Mjaft me denoncime e etiketime anonime, të zbulohen ashiqare kush janë prokurorët e korruptuar që po i bëjnë avokatinë nëntokës së krimit të organizuar

Mjaft me denoncime e etiketime anonime, të zbulohen ashiqare kush janë prokurorët e korruptuar që po i bëjnë avokatinë nëntokës së krimit të organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 12 May 2023 - 07:43

Shkruan :ANALISTI : Hajrullah Tërnava

Gjithsesi se tash është koha që të zbulohen edhe me emër e mbiemër të gjithë ata zyrtar, qoftë të Prokurorisë së Shtetit apo edhe OSHP-së që bëjnë presion mbi institucionet, sikur në këtë rast të denoncuar publikisht, për të marr vendime, madje nënshkruar për të dhenë e dhuruar tenderë në mënyrë kundërligjore edhe për subjektet ekonomike që nuk i plotësojnë kushtet mbi bazën e ligjit.

-Jetësimi i demokracisë në një shtet, varet nga institucionet e atij shteti, e që në rend të parë, në krye të atyre institucioneve qëndron Qeveria të cilën e ka zgjedhur populli me votën e shumicës. Qeveria e zgjedhur nga populli, i emëron prijësit e atyre institucioneve sipas hierarkisë ligjore, dhe ata i japin llogari po asaj Qeverie në pushtet, prandaj nëse ato institucione bëhen të padëgjueshme dhe nuk punojnë ashtu si duhet, në bazë të ligjeve të shtetit, ajo Qeveri duhet sa më parë ti ndërroj ata udhëheqës të atyre institucioneve, me të tjerë, të shkolluar dhe me përvojë të duhur që e parasheh ligji.

Të emëruarit në institucionet e shtetit, apo të zgjedhurit sipas rregullave të konkursit, duhen ti zbatojnë ligjet e atij shteti në fuçi, dhe me ato veprime të tilla ligjore, sa më mirë që funksionojnë ligjet në atë shtet, dhe në bazë të funksionimit ligjeve të atij shteti, ai shtet do të ishte i komplimentuar edhe nga shtete tjera të botës, dhe do të ishte shembull edhe për shtetet tjera, se si duhet të funksionojnë ligjet e shteteve në përgjithësi.

Çdo pengesë e jetësimit të ligjeve është kulmi i skandalit, dhe ngritja e dyshimit për lidhje të ngushtë të interesit korruptiv e kriminal. Ndërhyrja e organeve dhe institucioneve të drejtësisë në përzgjedhjen e fituesit të tenderëve që shpallen nga ana e Qeverisë është një lloj grusht shteti korruptim e mafioz. Për një aferë të tillë të dyshuar se udhëhiqet nga grupet mafioze të interesit, ka reaguar Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i cili ka akuzuar Prokurorinë e shtetit dhe e OSHP-në, se të dyja këto institucione, në mënyrë të koordinuar, janë duke bërë presion mbi dikasterin që ai e udhëheq për të nënshkruar kundërligjshëm tenderin për insulina. Ministri i Shëndetësisë, Vitia, ka drejtuar akuza ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Prokurorisë së Shtetit, se po u bëjnë presion për tenderin për furnizim me insulina. Në një konferencë për media ai ka thënë se OSHP dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion ndaj Ministrisë që ta nënshkruajë kontratën me një operator që s’ka dhe as nuk ka aplikuar ndonjëherë për autorizim marketing, kusht i cili parashihet edhe me Ligjin për produkte dhe pajisje medicinave.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe njëherë shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm që po i bëhet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Prokuroria e Shtetit, në lidhje me aktivitetin e prokurimit për furnizim me insulina. OSHP dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë, që kontrata të nënshkruhet një operatori që nuk ka, madje as nuk ka aplikuar deri më tani për autorizim marketing, që është obligativ sipas Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe që është garancioni i cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të barnave”, ka thënë Vitia.

Madje, ai ka shprehur dyshime të mëdha për motivet e presionit nga OSHP dhe Prokuroria e shtetit për nënshkrimin e këtij tenderi duke theksuar se prapa këtij presioni indirekt qëndron mafia farmaceutike, prandaj vetëm interesi i tyre është që të veprohet në kundërshtim me ligjin. Secili qytetar që është kundër këtyre dukurive negative në shoqëri, me të drejtë tash do ta shtron pyetjen se edhe çfarë denoncimesh të tjera politike duhet të ndodhin, në këtë mënyrë skandaloze, për tu dëshmuar se sa thellë ka depërtuar nëntoka e krimit të organizuar, kur edhe në rastet ku provohet të zbatohet ligji dhe barazia para ligjit, vetë institucionet e drejtësisë ndërhyjnë për ti shkelur rregullat dhe ligjet, sepse i kanë njerëzit e tyre, lidhjet mafioze me grupet e interesit të cilat detyrimisht duhet përfituar.

Gjithsesi se tash është koha që të zbulohen edhe me emër e mbiemër të gjithë ata zyrtar, qoftë të Prokurorisë së Shtetit apo edhe OSHP-së që bëjnë presion mbi institucionet, sikur në këtë rast të denoncuar publikisht, për të marr vendime, madje nënshkruar për të dhënë e dhuruar tenderë në mënyrë kundërligjore edhe për subjektet ekonomike që nuk i plotësojnë kushtet mbi bazën e ligjit. Vetëm një luftim serioz i krimit të organizuar dhe korrupsionit, krimit në përgjithësi e në përputhshmëri me ligjet e shtetit, shtetit i sjell autoritet dhe suksese si dhe krijon kulturë institucionale ligjore te qytetarët e saj, dhe me sjellje të tilla ligjore të luftimit të të gjitha të këqijave në atë shtet, shteti do të përfitoj autoritet ndërkombëtar, dhe shtetit do ti hapen dyert drejtë shteteve tjera demokratike të BE-së, dhe në këtë mënyrë kjo Qeveri do ta qeverisë edhe gjatë shtetin, në bazë të votave që qytetarët e saje do t’ia japin në zgjedhjet e radhës

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".