Shpend Ahmeti duhet të arrestohet, të hapet urgjentisht dhe hetohet dosja kriminale e ish kryetarit të Prishtinës dhe vartësve të tij me lejet ndërtimore

Shpend Ahmeti duhet të arrestohet, të hapet urgjentisht dhe hetohet dosja kriminale e ish kryetarit të Prishtinës dhe vartësve të tij me lejet ndërtimore
Shpend Ahmeti duhet të arrestohet, të hapet urgjentisht dhe hetohet dosja kriminale e ish kryetarit të Prishtinës dhe vartësve të tij me lejet ndërtimore

Gani Qarri

  • 18 May 2023 - 16:12

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Pas bastisjeve të 17 majit, edhe pse me vonesë, duket se zbardhja dhe gjykimi i skemës kriminale të shkatërrimit të Ndërmarrjes Publike Banesore përmes pazareve të pista të përfitimit për interesa personale e kriminale, të ish zyrtarëve të NPB në Prishtinë, dhe ish Qeverisë Komunale të Shpend Ahmetit, më në fund po merr rrugë. Përfundimisht po ndodhë zbardhja e akteve të atyre të cilët me procedura të kundërligjshme kishin nënshkruar një kontratë të dëmshme qindra milionëshe duke i dhënë fund edhe ekzistimit dhe funksionimit të Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, me tjetërsim të pronave të "lëshuara" kinse për ndërtim dhe bashkë shfrytëzim.

 

Historia e kësaj afere kishte filluar, që në vitin 2021, kur NPB-ja me leje të Komunës së Prishtinës, e drejtuar aso kohe nga Shpend Ahmeti e kishte bërë hisedarë kompaninë private, Made Group Constuction, më shumicën e hises, 64 për qind të objektit komercial e banesor. Ndërsa kjo çështje problematike ligjore, e dyshuar për korruptim dhe abuzim të skajshëm, lidhet drejtpërdrejt me tentativën për të çuar përpara projektin e dyshimtë 120- milionësh afaristo banesor të NPB-së, në Lakrishtë që kulmoi me skandalin mjedisor të shkatërrimit të azbestit kancerogjen, projekt ndaj të cilit rëndojnë akuza të rënda për dhjetëra shkelje ligjore e procedurale. Rasti i NPB-së ishte miratuar në formë "kontrabandimi" të kundërligjshëm në Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës gjatë qeverisjes komunale të Shpend Ahmetit. Dhe pasi kjo aferë atëbotë u bë shumë mediatike, ish qeverisja komunale e Prishtinës e drejtuar nga Shpend Ahmeti, në përfundim të mandatit të saj, e pati ndryshuar dhe “pezulloi” vendimin e kundërligjshëm që e kishte miratuar vet, për caktimin e kufirit mes parcelës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakrishtë. Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë akuzohej aso kohe nga Ministria e Mjedisit se përmes një akti noterial, ia ka dhënë pronën e paluajtshme publike në shfrytëzim të PËRHERSHËM kompanisë private Made Group Construction me qëllim të ndërtimit të objektit banesor afarist në Lakrishtë, projekt ky milionësh mbi të cilin rëndonin akuza të rënda publike për shkelje ligjore e parregullsi të tjera, por megjithatë, për të, kishte heshtur gjatë gjithë kësaj kohe Komuna e Prishtinës. Për aq më tepër, sipas ministrisë, Ligji nr. 06/L-092 nuk njeh shfrytëzim të përhershëm, as dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, por njeh vetëm shfrytëzim të përkohshëm, kohëzgjatja maksimale e të cilit shkon deri në 99 vjet. Prandaj NPB-ja dhe komuna e Shpend Ahmetit akuzoheshin se me këtë akt e kanë privatizuar pronën publike komunale dhe prej asaj kohe, vetëm me 17 të këtij muaji, me urdhër të Prokurorisë Speciale, është realizuar bastisja e pronave të 11 zyrtarëve, nën “Dyshime për keqpërdorim me procedurat e ndërtimit të objekteve në vlerë mbi 120 milionë euro”, që lidhen pikërisht me rastin e NPB-së na lagjen Lakrishte të Prishtinës. Sipas prokurorisë, “ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, ku janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”! Por çuditërisht edhe pas këtij aksioni kaq të vonuar, bashkë partiakët e ish kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, reaguan bukur sert, madje edhe duke deklaruar se bastisjet në 12 lokacione ishin vetëm skenar i përndjekjes politike!? Kështu që, për të gjitha ato sa kanë ndodhur, është jo vetëm e pritshme, por edhe mese e nevojshme që Prokuroria e shtetit, të fillojë një aksion shumë më të gjerë të hetimit, për zbulimin e mega aferës së vërtetë të Shpend Ahmetit dhe vartësve të tij, mbi tregtinë që ata qëllimisht, kanë bërë me dhënie të kundërligjshme të lejeve të ndërtimit, për të përfituar materialisht, në mënyrë grupore dhe individuale, nga bashkëpunimi me mafien e ndërtimeve dhe krimin e organizuar, jo vetëm në Prishtinë, por ndoshta edhe më gjerë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".