Vazhdon loja në sistemin e drejtësisë së korruptuar, prokuroria pozicionohet hapur në rolin e avokatit mbrojtës të krimit të organizuar

Vazhdon loja në sistemin e drejtësisë së korruptuar, prokuroria pozicionohet hapur në rolin e avokatit mbrojtës të krimit të organizuar
Vazhdon loja në sistemin e drejtësisë së korruptuar, prokuroria pozicionohet hapur në rolin e avokatit mbrojtës të krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 07 June 2023 - 07:53

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Pas aferës së njohur në opinion si rasti „Toka“ duket se edhe rasti spektakular i kapjes në flagrancë të rrjetit të krimit të organizuar, me aferën e SUBVENCIONEVE në mandatin e qeverisjes së viteve 2011- 2014, në Komunës e Prishtinas, po vijon të manipulohet nga nëntoka kriminale.Madje, tash e mbi tre vite rresht, edhe seancat e kësaj afere janë duke u zvarritur sipas një skenari të paramenduar që të konsumohen gjatë në kohë derisa provat, të arrijnë fazën e zhvlerësimit dhe të përmbushin kushtin e parashkrimit!

-Vetë ky rast, po dëshmon se më të vërtetë Prokuroria nuk është në funksionin e përshkruar me ligj dhe kushtetutë, por është shndërruar katërçipërisht në avokate mbrojtëse të strukturave mafio kriminale në vend! Kështu që për shkak të mungesës së përfaqësuesit të institucionit kyç në mbrojtje të provave, pra mosardhjes së prokurores, serish ka dështuar edhe seanca e së hënës e caktuar për vazhdim të gjykimit për mashtrim me subvencione. Akt që flet hapur se nuk mundë të përjashtohet mundësia e instalimit të logjikës së dështimit të qëllimshëm edhe të kësaj afere, sikur që ka ndodhur dhe po vazhdon të dështohet e zhvlerësohet edhe afera e dekadës, e njohur në publik si rasti «TOKA», në të cilin janë të involvuar, figura të larta të politikës dhe një numër i madh personash të nëntokës kriminale, të rrjetëzuar për më shumë se një dekadë në këtë aferë, që nuk po arrin assesi të marrë epilog dhe përfundojë! Sikurse është raportuar edhe në media, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor edhe në rastin për mashtrim me subvencione, ndaj të akuzuarve Zoja Krasniqi, Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi, Valon Bllacaku, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela, për shkak se ka munguar, vet prokurorja e rastit, Merita Lumezi. Për habi, prokurorja në fjalë edhe pse ka qenë e njoftuar me kohë për seancën që duhej të mbahej më 5 qershor, nga zyra e Prokurorit të Shtetit, gjykata është informuar se megjithatë prokurorja Lumezi do të mungojë në këtë seancë.

Po ashtu, gjyqtarja ka njoftuar që për shkak se e akuzuara Arjeta Koraqi jeton jashtë vendit, me kërkesë të palës, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të saj, kurse pas këtij dështimi, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 korrik të vitit 2023. Lidhur me zvarritjen e këtij procesi gjyqësor, gjyqtarja e rastit ka njoftuar se kjo lëndë fillimisht ka qenë duke u gjykuar nga gjyqtarja Naime Jashanica-Krasniqi, e cila pastaj është bartur tek gjyqtarja Fatime Dermaku. Kurse gjyqtarja Dermaku ka informuar se për shkak të mungesës së disa të akuzuarve nëpër seanca, si dhe për shkak të vendosjes lidhur me kundërshtimin e provave dhe të aktakuzës, ka ardhur deri te vonesa e gjykimit të rastit në fjalë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zoja Krasniqit, Albulena Rama-Gashit, Armend Gashit, Valon Bllacakut, Arjeta Koraqit dhe Dafina Qelës, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprime të kundërligjshme lidhur me subvencionet në projekte të ndryshme, si zyrtar të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës. Sipas aktakuzës, Zoja Krasniqi kishte shqyrtuar dosjet për projekte të ndryshme për kandidatët që kishin aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, e në këto dosje të projektit kishin marrë pjesë kunata e saj Albulena Rama dhe vëllai i saj, Arben Gashi.

