Lexoni edhe:
SHBA dhe BE në mbështetje të Qeverisë: Asociacion për komunat me shumicë serbe vetëm sipas ligjeve dhe Kushtetutës me interes të përgjithshëm për integrim dhe zhvillim
Shkruan: ANALISTI - Dardan Grapci
Drejtësia në Kosovë ende nuk ekziston siç duhet, nëpër gjykata dhe prokurori, sepse akoma nuk kemi të instaluar llogaridhënie dhe përgjegjësi të ashpër disiplinore, morale e penale kundër gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe politikanëve që janë kontrollues dhe zaptues të sistemit të drejtësisë. Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës, Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë urgjentisht ta procedojnë e votojnë Ligjin e Vettingut, që përfundimisht të spastrohet sistemi i degraduar dhe korruptuar, dhe të mos na përsëriten skandalet nëpër gjykatat e Kosovës, skandale që po ndodhin dhe duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë.
Duhet të marrim shembull Shqipërinë që brenda një kohe të shkurtë, edhe pse kishte mospajtime, e kanë votuar, aprovuar dhe e kanë në fuqi ligjin e Vettingut, i cili ka filluar të zbatohet pa vonesë, 24 orë pas votimit qe e kanë bërë në Parlament.
Andaj kjo duhet të ndodhë edhe në Kosovë, sepse është shumë urgjente, dhe madje i vonuar si proces e si shembull, që të merret një model i mirë i filluar nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri, për të hetuar dhe zbuluar të gjitha lidhjet me krimin brenda llojit të vetë, pra brenda sistemit të drejtësisë, me nëntokën e krimit të organizuar, mënyrat perfide kriminale përmes të cilave, zyrtarët në sistemin e drejtësisë arrijnë të pasurohen në kundërshtim me ligjin, e të cilat pasuri duhet zbuluar dhe konfiskuar, kurse aktorët- pronarët sipas ligjit duhet dënuar.
Në këtë rast, shembull tipik dhe emblematik është dënimi me burg i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i cili në deklarimin e pasurisë së tij e ka fshehur pronësinë e shtëpisë së tij në plazh! Në krye të tre viteve nga kallëzimi i një avokati që vuri në lëvizje SPAK për 20 funksionarë të drejtësisë të shkarkuar nga VETTING-u, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e Bashkim Dedjes, i cili ishte në krye të gjykatës kushtetuese deri në vitin 2018. Është koha e fundit që edhe në Kosovë të fillon hetimi, diferencimi dhe zbulimi i mënyrës se si janë pasuruar dhe ku i mbajnë, e në emër të kujt i mbajnë pasuritë e krijuara super mentë e drejtësisë së Kosovës të cilët veten e konsiderojnë mbi ligjin, gjyqtarët, kryegjyqtarët dhe prokurorët e kryeprokurorët, të cilët nga shteti kanë trajtimin më të privilegjuar në rajon, pagat më të mira në drejtësi, por nuk janë zbatues të ligjit që e kanë mbi kokën e tyre, por nuk e zbatojnë atë dhe qytetarët nuk përfitojnë asgjë nga kjo drejtësi e inkriminuar që ja bënë shërbimin vetëm krimit të organizuar.
Në drejtësinë Kosovare tani më janë apostrofuar dhe dihen me emër e mbiemër që merren me trafikimin e drejtësisë prandaj tash ose kush është obligim i zgjimit të këtyre institucioneve nga gjumi, për ta kanalizuar sistemin e drejtësisë dhe çlirimin e tij nga dora e zgjatur në shërbim të nëntokës dhe të mafies. Kjo qeveri jo rastësish i mori para dy vitesh mbi 50% të votave, por i besuan në premtimin për drejtësi të reformuar dhe të shkëputur nga krimi I organizuar. Pavarësisht se çka thotë dhe çka mendon opozita, duhet nxituar edhe për ligjin Vetting, të nxirret në Kuvend dhe të miratohet e të zbatohet, pavarësisht se nga opozita, nga ish pushtetarët mundë të provohet të pamundësohet e të sabotohet, sepse janë ata njerëz në sistemin e drejtësisë që në të kaluarën janë emëruar nga ish pushtetarët e korruptuar, por me këtë asgjë nuk mundë të fitohet, vetëm sa dosja kriminale e ish pushtetarëve tash në opozitë, dhe njerëzve që ata i kanë instaluar në sistemin e drejtësisë akoma më shumë do të trashet e pasurohet, që në një të ardhme të afërt, nga një prokurori dhe sistem gjyqësor i reformuar dhe pastruar nga krimi i organizuar me pa tjetër do të hetohet dhe gjykohet.
Është e ditur që gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë formalisht janë betuar për ta zbatuar ligjin, pora ata akoma vazhdojnë të jenë në shërbimin besnik të atyre që i kanë emëruar, e ata janë vet ish pushtetarët e inkriminuar të cilët qytetarët me votë i kanë ndëshkuar, por drejtësia e kontrolluar nga ana e tyre asnjëherë nuk i ka ndjekur, nuk i ka hetuar prokuroria as nuk janë gjykuar nga ky sistem që argatinë dhe avokatinë ja bënë krimit të organizuar. Urgjentisht Qeveria e zotuar për drejtësi e luftim të krimit të organizuar, duhet të angazhohet seriozisht për një sistem të ri prokurorial e gjyqësor, të pa varur e profesional që është në shërbim të zbatimit të ligjit, ashtu siç kanë premtuar, dhe jo vazhdimësi e ruajtjes së lidhjes me nëntokën e krimit të organizuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".