Një lëvizje e vogël e fillimit të vonuar, për shkëputjen e sistemit të drejtësisë nga bashkëjetesa me krimin e organizuar

Një lëvizje e vogël e fillimit të vonuar, për shkëputjen e sistemit të drejtësisë nga bashkëjetesa me krimin e organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 30 April 2023 - 09:02

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Shpallja e dënimit me burg për një gjyqtar të Republikës së Kosovës, për marrje ryshfeti, në këtë rast gjyqtarit Sali Berisha, është një tregues që flet se falë presionit të madh publik dhe medieve të pa varura, ngadalë, me shumë vështirësi, por megjithatë po fillon ç’kapja e shumëpritur e sistemit të drejtësisë nga krimi i organizuar, pastrimi nga ata që nuk e meritojnë dhe janë pasuruar duke zhvatur, duke ja bërë avokatin krimit në kompensim për para të majme, me shpëtim nga goditja e ligjit dhe ndëshkimit.

 

Pasi ishte kapur duke marrë ryshfet, gjyqtari Sali Berisha është dënuar me burg dhe ndalim të ushtrimit të detyrës. Berisha është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vite e gjysmë burgim, përderisa akuzohet për marrjen e 2 mijë eurove ryshfet dhe posedim të revoles pa leje. Atij i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ku i është ndaluar ushtrimi i funksioneve publike dhe shtetërore për tri vitet e ardhshme. Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Berisha është dënuar edhe me gjobë prej 4 mijë eurosh për “marrje ryshfeti” dhe 1 mijë euro për armëmbajtje pa leje. Dënim unik me gjobe prej 5 mije euro duhet ta paguajë në afat prej 1 muaji pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në seancën e fundit e mbajtur më 24 prill, Prokuroria Speciale kishte kërkuar dënimin e ishgjyqtari Sali Berisha, ndërsa mbrojta lirimin e tij. Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare. Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “Kontrabandimi me emigrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale. Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet. Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë. Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit. Ky rast, është gjithsesi edhe një argument tjetër pse duhet iniciuar pa vonesë hetimin dhe verifikimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuritë e tyre milionëshe që kanë krijuar, e të cilat nuk kanë mundësi për ti arsyetuar, sepse ashiqare puna e tyre e dështuar në zbatimin e ligjit dhe luftimin e kriminalitetit ka qenë e para programuar me skenarin e shitblerjes së drejtësisë, duke ja bërë pa kursim avokatinë nëntokës kriminale, oligarkëve të inkriminuar dhe mafio politikës që po ashtu ka qenë dhe mbetet akoma e lidhur ngushtë me krimin e organizuar. Ky është edhe një element shtesë pse duhet pa vonesë për të ecur përpara me Ligjin Vetting, mjeti i vetëm që mundëson hetim dhe verifikim gjithëpërfshirës për pastrim gjeneral të sistemit të drejtësisë të dështuar, për shkëputje të të gjitha hallkave lidhëse me krimin e organizuar. Shpallja e dënimit me burg ndaj gjyqtarit Berisha, është një shpresë e argumentuar se kjo qeveri edhe në praktikë po e jetëson premtimin e dhënë para zgjedhjeve elektoratit, që do ta luftoj krimin e organizuar dhe krimet në përgjithësi, dhe elektorati me këto veprime do ti qëndroj besnik kësaj qeverie, dhe në zgjedhjet e radhës prapë do t’ia jep votën. Por qeveria në pushtet duhet akoma më ashpër ta luftoj këtë dukuri të krimit në të ardhmen, dhe ata që zbulohen, që kanë përfituar nga profesioni i tyre, duke kryer krime për përfitime duhet të dënohen me dënimet më të rënda, dhe duhet t’iu ndalohet veprimtaria e tyre në institucionet e drejtësisë përgjithmonë, sepse vetëm në këtë mënyrë ata të cilët lakmojnë për përfitime e duke pas rroga të majme, do të vetëdijesohen dhe do ta ruajnë kulturën institucionale zyrtare të ruajtjes së vendeve të punës së tyre, dhe do të punojnë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës në të ardhmen.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".