Prandaj si rezultat në projektet që pikërisht ata ishin të angazhuar, kishte pasur interesa të drejtpërdrejta, me çka sipas Prokurorisë thuhet se është kryer vepra penale “Konflikt i interesit” nga neni 424 i KPK-së. Dhe Zoja Krasniqi me qëllim të përfitimit material, nuk kishte hezituar që përmes përpilimit të dosjeve fiktive, ti ndihmonte familjarët e saj Armend Gashin, Albulena Ramën dhe Valon Bllacakun, të fitonin hiq më pak se 24 mijë e 900 euro nga subvencionet që Komuna e Prishtinës i kishte ndarë. E akuzuara Krasniqi, thuhet se si zyrtare në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës dhe anëtare e komisionit për vlerësimin e tenderit tradicional në Shah, gjatë shpalljes së tenderëve kishte manipuluar që të përfitonte materialisht vëllai i saj Armend Gashi, shumën prej 4 mijë euro.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i KPK-së, kurse Albulena Rama-Gashi akuzohet se në vazhdimësi kishte aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, me projekte fiktive duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj Zoja Krasniqi, kishte «fituar» shumën prej 10 mijë e 150 euro, po ashtu, në emër të subvencioneve, para dhe fonde, të cilat ishin përdorur për përfitime personale dhe familjare. Me këtë rast, Rama-Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 336 i KPRK-së, kurse të akuzuarat Albulena Rama-Gashi dhe Dafina Qela akuzohen se kanë aplikuar për subvencione në projektin fiktiv të Albulena Ramës me emrin “Suksesi varet nga projektet” dhe “Rinia Jonë”, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të saj, të akuzuarës Zoja Krasniqi, që të përfitonin edhe 1 mijë e 115 euro nga Komuna e Prishtinës.

Me tej, në aktakuzë sqarohet se të akuzuarat Albulena Rama-Gashi dhe Arjeta Koraqi kishin aplikuar në bashkëveprim në Komunën e Prishtinës për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e të rinjve në procesin e integrimit evropian”, duke përfituar serish kundërligjshëm edhe shumën prej 800 euro në emër të subvencionit të lartcekur fiktiv. Kurse i akuzuari Armend Gashi, thuhet se kishte aplikuar në disa projekte po ashtu në Komunën e Prishtinës, nga viti 2011 e deri në vitin 2014, ku edhe ai duke shfrytëzuar pozitën e motrës së tij, Zoja Krasniqi, kishte arritur të përfitonte si në «Loto», hiq më pak se 10 mijë e 500 euro.

Ndërsa, i pandehuri Valon Bllacaku akuzohet se në vitet 2013-2014 kishte aplikuar për dy subvencione në projektin “Ta ndihmojmë rininë në karrierë” i cili po ashtu, kishte shfrytëzuar pozitën e Zoja Krasniqit, motrës së dhëndrit të tij, duke përfituar edhe ai mbi 2 mijë e 300 euro, ndaj dhe akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim në subvencione”, vepër kjo e paraparë në nenin 336 të KPRK-së. Por zvarritja e habitshme e kësaj afere zinxhirore me subvencionet, në komunën e Prishtinës, nga komunarët e korruptuar të qeverisjes së kaluar, ka rrezik serioz për tu zhvlerësuar deri në dështim, me skenarët e mungesave të improvizuara të prokurorëve të Prokurorisë së shtetit, të cilët çuditërisht, në vijimësi i kemi parë të jenë jo në shërbim të ligjit, por në rolin e avokatëve mbrojtës të krimit të organizuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".