, edhe pa u verifikuar fare. Raportimi i fundit i inspektoratit të policisë para komisionit të Kuvendit të Kosovës, dëshmon katërçipërisht se është mese një mal i tërë i rasteve të policëve të dënuar, të ndëshkuar, nën masa ligjore, si dhe të suspenduar edhe nga puna, për abuzim dhe rënies ndesh me ligjin. Sipas inspektoratit të policisë së Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar janë trajtuar 1697 ankesa për shpërdorim të detyrës, janë hetuar 257 punonjës policorë dhe janë arrestuar 108 prej tyre, madje është rekomanduar edhe suspendimi i 164 punonjësve policorë. Kështu që detajet e zbuluara për devijime flagrante, në ushtrimin e detyrës dhe zbatimin e ligjit nga ana e policisë, flasin hapur për nevojën urgjente të ashpërsimit të kritereve për pranim dhe reformës substanciale në sektorin e punësimit të policëve. Kjo duhet të ndodhë medoemos për vet faktin se policia e një vendi, është hapi i parë i funksionimit të shtyllës së drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar, andaj pa një polici të profesionalizuar dhe të pa ndikuar nga grupet kriminale e korruptive të interesit, nuk mundë të ketë as drejtësi efikase dhe as luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".