Drejtësia e pavarur në shtet testohet kur krimi dhe korrupsioni goditen me të paren tek njerëzit e veshur me pushtet

Drejtësia e pavarur në shtet testohet kur krimi dhe korrupsioni goditen me të paren tek njerëzit e veshur me pushtet
Drejtësia e pavarur në shtet testohet kur krimi dhe korrupsioni goditen me të paren tek njerëzit e veshur me pushtet

Gani Qarri

  • 18 May 2023 - 07:56

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në gjykatat me sistem sagllam-sallamadi të Kosovës, ku çdo gjë mund të shohësh e dëgjosh, por vetëm ligj dhe drejtësi nuk gjen, ka kohë që përveç manipulimeve tjera, të panumërta, të inskenohen edhe rastet e dështimit qëllimisht, të seancave gjyqësore!

-Krejt kjo katrahurë zhvillohet si në lojëra kalamajsh; herën e parë mungon prokurori, herën tjetër ndërrohet gjyqtari, herën e tretë nuk merr pjesë avokati, apo anasjelltas dhe krejt kjo duket se varet nga marrëveshjet interne, madje jo rrallë njëjtë si në rastin e fundit, mungon edhe vet i akuzuari e mos të flasim këtu edhe për dëshmitarët, paraqitja e të cilëve, më tepër varet nga dëshira personale.

Në rastin e ngritur kundër Lluka-jt dhe Demaj-t, sipas aktakuzës, ata përveçse ua kanë mohuar të drejtën e konkurrimit kompanive të tjera, nuk i kanë përfillur as procedurat e prokurimit, duke punuar pa projekt, pa raport pune, pa menaxher për përcjelljen e punimeve dhe pa komision për vlerësim të punimeve të kryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej hiq më pak se 92 mijë e 827 euro e 61 centë!

Por përkundër të gjitha këtyre zhvillime diletante, habit fakti se pse sot e kësaj dite, as Ministria e Drejtësisë nuk ka aprovuar asnjë masë adekuate ligjore, veçanërisht kur shihet se proceset gjyqësore për aferat korruptive, qëllimisht inskenohen, në mënyrë që të zvarriten në kohë deri në parashkrim të rasteve, pa mundësuar, nxjerrjen e asnjë aktgjykimi! Ndaj mbetet e patejkalueshme pyetja interesante, drejtuar drejtpërsëdrejti Ministrisë së Drejtësisë dhe vet Qeverisë qendrore të Kosovës se deri kur mund të tolerohen sjelljet e tilla skajshmërisht të pa përgjegjshme të gjykatave sallamadi të Kosovës, të cilat po dëshmojnë se nuk janë të afta të ushtrojnë trajtim ligjor të rasteve dhe as të nxjerrin gjykim meritor ndaj të akuzuarve për korrupsion, në institucionet tona të drejtësisë. Kohët e fundit, modeli më i adhuruar i kurdisjes së rasteve të gjykimit me skenar paraprak për dështim të qëllimshëm të seancave gjyqësore, duket se janë, pikërisht rastet korruptive, kur para gjyqit duhet të përgjigjen figura të nivelit të lartë të pushtetit.

Dhe një seancë e tillë famoze, ka dështuar edhe të martën që lamë pas, ku duhej të niste gjykimi për korrupsion ndaj ish-këshilltarit dhe ish- shefit të kabinetit të Ramush Haradinajt, Jahja Lluka.

Për tu bërë rasti në fjalë edhe më i çuditshëm, i akuzuari kryesor ka munguar qysh në seancën e parë të shqyrtimi fillestar, ani pse ai dhe ish-shefi i kabinetit, Gani Demaj, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. E ilaçi më i sigurt për dështim të garantuar të seancave gjyqësore, është bërë manipulimi me adresa, që po përdoret si shkak, për zvarritjen e pa fund, të mos paraqitjes së të akuzuarve në seanca gjyqësore. Dhe sado që seanca e radhës do duhej pasonte më 30 qershor 2023, çuditërisht, procesi “fillestar” i këtij rasti është shtyrë edhe për dy muaj, ani pse në aktakuzë thuhet se Lluka dhe Demaj kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me rastin e kryerjes së punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve: Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.

Por megjithëse sa për arsyetim është thënë se gjoja do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës, në mënyrë që të akuzuarit, “ti dorëzohet ftesa”, krejt kjo lojë fëmijësh, duket se bëhet vetëm për aranzhim të pazarit dhe çuarjen e procesit drejtë dështimit ndaj Llukës dhe të tjerëve! Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Lluka, nga pozita e këshilltarit politik të ish Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, thuhet se ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar dhe tejkaluar kompetencat e tij, duke e angazhuar drejtpërdrejtë kompaninë “NTP Art Cora”, dhe mundësuar asaj përfitim në mënyrë të kundërligjshme edhe për kryerjen e punëve në varrezat e dëshmorëve dhe heronjve: Adem Demaçi, Ahmet Krasniqi, Qazim Jakupi, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj!?

Ndërsa i akuzuari Demaj si shef i kabinetit të ish Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sipas akuzës, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkaluar kompetencat e tij dhe vepruar kundërligjshëm, duke nënshkruar faturat kundërligjshëm edhe pa u kryer punimet në varrezat e lartcekura. Aktakuza thotë se Lluka dhe Demaj kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, Rregulloren për Shpenzimin e Parasë Publike si dhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave. Lluka dhe Demaj, përveçse ua kanë mohuar të drejtën e konkurrimit kompanive të tjera, sipas aktakuzës ata nuk i kanë përfillur as procedurat e prokurimit, duke punuar pa projekt, pa raport pune, pa menaxher për përcjelljen e punimeve dhe pa komision për vlerësim të punimeve të kryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 92 mijë e 827 euro e 61 centë.

Dy figurat kyçe të kabinetit të ish kryeministrit të Kosovës, LLuka dhe Demaj, akuzohen se me këto veprime, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj edhe ky rast dëshmon më së miri, se njerëzit e lidhur me politikën, përveçse nuk zgjedhin mjete dhe mënyra për tu pasuruar edhe patriotizmi dhe kakofonia e tyre e zhurmshme në emër të figurave të dëshmuara të së kaluarës historike për shtetin, shërbejnë vetëm si mbulesa të abuzimit monetar, përderisa edhe në raste të tilla, po dëshmohet se nuk e kanë seriozisht asnjëherë qëllimin fondamental të përkujdesjes serioze dhe nderimit të sinqertë, të personaliteteve patriotike, por vetëm përfitimin personal.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".